Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për rrahje, mbrojtja kërkon masa tjera

20210407_104011
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Prill 7, 2021

Kamenicë – Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar t’i caktohet masa e paraburgimit të dyshuarit për lëndim të lehtë trupor, I.S.

Kjo kërkesë e prokurorisë, është shqyrtuar të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I.S. po dyshohet se më 6 prill 2021, në Koretin të Kamenicës, respektivisht në shtëpinë e përbashkët të vendbanimit, pas një mosmarrëveshje verbale me të dëmtuarën – nënën e tij, N.S., e sulmon fizikisht atë duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit me shuplaka, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Prokurorja Huma Jetishi, duke e arsyetuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit, deklaroi se është përmbushur parakushti themelor që ka të bëjë me ekzistimin e dyshimit të bazuar, se nga i dyshuari është kryer vepra penale.

Ajo ka thënë se ka arsye për të besuar se i dyshuari do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë, si dhe ai mund t’a përsërisë veprën penale dhe se pasojat mund të jenë edhe më të rënda.

“Prokuroria ka shqyrtuar edhe masa tjera alternative, në pajtim me nenin 173 të KPP-së, dhe ka konsideruar se shqiptimi i ndonjë mase tjetër do të ishte e pamjaftueshme për ndriçimin e plotë të gjendjes faktike”, tha prokurorja Jetishi.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit I.S., i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Granit Mavriqi, ka deklaruar se e kundërshtojnë në tërësi këtë propozim të prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit.

Ai ka thënë se fakti se i mbrojturi i tij mund të ndikojë në dëshmitarë është i pabazuar dhe prokuroria e shtetit nuk duhet të tentoj të merr deklaratë nga dëshmitarja kur dihet se dëmi mund të jetë më i madh, respektivisht mund të vij tek ndarja martesore, pasi dëshmitarja dhe i dyshuari janë bashkëshortë.

“Njëherit këta dëshmitarë bëjnë pjesë në grupin e dëshmitarëve të priviligjuar. Klienti im e ka një puntori në oborrin e tij dhe sado pak me punën e tij krijon të hyra të domosdoshme për anëtarët e familjet, dhe kërkojmë që të mos aprovohet kërkesa e prokurorisë, dhe ndaj klientit tim të shqiptohet një masë më e butë alternative”, deklaroi avokati Mavriqi.

I dyshuari I.S., deklaroi se ai nuk e ka sulmuar as lënduar nënën e tij, por që sipas tij ai vetëm e ka kapur për dore dhe e ka ulur atë.

“Grunë e kam të smutë, duhet me qu në spital, nuk ka kush e bënë këtë punë. Nuk e kam prekë kurrë as nanën as grunë a fminë si kam rrehë kurrë”, ka thënë i dyshuari.

Gjykatësi i procedurës paraprake Sadri Krasniqi, njoftoi palët se vendimi për këtë rast do të merret brenda afatit ligjor, i cili më pas do t’u dorëzohet palëve.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 7 prill 2021, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit I.S., për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3 nënparagrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas prokurorisë, I.S. më 6 prill 2021 rreth orës 8:55 në Koretin të Kamenicës, respektivisht në shtëpinë e përbashkët të vendbanimit, pas një mosmarrëveshje verbale me të dëmtuarën – nënën e tij, N.S., e sulmon fizikisht atë duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit me shuplaka e më pas e kapë me forcë për duarve për ta pamundësuar që ajo ta lajmërojë policinë, për çka edhe e dëmtuara detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën Emergjente në Kamenicë e më pas në atë të Gjilanit. /BetimipërDrejtësi