Prokuroria kërkon nga Apeli dënimin e postierit të liruar nga akuza për korrupsion, mbrojtja vërtetimin e aktgjykimit

IMG_0543 (1)
Author
Janar 22, 2021

Prishtinë – Prokuroria Themelore në Prishtinë po kërkon dënimin e postierit të Komunës së Drenasit, Zenë Halilaj, të liruar nga akuza për korrupsion.

Halilaj ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprën penale te keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, në tetor të vitit 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Violeta Namani, nuk ishte provuar se Halilaj e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Gjykata kishte konstatuar se prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë se i akuzuari është person zyrtar.

Por me këto konstatime nuk po pajtohet prokuroria, e cila përmes ankesës së ushtruar në Gjykatën e Apelit, ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim.

Rigjykimin e këtij rasti përmes parashtresës e ka propozuar edhe Prokuroria e Apelit, e cila ka kërkuar nga gjykata që ankesa e prokurorisë të aprovohet si e bazuar.

Sipas prokurorisë është dëshmuar se i akuzuari është kryerës i veprës penale për të cilën ngarkohet.

Por, vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë po e konsideron të drejtë mbrojtësi i të akuzuarit Halilaj, avokati Halim Kuliqi.

Sipas Kuliqit vendimi i shkallës së parë është i drejtë dhe drejtë ka konstatuar se i mbrojturi i tij nuk është person zyrtar.

Sipas aktakuzës së ngritur me 24 shtator 2019, i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar- postier në Komunën e Drenasit, akuzohet se me 4 gusht 2016 ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që vetit apo personit tjetër t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme.

Akuza thotë se në datën e lartcekur, i pandehuri ka pranuar fletë dërgesën-propozim për përmbarim P.nr.266/16 të datës 2 gusht 2016 nga Posta e Kosovës, e cila ishte dërguar nga përmbaruesit privat për Komunën e Drenasit, konkretisht në Drejtorinë e Arsimit, për të cilën thuhet se i pandehuri edhe pse ka pranuar fletë dërgesën, të njëjtën nuk e ka dërguar në adresën e destinimit.

Sipas aktit akuzues, për shkak të mos kundërshtimit, lënda ishte bërë e plotfuqishme, me ç‘rast NTSH “Vëllezërit Thaqi” kanë përfituar shumën në vlerë prej 8 mijë e 629.13 euro, ndërsa i është shkaktuar dëm buxhetit të dëmtuarës Komunës së Drenasit në shumën e lartcekur. /BetimipërDrejtësi