Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për legalizim të përmbajtjes së rreme, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Rasti Ardian Balaj - 09.09.2019
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Shtator 9, 2019

Prishtinë – Të hënën, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar që Ardian Balaj, i cili akuzohet se me anë të falsifikimit të kontratës për shitblerje të veturës, të njëjtën kishte arritur ta regjistronte në Qendrën e Regjistrimeve në Ferizaj, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë, e ka bërë prokurorja e rastit, Hava Krasniqi, në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë rast për falsifikim të dokumenteve kanë qenë të akuzuar edhe Gëzim Abazi, Bekim Bajrami dhe Fetah Ahmetaj, ndaj të cilëve me vendimin e 30 janarit 2019, ishte konstatuar se kishte arritur parashkrimi absolut, si dhe ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarit Balaj për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Ndërsa, i dyshuar në këtë rast nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është edhe Xhevdet Kqiku për të cilin, kjo prokurori më 8 tetor 2013, kishte nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve, mirëpo me arsyetimin se ai gjendej në arrati ajo kishte pezulluar hetimet ndaj tij.

Sipas prokurores Krasniqi, gjatë shqyrtimit gjyqësor me dëshmitë e dhëna të dëshmitarëve, është vërtetuar se i akuzuari i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

“Siç është parë edhe në shqyrtimet e deritashme, i akuzuari Ardian Balaj i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë, dhe atë duke lidhur kontratë gjegjësisht legalizim të saj, ku shitësi Sadat Ramadani nuk ka qenë fare prezent siç është vërtetuar edhe në deklarimin e dëshmitarit Ramadani se i njëjti në kohën e lidhjes së kontratës më 18 janar 2013 ka qenë i privuar nga liria dhe nuk ka qenë fare prezent në lidhjen e kontratës”, ka thënë prokurorja Krasniqi.

Prokurorja Krasniqi ka thënë se ia lë në kompetencë gjykatës që të vendos lidhur me dy veturat e sekuestruara, duke i propozuar që ato t’i kthehen palës së dëmtuar, Kadri Sijarina.

“Ndërsa, sa i përket automjeteve, mbetemi si në aktakuzë, duke lënë në kompetencë gjykatës, të vendos lidhur me veturat e sekuestruara, gjegjësisht deri nga rrjedha ë e procedurës së deritashme shihet se veturat u janë marrë të dëmtuarit andaj propozojmë që gjykata të vlerësojë dhe të vendos që këto vetura ti kthehen të dëmtuarit Kadri Sijarina”, tha prokurorja.

Ndërsa, përfaqësuesja e të dëmtuarit Kadri Sijarina, avokatja Emine Statovci, fjalën e saj përfundimtare, gjykatës ia ka dorëzuar me shkrim.

I dëmtuari Sijarina tha se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim nga avokatja e tij.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Balaj, avokati Ramë Gashi ka kërkuar që i akuzuari Balaj të lirohet pasi që sipas tij, prokuroria ka dështuar ta provojë dhe se nuk ka fakte se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale të cekura në aktakuzë.

Ai ka thënë se i mbrojturi i tij, Balaj, me rastin e blerjes së makinave, nga Xhevdet Kqiku, nuk kishte pasur asnjë njohuri se për marrëveshjen e lidhur në mes të dëmtuarit Sijarina dhe Kqikut, pasi që sipas tij, i akuzuari makinat i kishte pranuar me dokumentacion të rregullt.

Sipas avokatit Gashi, fakti që i akuzuari nuk e ka kryer veprën penale nga neni 403 është vërtetuar edhe nga ekspertiza e 21 janarit 2019, raporti i qendrës për regjistrimin e automjeteve si dhe nga dëshmia e ekspertes të dhënë më 15 qershor 2019, si dhe deklarata e dëshmitarit Nezir Kqiku të dhënë në Prokurori.

“Ekspertiza e 21 janarit 2019, përfundon me konstatim se “ mund të jetë nënshkruar nga personi që ka nënshkruar në dëshmitë D2 dhe D3”. Raporti i qendrës për regjistrimin e  automjeteve në Gjilan tregon vetëm se vetura është transferuar në QRA, Prishtinë, në emër të Ardian Balaj, në bazë të kontratës, asnjë shënim tjetër. Në shqyrtimin kryesor më 5 qershor 2019, në pyetjen e gjykatës, ekspertja është përgjigjur se përshkrimi i nënshkrimit në rubrikat mbi shitësin, kontrata e 18 janarit 2013 thotë ka qenë fotokopje, në fotokopje humbin karakteristikat. – ka thënë avokati Gashi

Fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij  e ka mbështetur në tërësi edhe i akuzuari Balaj.

Shpallja e këtij aktgjykimi do të bëhet më 12 shtator, në orën 14:30.

Ndryshe, kjo seancë ka filluar me vonesë pasi që i akuzuari Balaj nuk është paraqitur në seancë në kohën e caktuar nga gjykata me arsyetimin se kishte menduar që seanca do të zhvillohej të nesërmen.

Lidhur me këtë rast, më 5 dhjetor 2018, emision “Betimi për Drejtësi” kishte zhvilluar edhe  një hulumtim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2015, të pandehurit Ardian Balaj dhe Fetah Ahmetaj me 18 janar 2013, në kompaninë “Amar”, pronë e të pandehurit Ahmetaj, kishin falsifikuar dokumentet në atë mënyrë që kishin përpiluar kontratën e shitblerjes në mes Sedat Ramadanit dhe të pandehurin Ardian Balaj, për veturën e cila ishte pronë e të dëmtuarit Kadri Sjarina.

Për shkak se i pandehuri Ardian Balaj, me po këtë kontratë kishte regjistruar automjetin e tij në Qendrën e Regjistrimit në Ferizaj, Prokuroria Themelore e Prishtinës atë e ngarkon edhe për kryerjen e veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rremë.

Për falsifikim të kontratave për shitjen e automjeteve, pronë e të dëmtuarit Kadri Sjarina, akuzohen edhe Gëzim Abazi dhe Bekim Bajrami.

Në aktin akuzues thuhet se me 15 janar 2013 në Kompaninë e Sigurimeve “Kroacia” në Ferizaj, i pandehuri Gëzim Abazi kishte falsifikuar dokumentin dhe kishte lidhur kontratën në mes Rama Mengjiqit si shitës dhe Munish Janozit si blerës, ku objekt i kontratës ishte vetura e të dëmtuarit Kadri Sjarina.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Bekim Bajrami për shitjen e veturës së të dëmtuarit Kadri Sijarina, kontratën e kishte falsifikuar me 9 nëntor 2012 në kompaninë e sigurimeve “Grave Elsing” në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi