Prokuroria kërkon nga Apeli ashpërsim të dënimit ndaj të dënuarës për mashtrim dhe vjedhje të identitetit

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të dënuarës Lindorë Sejdiu për mashtrim dhe vjedhje të identitetit, t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Ankesa e Prokurorisë është shqyrtuar në seancën e së enjtes nga kolegji i Apelit i përbërë nga gjykatësi Zyhdi Haziri (kryetar), Ferit Osmani (gjykatës referues) dhe Beqir Kalludra (anëtar), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Gjilanit më 4 mars 2022, Sejdiun e ka dënuar me 9 muaj burgim dhe 200 euro gjobë, se mashtroi të dëmtuarin duke i shkaktuar dëm 2 mijë e 650 euro, dhe me qëllim të fshehjes së veprave penale të mashtrimit dhe humbjes së gjurmëve të saj, ka përdorur identitetin e të dëmtuarës.

Në ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit mbi sanksionin penal, pretendohet se dënimi i shqiptuar është tejet i butë, ashtu që gjykata e shkallës së parë ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese kurse rrethanat rënduese nuk i ka vlerësuar në mënyrë meritore.

Të njëjtit, kanë kërkuar që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan të ndryshohet dhe Sejdiut t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Përgjigje në ankesë ka parashtruar mbrojtja e të akuzuarës, avokati Rrustem Latifaj, duke pretenduar se ankesa e prokurorisë është e pabazuar dhe se dënimi është adekuat me peshën dhe kryerjen e veprës penale.

I njëjti ka kërkuar që kjo ankesë të refuzohet dhe aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet.

Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës së 14 qershorit 2022 ka propozuar që aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe të akuzuarës t’i shqiptohet dënim më i lartë me gjobë dhe burgim.

I dëmtuari Nuredin Rahimaj, i pranishëm në këtë seancë tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se kërkon kompensimin e dëmit.

Sipas aktakuzës, më 18 shtator 2021 në Gjilan, në rrugën “Vëllezërit Frashëri” e pandehura Lindorë Sejdiu, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, duke e përdorur metodën e mashtrimit, ka mashtruar të dëmtuarin Nuredin Rahimaj, punëtor i “Ekspress Post” LL.C.

Sipas aktakuzës, paraprakisht e akuzuara blen sim-kartelën nga shitësit ambulant, e më pas tek “Mobi Shop Fita” në Prishtinë porosit një telefon të markës “Samsung S21 Ultra” dhe një telefon të markës “Samsung Z Fold 3” në vlerë 2 mijë e 650 euro, duke u paraqitur me emër të rremë si Merita Hoxha dhe pasi punëtori postës “Ekspress Post” LL.C, ia sjell në Gjilan, e pandehura e pret tek “Xhamia e Medresesë”, nga ku i kërkon të shkojnë në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, dhe duke e vënë në lajthim se kinse po hynte në shtëpi t’i merrte paratë, merr pakon me telefona dhe hyn në oborrin e një shtëpie dhe del nga dera e pasme, duke e mashtruar të dëmtuarin.

Sipas aktakuzës, e njëjta më pas shkon në Prishtinë dhe telefonin “Samsung Ultra S21”, duke u paraqitur si Adelina Hyseni, e shet më 19 shtator 2021 tek Mobi Shop “Qendra” në Prishtinë në vlerë 700 euro, ndërsa telefonin Samsung “Z Fold 3” për shumën 750 euro ia shet një shokut të saj, me ç’rast në mënyrë të kundërligjshme krijon dobi pasurore për vete, duke vepruar në dëm të pasurisë së të dëmtuarit për vlerën 2 mijë e 650 euro.

Me çka, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323, par. 1 të Kodi Penal, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa, po ashtu më 19 shtator 2021, në Prishtinë, tek Mobi Shop “Qendra”, e pandehura Lindorë Sejdiu thuhet se me qëllim të fshehjes së veprave penale të mashtrimit dhe humbjes së gjurmëve të saj, përdor identitet të rremë.

Tutje thuhet se telefonin e markës “Samsung Ultra S21”, të cilin më 18 shtator 2021 përmes metodës së mashtrimit e kishte siguruar në Gjilan sikurse në dispozitivin 1, duke përdorur identitetin e rremë Adelina Hyseni, e shet telefonin e markës “Samsung Ultra S21”, tek Mobi Shop “Qendra” në Prishtinë, për çka e dëmtuara Adelina Hyseni më 29 nëntor 2021 në lokalet e Stacionit Policor në Gjilan ftohet për t’u intervistuar dhe në këtë mënyrë vjedhë dhe përdor identitetin e të dëmtuarës.

Me çka, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” nga neni 336, par.1 të KPRK-së e dënueshme me burgim deri në dy vjet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë