Prokuroria kërkon një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen në Marmullë të Gjakovës

20190314_093448
Author

Raporton: Dhurata RAMOJA

Mars 14, 2019

Gjakovë – Prokuroria Themelore në Gjakovë, të enjten, ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit prej një muaji ndaj Alfred Gjugjës, i dyshuar për vrasjen që ka ndodhur para dy ditësh në fshatin Marmullë të Gjakovës.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të prokurorit kujdestar, Ramiz Buzhala, thuhet se me lënien në liri, i pandehuri do të arratiset nga Kosova, si dhe nga rrethanat se ekziston rreziku që me gjetjen e mundshme të tij në liri, do të vije deri tek hakmarrja e mundshme nga ana e familjarëve të viktimës.

Gjithashtu, prokurori Buzhala, të mërkurën, ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tani të dyshuarit për vrasjen dhe plagosjen me armë zjarri të një personi tjetër, në Marmullë të Gjakovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas një komunikate për media, thuhet se polica pasi ka bastisur shtëpinë e të pandehurit, e ka arrestuar atë dhe i ka konfiskuar armën me të cilën dyshohet se i ka kryer veprat penale.

Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të Prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa personi i cili ka mbetur i plagosur është duke u trajtuar në Spitalin “Isa Grezda”, në Gjakovë, dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve, të ngritur me 13 mars 2019, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 12 mars, në ora 18:15, në fshatin Marmullë të Komunës së Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta, tani të ndjerin T.B dhe ka rrezikuar jetën e personave të pranishëm, A.N, Z.K dhe L.B.

Në aktvendim thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë për shkak të një mosmarrëveshje pronësore pasi i ndjeri para një viti nga vëllai i të pandehurit kishte blerë një parcelë toke, për çka nuk është pajtuar i pandehuri dhe në ditën kritike në shtëpinë e A.N janë mbledhur për të biseduar, pasi nuk janë pajtuar kanë dal jashtë, dhe pasi që nuk është arritur marrëveshje, i pandehuri më pas me pushkë gjysmë automatike qëllon në drejtim të tani të ndjerit T.B si dhe të dëmtuarit A.N, i shkakton lëndim të rëndë trupor.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë” nga neni 179 par.1 nënpar.1.5 I KPRK-së, “lëndim i rëndë trupor” nga neni189 par.5/1 I KPRK-së si dhe veprën penale “ mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” nga neni  374 par.1 I KPRK-së.