Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për shpërndarje të urrejtjes ndaj popullit shqiptar, mbrojtja kërkon lirimin e tij

2 Jovanoviq
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Korrik 19, 2021

PrishtinëProkuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar dënimin e të akuzuarit për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, Risto Jovanoviq,  ndërsa mbrojtja e të akuzuarit ka kërkuar që ai të lirohet nga akuza.

Me këto kërkesa drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, të hënën ka përfunduar gjykimi në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Bekim Kodraliu ka thënë se me provat e administruara dhe atë, nga deklaratat e dëshmitarëve okular është vërtetuar bindshëm se i akuzuari Jovaniviq me veprimet  e tij inkriminues ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai i ka propozuar gjykatës që aktakuzën ta aprovoj si të bazuar dhe të akuzuarin ta shpall fajtor, ku gjatë shqiptimit të dënimit të marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rëndësuese.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Petkoviq, në fjalën e saj përfundimtare ka thënë se Prokuroria me asnjë provë nuk ka vërtetuar se i mbrojturi i saj e ka kryer veprën e cila i vihet në barrë dhe se Prokuroria ka nxjerr nga konteksti deklaratën e të akuzuarit Jovanoviq të dhënë para mediave në ditën kritike.

Ajo ka kërkuar nga gjykata që ndaj të akuzuarit Jovanoviq të merr aktgjykim lirues.

Ndryshe, në fillim të kësaj seance, i akuzuari Jovanoviq ka dhënë mbrojtjen e tij.

Ai ka thënë se kishte kënduar që “Kosova është Serbi”, por ka mohuar të ketë thënë “Vrite shqiptarin” dhe “Kosovën do ta lajmë me gjak”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së tij, avokates Jovana Petkoviq, i akuzuari Jovanoviq ka thënë se në Kosovë kishte ardhur me qëllim që ta vizitoj manastirin, si dhe ka shtuar se kishte qenë edhe vitin e kaluar në Kosovë, por nuk kishte pas probleme.

Ai ka thënë se në manifestimit e përvjetorit të njohur si “Vindov Dan”, kishte kënduar kur të gjithë kishin kënduar “Kosova është Serbi”, kurse sipas tij, asnjëherë nuk kishte thënë “Vrite shqiptarin” e as “Kosovën do ta lajmë me gjak”.

Ajo është një këngë të cilën unë nuk e kam shkruar, atë e kam kënduar, por askujt nuk ja kam menduar të keqen, dhe kam menduar për Serbet”, ka thënë i akuzuari gjatë mbrojtjes së tij.

Ndërsa lidhur me pyetjen se çfarë do të thotë ngritja e tre gishtërinjve, i akuzuari Jovanoviq ka thënë se kanë kuptimin në emër të atit të birit dhe shpirtit të shenjtë.

Në pyetjen e prokurorit Bekim Kodraliu, se a kishte thënë se shqiptarët do ta kenë ngushtë, i akuzuari Jovanoviq deklaroi se kjo është keqkuptuar nga Prokuroria, ndërsa ka shtuar se edhe një mijë persona të tjerë në atë manifestim kishin kënduar “Kosova është Serbi”.

Në fund të mbrojtjes, i akuzuari Jovanoviq ka thënë se është penduar që nëse rastësisht ose pa vetëdije kishte ofenduar dikë kur ka thënë “Kosova është Serbi”.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 21 korrik 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 qershor 2021, Risto Jovanoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit” e sanksionuar nga neni 141 paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se me datë 28 qershor 2021, rreth orës 14:00 në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, respektivisht tek monumenti i “Gazimestanit”, i akuzuari, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim mes grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që gjatë manifestimit te përvjetorit të njohur si “Vindov Dan”, i njëjti publikisht dhe në prezencën e një numri të konsiderueshëm qytetarësh, ka brohoritur, “Vrite shqiptarin”, “Kosovën do ta lajmë me gjak”, “Kosova është Serbi”, kurse para gazetarëve dhe mediave të pranishme ka deklaruar se “shqiptarët do ta kenë ngushtë”, duke rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje mes grupeve etnike dhe fetare në territorin e Republikës së Kosovës”.