Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për mospërfillje të gjykatës dhe dhunë në familje

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë u mbajt seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit B.I se sulmoi bashkëshorten pasi shkeli urdhrin mbrojtës ndaj të njëjtës lëshuar nga Divizioni Civil i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit e prezantoi prokurori Bogdan Spadijer, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Gëzim Ademi konstatoi se përveç prokurorit Spadijer të pranishëm në seancë ishin edhe i dyshuari B.I me mbrojtësin e tij, avokatin Halil Dërguti, si dhe interpretja e gjuhës së shenjave, Drita Sahiti.

“Prokuroria konsideron se janë përmbushur kushtet ligjore në bazë të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, që ndaj të dyshuarit B.I të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, deklaroi prokurori.

Ai shtoi se dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393 par.1 të KPRK-së si dhe “Dhuna në familje”, nga neni 248 par.1 të KPRK-së, rrjedh nga kallëzimi penal i Stacionit Policor – Mitrovicë Jug dhe nga aktvendimi mbi ndalimin e të dyshuarit.

Prokurori deklaroi se më 11 qershor 2022 i dyshuari B.I edhe pse e ka pasur të ndaluar afrimin nën 100 metra ndaj të dëmtuarës, bashkëshortes së tij, atë ditë ka pasur kontakt direkt me të dëmtuarën dhe ndaj të njëjtës është sjell në mënyrë agresive duke e goditur atë dhe vajzën e tyre 6 vjeçare.

Tutje, të dëmtuarën e ka kërcënuar me jetë dhe e njëjta mezi ka arritur të njoftojë policinë.

Prokurori deklaroi se kemi të bëjmë me një vepër penale posaçërisht serioze dhe ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari do të përsërisë veprën penale pasi ai është agresiv dhe seriozisht e rrezikon familjen e tij.

Mbi këto baza paraprakisht i është shqiptuar edhe masa e ndalimit të afrimit ndaj familjes, të cilën i dyshuari e ka shpërfillur.

“Mundësitë reale të përsëritjes së veprës penale janë arsye të mjaftueshme që gjykata të shqiptoj masën e paraburgimit”, deklaroi prokurori.

Prokurori shtoi se konsideron që masat alternative të parapara me nenin 173 të KPPK-së për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë janë të pamjaftueshme duke pasur parasysh rrezikun e përsëritjes së veprës penale, sjelljen e të dyshuarit pasi i njëjti konsiderohet agresiv dhe e humbë kontrollin, pasi që edhe masën e ndalimit të afrimit e ka shkelur pas 11 ditëve kështu duke e sjellë në rrezik direkt të dëmtuarën.

Tutje, mbrojtësi i të dyshuarit B.I, avokati Halil Dërguti deklaroi se e kundërshton kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij pasi që fillimisht sipas tij urdhëri për mbrojtje është i kundërligjshëm.

“Urdhri për mbrojtje në këtë rast nuk mund të zbatohet sepse i pandehuri jeton në një shtëpi njëkatëshe në një sipërfaqe 60-70 metra katrorë së bashku me të dëmtuarën, ndërsa në urdhër shkruan që ai të mos i afrohet të dëmtuarës 100 metra. Sipas rregullave ligjore unë konsideroj se sikur të ishte caktuar masa mbrojtëse në një hapësirë tjetër me të vërtetë nuk do të kishte ndodhur vepra penale”, deklaroi avokati Dërguti.

Tutje ai shtoi se i mbrojturi i tij është me të meta pasi i njëjti është person i shurdhër me dëmtim në dëgjim dhe në të folur dhe po ashtu ai ka deklaruar se është në gjendje të pajtohet me bashkëshorten, pasi kishte mohuar se e kishte goditur atë apo vajzën e tyre.

I dyshuari B.I duke deklaruar se e përkrah kundërshtimin e mbrojtësit të tij, shtoi se në ditën kritike vetëm ja ka hequr kabllën e internetit nga rryma bashkëshortes pasi që ajo tërë kohën qëndron vetëm në telefon dhe e injoron tërë kohën, ndërsa mohoi ta ketë sulmuar fizikisht./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë