Prokuroria kërkon që ish-drejtori i Arsimit në Ferizaj të shpallet fajtor për punësimet pa konkurs, mbrojtja kërkon lirimin e tij

IMG_1563
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Dhjetor 12, 2019

Ferizaj – Të enjten, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Muhamet Halili, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai akuzohet se gjatë vitit 2016, në dy raste kishte kontraktuar dy mësimdhënës për të ligjëruar lëndë ekonomike në Shkollën e Mesme Ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj, pa shpallur fare konkurs, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën përfundimtare, prokurori i rastit, Rasim Maloku, i ka propozuar trupit gjykues që të akuzuarin Halili ta shpallë fajtor, pasi tha se ka vlerësuar se janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilat ngarkohet ai.

Ai shtoi se punësimet pa konkurs publik janë bërë me qëllim të sistemit të kandidatëve të caktuar, bazuar në lidhje partiake ose familjare, dhe se punësimet në raste urgjente nuk kanë bazë ligjore.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Halili, avokati Fitimi Shabani, i ka kërkuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të shpallë aktgjykim lirues, me arsyetim se prokuroria nuk ka arritur të provojë se janë përmbushur elementet e veprës për të cilat akuzohet Halili, dhe atë, elementi i përfitimit.

Po ashtu, në këtë seancë i akuzuari Halili ka dhënë mbrojtjen e tij, si dhe është dëgjuar dëshmitarja e fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mbrojtje të tij, i akuzuari Halili deklaroi se gjatë vitit 2016, kishte qenë drejtor i Arsimit në Ferizaj, dhe se pas hapjes së konkursit, përgjegjës për vlerësimin e kandidatëve ishte komisioni, i cili edhe jep rekomandimet për kandidatët të cilët i plotësojnë kriteret.

Lidhur me rastin e Lumturije Gashit, e njëjta tha se ishte angazhuar deri në shqyrtim të konkursit, ku i pranuar kishte qenë Fitim Ahmeti, i cili sipas tij, kishte bërë të ditur se nuk do të mund të mbante orarin e plotë, për çka ishte angazhuar edhe Shpëtim Sojeva.

“Në arsim është një praktikë e pashkruar, ku në momentin kur mësimdhënësi nuk ka mundësi të marrë pjesë në procesin arsimor për arsye shëndetësore apo çështje të tjera, Drejtoria e Arsimit është e obliguar të bëj një zgjidhje të përkohshme për arsye se janë specifika të veçanta, dhe dëmi shoqëror është shumë më i madh nëse ne nuk bëjmë ndonjë veprim të tillë, për shkak se procedurat e konkursit marrin kohë deri në dy muaj. Kjo praktikë ka qenë edhe mëherët, dhe ende vazhdon të jetë në gjithë Kosovën”, deklaroi i akuzuari Halili.

Ndërsa, lidhur me dëshmitaren nga seanca e kaluar, Krenare Bejta, e cila kishte thënë se e pranuara e këtij konkursi kishte qenë Shqipe Hajdini, vajza e njërës nga anëtaret e komisionit, për këtë, i akuzuari Halili i ka dorëzuar gjykatës disa dokumente, të cilat, sipas tij, vërtetojnë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Ndërsa, dëshmitarja Merita Jonuzi tha se gjatë vitit 2016, ishte hapur një konkurs për mësimdhënës në Shkollën e Mesme Ekonomike “Faik Konica”, por pas konkurrimit nuk ishte pranuar.

Në atë kohë, tha se kishte qenë duke punuar në Shkollën e Mesme të Agrobiznesit, dhe se tutje nuk ishte interesuar se çfarë kishte ndodhur me rezultatet, apo se kush ishte pranuar.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më 16 dhjetor 2019, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 dhjetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Muhamet Halili, akuzohet se si person zyrtar – Drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, kishte keqpërdorur detyrën zyrtare, ku pa publikuar konkurs pune, më 6 janar 2018, kishte lidhur kontratë të punës me Lumturije Rexhepi-Gashi, si mësimdhënëse e lëndëve ekonomike në Shkollën e Mesme Ekonomike “Faik Grainca” në Ferizaj, si dhe për pozitë dhe në vend të njëjtë, më 18 prill 2016, kishte lidhur kontratë për kohë të caktuar me Shpëtim Sojevën.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim”, nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të lidhjes së kontratave të punës me Lumturije Rexhepi-Gashi dhe Shpëtim Sojeva, kishte kufizuar dhe kishte vënë në pozitë të pabarabartë pjesëmarrësve të tjerë për të realizuar të drejtën e punësimit në kushte të njëjta.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë në vazhdim”, nga neni 222, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi