Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve se u rrahën mes vete, mbrojtja kërkon masa tjera

53112125_2208771715846528_8316285883221278720_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Korrik 12, 2019

Kamenicë – Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar t’u caktohet masa e paraburgimit dy të dyshuarve për lëndim të lehtë trupor, F.B dhe Y.H.

Kjo kërkesë e prokurorisë, është shqyrtuar të premten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

F.B dhe Y.H, po dyshohen se më 10 korrik 2019, në Kamenicë, afër kafenesë “Kashmir”, me dashje i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore njëri-tjetrit, ashtu që pas një mosmarrëveshje goditen me njëri-tjetrin me grushte dhe shqelma.

Prokurorja Kujtesa Fazliu, duke e arsyetuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve, deklaroi se është përmbushur parakushti themelor për që ka të bëjë me ekzistimin e dyshimit të bazuar, se nga dy të dyshuarit është kryer vepra penale.

Ajo ka thënë se ka arsye për të besuar se të dyshuarit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë, apo në njëri-tjetrin që të ndryshojnë deklaratën, apo edhe të deklarojnë ndryshe nga ajo çfarë kanë deklaruar në polici, si dhe dëshmitarët e tjerë që do të merren në pyetje nga ana e prokurorisë.

“Prokuroria ka shqyrtuar edhe masa tjera alternative, në pajtim me nenin 173 të KPP-së, dhe ka konsideruar se shqiptimi i ndonjë mase tjetër do të ishte e pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë”, tha prokurorja Fazliu.

Ndryshe, mbrojtësi i të dyshuarit F.B, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Lulzim Canaj ka deklaruar se e kundërshtojnë në tërësi këtë propozim të prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit.

“Nuk i kundërshtojmë veprimet hetimore të cilat prokuroria duhet t’i ndërmarrë, për ndriçimin e kësaj çështje penale, mirëpo konsiderojmë se arsyet ligjore për bazat në të cilat konsideron prokuroria se është e nevojshme të caktohet kjo masë, nuk është e mbështetur në fakte ligjore, por më tepët është një supozim, pasi që baza ligjore në të cilën thirret prokuroria nuk përmbushet, pasi që nuk ka arsye se i pandehuri në të ardhmen do të ndikojë në rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë, sepse deklaratat e tij veçse tashmë janë marrë”, tha avokati Canaj.

Sa i përket bazës së dytë ligjore në të cilën thirret prokuroria, te pesha e veprës penale dhe rrethanat në të cilat është kryer kjo vepër penale, avokati tha se konsideron se nuk është arsye obligative caktimi i kësaj mase, pasi që Kodi Penal sipas tij, në mënyrë të qartë e thotë se paraburgimi duhet të caktohet vetëm te veprat penale, në të cilat janë të dënueshme mbi pesë vjet, ose kur kemi ndonjë fakt tjetër, i cili është mëse i domosdoshëm për t’u caktuar kjo masë.

“Lusim gjykatën që mos ta aprovoj propozimin e prokurorisë, ndërsa i propozojmë që të caktojë ndonjërën nga masat tjera alternative, të parapara me nenin 173 të KPP-së, duke konsideruar se edhe masat e tjera sigurojnë praninë e të pandehurit në rrjedhën normale të kësaj çështje penale”, tha avokati Canaj.

Edhe mbrojtësi tjetër i të dyshuarit Y.H, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Granit Mavriqi, ka deklaruar se ai si mbrojtës ka pretendime të arsyeshme me të cilat konsideron se gjykata në asnjë formë nuk do duhej ta aprovoj kërkesën e prokurorisë, ndaj të mbrojturit të tij.

“Ato pretendime janë, me vet faktin që prokurorja deklaroi se deklaratat e dëshmitarëve janë në shkresat e lëndës, atëherë pretendimi se mund të ndikojë në dëshmitarë nuk është i arsyeshëm”, tha avokati Mavriqi.

Gjithashtu, sipas avokatit Mavriqi, pengimi i rrjedhës i procedurës penale nga i mbrojturi i tij nuk qëndron, pasi që sipas tij ai është i moshës së re, dhe është e pamundur që t’i bind njerëzit brenda institucionit të drejtësisë, që rrjedha e procedurës penale, të mos shkojë konform dispozitave të KPP-së.

“Pretendimi tjetër lidhur me karakteristikat e të mbrojturi tim nuk qëndron, pasi që ai asnjëherë në të kaluarën nuk ka rënë ndesh me ligjin, për këtë veprën penale. Pesha e verës penale nuk qëndron siç e ka paraqitur prokuroria, sepse minimumi i dënimit për këtë vepër është jashtëzakonisht i ulët”, tha tutje avokati Mavriqi.

Ai kërkoi nga gjykata që kërkesa e prokurorisë mos të aprovohet, dhe ndaj të mbrojturit të tij, ajo të shqiptoj ndonjë masë tjetër alternative më të butë

Gjykatësja e procedurës paraprake Valbonë Dërvodeli, njoftoi palët se vendimi për këtë rast do të merret brenda afatit ligjor, i cili më pas do t’u dorëzohet palëve.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të parashtruar më 11 korrik 2019, i dyshuari F.B , më 10 korrik 2019, rreth orës 23:30, në Kamenicë, afër kafenesë “Kashmir”, me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, të dyshuarit tjetër Y.H, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje ka filluar rrahja ndërmjet tyre, ku i dyshuari F.B e ka goditur me grushte dhe shqelma të dyshuarin Y.H, duke i shkaktuar lëndime të lehta në fytyrë, në anën e djathtë, i cili kërkon ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional në Gjilan.

Në dispozitivin e dytë të kërkesës, thuhet se i dyshuari Y.H, me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë të saj, me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dyshuarit F.B, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje ka filluar rrahja në mes tyre, ku i dyshuari Y.H, e ka goditur me grushte dhe shqelma të dyshuarin F.B, duke i shkaktuar lëndime të lehta, i cili kërkon ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional në Gjilan.

Me këtë, F.B dhe Y.H, dyshohet se kanë kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1 nënparagrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi