Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve për narkotikë dhe kalim ilegal të kufirit, mbrojtja kërkon lirimin e tyre

Fation Shota etj foto (1)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Gusht 13, 2019

Gjakovë – Është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin kundër të akuzuarit për importim të narkotikëve dhe kalim ilegal të kufirit, Fation Shota, si dhe të akuzuarit për importim të narkotikëve, Astrit Ibishi.

Prokurori Ramiz Buzhala, në seancën gjyqësore të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka kërkuar që të akuzuarit Shota dhe Ibishi të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Prokurori Buzhala tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen, dhe se i akuzuari Shota në deklaratën e tij në asnjë mënyrë nuk e konteston faktin se në ditën kritike e ka marrë substancën narkotike në Tropojë dhe se të njëjtën pasi që e ka vendosur në pjesën e pasme të shpinës është takuar me të pandehurin Ibishi, me të cilin së bashku kanë shkuar deri në kalimin kufitar, dhe më pas i akuzuari Shota e ka kaluar kufirin ilegalisht me substancë narkotike, ndërsa i pandehuri Ibishi e ka pritur në automjet.

Mbrojtësja e të akuzuarit Shota, avokatja Feride Xani, e cila e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim, kërkoi nga Gjykata që të mbrojturin e saj ta lirojë nga aktakuza.

Sipas avokates Xani, nuk është arritur të vërtetohet se i akuzuari Shota e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet, pasi sipas saj, takimi i të pandehurve ka qenë i rastësishëm dhe se i pandehuri Shota narkotikun e ka pasur për qëllim të përdorimit personal.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ibishi, avokati Isa Salihi e ka dorëzuar fjalën përfundimtare në formë të shkruar, ndërsa gjatë elaborimit të saj ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga aktakuza, pasi që, sipas tij, nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 16 gusht 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Fation Shota dhe Astrit Ibishi po akuzohen se më 26 dhjetor 2018, rreth orës 21:30, pa autorizim importojnë substanca narkotike dh atë të llojit marihuanë.

Siç thuhet në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake mes tyre me automjetin e markës “Opel Vectra”, pronë e të pandehurit Astrit Ibishi, parkojnë tek pika kufitare “Qafë-Morinë”, nga aty me një taksi kanë shkuar në qytetin e Tropojës, pikërisht në Rrogam, ku i pandehuri Fation Shota, kishte lënë takim me një vajzë nga qyteti i Lushnjës, dhe pasi që kishte siguruar narkotikun e llojit marihuanë me qëllim të trafikimit në Republikën e Kosovës, me peshë prej 1.5 gram, pasi e vendos në trup, kthehet tek restoranti dhe më pas që të dy me një taksi kanë shkuar në pikën kufitare Qafë-Morinë, ku i pandehuri Fation Shota në mënyrë ilegale ka kaluar kufirin shtetëror, i cili nga zyrtar policor është arrestuar dhe nga ekzaminimi i forenzikës është konstatuar se pesha e përgjithshme e kanabisit është 1.61.04 gram.

Për këtë, po akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” nga neni 273 parag.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas pikës dy të aktakuzës, i akuzuari Fation Shota po akuzohet edhe për kalim të paautorizuar të vendkalimit kufitar.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari Shota më 26 dhjetor 2018, rreth orës 23:00, në territorin e Republikës së Kosovës në vijën kufitare me Republikën e Shqipërisë, në fshatin Morinë duke anashkaluar vendkalimin e autorizuar në mënyrë ilegale përmes rrugëve malore në afërsi të pikës kufitare në Morinë ka hyrë në territorin e Kosovës, ku më pas në brendësi prej 500 metra është hasur nga Policia e Kosovës. /BetimipërDrejtësi