Prokuroria kërkon dënimin zyrtarëve komunal të Ranillugut të akuzuar për korrupsion, mbrojtja lirimin e tyre

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan-Prokurori Shefik Memeti në fjalën përfundimtare ka kërkua dënimin e të akuzuarve Goran Jevtiç, Ivan Gjorgjeviç, Boki Gjorgjeviç dhe Srgjan Dimitrijeviq të cilët akuzohen se dëmtuan buxhetin e Komunës së Ranillugut në vlerë mbi 8 mijë euro, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.

Këtë deklarim palët procedurale e kanë bërë të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Memeti ka deklaruar që fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe shtoi se pas analizimit të të gjitha provave ka ardhur në përfundim se është vërtetuar nga të gjitha provat teza e aktit akuzës, dhe se të akuzuarit Goran Jevtiç, Ivan Gjorgjeviç, Boki Gjorgjeviç dhe Srgjan Dimitrijeviq kanë kryer veprën penale të përshkruar si në aktakuzë.

I njëjti tha se mbetet në tërësi pranë aktit akuzës pa ndryshime dhe plotësimi.

Po ashtu, prokurori Memeti ka kërkuar nga gjykata që të njëjtit të i shpall fajtor në përputhje me dispozitat ligjore duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat rëndese dhe lehtësuese.

Mbrojtësi e të akuzuarve të akuzuarit Goran Jevtiç, Ivan Gjorgjeviç, Boki Gjorgjeviç dhe Srgjan Dimitrijeviq , avokatët Halit Azemi, Ilmi Qerimi, Selami Rexhepi dhe Lulzim Cana po ashtu fjalën përfundimtare ia kanë dorëzuar me shkrim gjykatës, duke shtuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk  është  vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen nga prokuroria.

Në mungesë të provave të njëjtit kanë kërkuar lirimin e të akuzuarve.

Gjyqtari Naser Maliqi ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarve të lartcekur do të bëhet me datë 6 qershor 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës, së ngritur më 28 tetor 2021, nga Prokuroria Themelore e Gjilanit që nga muaji janar i vitit 2018, në Ranillug, të pandehurit e lartshënuar, si persona zyrtarë në Komunën e Ranillugut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në tenderin me titull “Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillukut për vitin 2018”, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur përmasës dhe parallogarisë së këtij tenderi.

Me mosveprimet e tyre, sipas aktakuzës ata kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8 mijë e 307 euro, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë pozicione të pakryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të Komunës së Ranillugut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranilluhut i paguan si pozicione të kryera.

Me këto veprime, të njëjtit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 lidhur me paragrafin 1 të nenit 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë