Prokuroria kërkon që Sami Lushtaku dhe të tjerët të rigjykohen për rastin “KEK 2”, mbrojtësit kërkojnë të vërtetohet pafajësia e tyre

Sami Lushtaku etj. - 29.06.2020
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Qershor 29, 2020

Prishtinë – Anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe gjashtë të akuzuar tjerë ishin shpallur të pafajshëm për dallavere lidhur me një tender milionësh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), po e kërkon nga Gjykata e Apelit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Në anën tjetër, avokatët mbrojtës së të akuzuarve, i janë përgjigjur ankesës së prokurorisë, duke i propozuar Gjykatës së Apelit që ta refuzoj ankesën në fjalë dhe ta vërtetoj aktgjykimin lirues të shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesa e prokurorisë si dhe përgjigjet e mbrojtësve në këtë ankesë u shqyrtuan të hënën nga një kolegj i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjyqtarët, Kreshnik Radoniqi, Burim Ademi dhe Vaton Durguti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 8 maj 2019, kishte shpallur aktgjykimin në këtë rast të njohur në publik si “KEK 2”, me ç’rast ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ishte liruar nga akuza për shtytje për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Për të njëjtën vepër penale ishte liruar edhe i akuzuari Azem Duraku. Të pafajshëm ishin shpallur edhe ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha dhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kurse, i akuzuari Driton Pruthi ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe lidhje e kontratës së dëmshme.

Kurse, ndaj Esat Tahirit dhe Milazim Lushtakut, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim refuzues për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, me arsyetimin se është arritur parashkrimi absolut.

E pakënaqur me aktgjykimin e Themelores, prokurorja Florije Shamolli ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me të cilin ka kërkuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar dhe kthimin e rastit në rigjykim.

E në seancën e së hënës, nuk ishin të pranishëm as prokurori i Prokurorisë së Apelit e as prokurorja e rastit. Nisur nga kjo, gjyqtari raportues për këtë rast, Burim Ademi, tha se përfaqësuesi i organit të akuzës ka qenë dashur të jetë i pranishëm në seancë për të elaboruar ankesën e tyre.

Prokurorja Shamolli aktgjykimin e Themelores e ka atakuar për shkak të vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike.

Siç thuhet në ankesën e prokurorisë, gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të pandehurit Tahiri dhe Lushtaku me dashje kanë ndërmarrë veprimet e kundërligjshme të cilat janë manifestuar me hartimin e shtatë dokumenteve të rrejshme.

Sipas ankesës, një gjë e tillë është vërtetuar edhe nga deklarata e të akuzuarve gjatë fazës së hetimeve si dhe nga dëshmitari Lumnaj Tolaj, për të cilin, prokuroria pretendon se ka deklaruar se ka qenë edhe i kërcënuar dhe mashtruar.

Pretendimet e veta për fajësinë e të akuzuarve, prokuroria i mbështet edhe në ekspertizën e bërë nga ana e ekspertit të grafologjisë.

Tutje, sipas prokurorisë, i akuzuari Driton Pruthi siç thuhet në aktakuzë por edhe siç ishte vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk kishte ndërmarr veprimet përkatëse ligjore për të diskualifikuar konzorciumin Security Code & ËDG edhe pse i njëjti nuk kishte plotësuar kriteret e përzgjedhjes sikurse ishin, mungesa e personelit si dhe licencat e kërkuara të sigurimit.

Sa i përket të akuzuarit Gjukaj, në ankesën e prokurorisë thuhet se i njëjti i kishte ndërmarrë veprimet për të cilat akuzohet, me qëllim që t’i shmangej përgjegjësisë së tij për nënshkrimin e kontratës për të cilën, sipas ankesës, ai ishte i vetëdijshëm se ishte e kundërligjshme dhe se për nënshkrimin e saj kishte pasur presion nga të akuzuarit, Tahiri dhe Sami Lushtaku.

Në ankesë thuhet se në asnjë dispozitë ligjore nuk ka ndonjë dispozitë e cila ia njeh të drejtën Drejtorit Menaxhues, që të caktojë ndonjë zyrtar tjetër për nënshkrimin e kontratave.

Edhe për të akuzuarin Hysni Hoxha, ankesa e prokurorisë pretendon se i akuzuari i kishte  tejkaluar kufijtë e autorizimit të tij dhe kishte ndërmarr vendime të kundërligjshme në dobi të konzorciumit Security Code & ËDG.

Edhe për të akuzuarit Sami Lushtaku dhe Azem Duraku, prokuroria në ankesën e saj pretendon se nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë gjendja faktike.

Sipas ankesës, Lushtaku, së bashku edhe me të akuzuarin Tahiri, në dy raste në muajt qershor dhe tetor 2012, në mënyrë të kundërligjshme kishin ndërhyrë në rrjedhën e procesit të prokurimit duke iu qasur zyrtareve të KEK-ut me qëllim që t’i shtyjë ata që t’i keqpërdorin detyrat e tyre zyrtar duke marr vendime në favor të konzorciumit Security Code & ËDG.

“Përveç kësaj, çfarë është e rëndësishme se Milazim Lushtaku dhe Jeton Lushtaku të cilët janë të punësuar në Security Code, që të dy janë të nipër të Sami Lushtakut dhe kjo shpjegon interesin personal ndaj kompanisë. Esat Tahiri është shoku më i mirë dhe më i afërt i Sami Lushtakut dhe logjikisht nuk ka shpjegim tjetër rreth interesit të Sami Lushtaku me organizimin e takimeve ndërmjet Esat Tahirit dhe zyrtarëve të KEK-ut..”, thuhet në ankesën e PSRK-së.

E në këtë ankesë të PSRK-së, janë përgjigjur mbrojtësit e të akuzuarve, të cilat Apelit i kanë propozuar që të refuzohet ankesa si e pabazuar kurse aktgjykimi lirues i shkallës së parë të vërtetohet.

“Mbesim prapa përgjigjes dhe i propozojmë kolegjit të vërteton aktgjykimin. Ka kaluar një kohë e gjatë prej aktgjykimit kur është shpallur dhe këto përgjigje i kemi dorëzuar me shkrim, ne tani nuk kemi ndonjë provë tjetër që t’i shtojmë sot dhe nuk kemi çka të shtojmë tjetër”, tha në fjalën e tij, mbrojtësi i Esat Tahirit, avokati Mentor Neziri.

Ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit tha se ka qenë praktikë në të kaluarën dhe është edhe sot praktikë, që në mungesë të drejtorit, të angazhohet një zyrtar tjetër për të nënshkruar. Një gjë të tillë, Gjukaj tha se e ka thënë edhe zyra ligjore. Edhe gjatë hetimeve të policisë, Gjukaj tha se është vërtetuar se kanë qenë dhjetëra kontrata të nënshkruar asisoj.

Mbrojtësi i Azem Durakut, avokati Armend Krasniqi tha se në asnjë moment nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka vepruar kundër ligjit, sepse siç tha, në ekspertizën e tij nuk ka rekomanduar asgjë për dhënien ose jo të tenderit në fjalë.

“Në asnjë moment nuk e ka kry as veprën penale të shtytjes sepse Hysni Hoxha ka qenë i pjekur, i rritur madhor dhe ka marr edhe shume vendime tjera dhe nuk ka mundur një ekspert të bej një shtytje te tille”, tha avokati Krasniqi.

Ndryshe, në seancën e Apelit nuk ishte i pranishëm i akuzuari Sami Lushtaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky proces gjyqësor më herët ishte duke u gjykuar nga EULEX-i, por Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’i delegohet gjyqtarëve vendorë, të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave.

Në shkurt të vitit 2016, para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi Vladimir Mikula, gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në këtë rast hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut.

Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratçs së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “ËDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u. /BetimipërDrejtësi