Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për dëmtim të drejtave pronësore të tjetrit, mbrojtja kërkon lirimin e tij

43629447_111208036443707_6190063332653793280_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Tetor 11, 2018

Kamenicë – Me pretendimet se sipas provave materiale, dëgjimit të dëshmitarëve dhe vet deklarimit të të akuzuarit është provuar vepra penale e përshkruar në aktakuzë, prokurori Esat Ademi, të enjten, i propozoi gjykatës që të akuzuarin për dëmtim të drejtave pronësore të tjetrit, Gazmend Ahmeti, ta shpall fajtor.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Granit Mavriqi, kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, kurse, fjalën e tij përfundimtare, gjykatës ia dorëzoi me shkrim, me arsyen se ishin mbajtur shumë seanca gjyqësore dhe ishin dëgjuar shumë dëshmitarë, por edhe për shkak të ekonomizimit të kohës.

Ndryshe, para se palët të jepnin fjalët e tyre përfundimtare, dëshminë e tyre lidhur me këtë rast e dhanë dy dëshmitarët e propozuar nga ana e prokurorisë, Shqipe Selmani dhe Ali Selimi.

Dëshmitarja Shqipe Selmani, në dëshminë e saj deklaroi se në vitin 2007 ka qenë duke punuar në “Raiffeisen Bank”, si këshilltare me klient, por që të akuzuarin Ahmeti nuk e njeh, por që i kujtohet si ish-klient i bankës.

“Shumica e klientëve më kujtohen, ky ka marrë kredi dhe ka pas xhirollogari në bankë. S’më kujtohet sa i ka marrë kredi e as koha kur i ka marrë. Është nxjerrë një listë e pengut nga kompjuteri i bankës dhe i është dhënë kredi marrësit që të plotësoj jashtë bankës, e ka plotësuar dhe e ka sjellë prapë në bankë”, deklarojë dëshmitarja Selmani.

Në pyetjen e prokurorit të rastit, Esat Ademi, se a e dinë nëse Gazmend Ahmeti e ka kthyer kredinë, dëshmitarja Selmani tha se nuk është në dijeni pasi sipas saj, në vitin 2012 e kishte lënë punën dhe nuk i kujtohet sa ka qenë kohëzgjatja e kthimit të kredisë.

Dëshmitari tjetër i propozuar nga prokuroria Ali Selimi, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Ademi, tha se gjatë vitit 2015 ka punuar si zyrtar ligjor në zyrën e përmbaruesit privat te Kushtrim Musa.

“Sa kam punu te Kushtrimi nuk e kam njoftë Gazmendin e as tani s’më kujtohet. Mua nuk më kujtohet që me përmbarim privat kemi shkuar në përmbarim bashkë me Kushtrim Musën”, shtoi dëshmitari Selimi.

Pas prezantimit nga ana e prokurorit Ademi të procesverbalit ku është dhënë nënshkrimi i dëshmitarit, i njëjti e pranoi se është nënshkrimi i tij, por që nuk i kujtohet.

“Kemi pas shumë raste të përmbarimit që kemi qenë të angazhuar, në momentin kur dalim në vendin e ngjarjes e verifikojmë se a është tjetërsu kolaterali apo jo, dhe për raste të mosrealizimit të përmbarimit ne as nuk paguhemi”, shtoi dëshmitari Selimi.

Në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega Kamenicë, ishte paraparë që të dëgjoheshin edhe dëshmitarët Murtez Limani, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhërarrest nga gjykata për të tretën herë, por që sipas njoftimit të gjykatësit të rastit Sadri Krasniqi, i njëjti nuk është gjetur nga ana e policisë, si dhe dëshmitari tjetër Refik Demi, i cili ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata, por sipas konstatimit të dorëzuesit të postës i njëjti ka refuzuar marrjen e ftesës.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve Shqipe Selmani dhe Ali Selimi, prokurori Ademi, u tërhoq nga propozimi për të sjell në gjykatë edhe dëshmitarin Murtez Limani si dhe dëshmitarit tjetër Refik Demi, të cilin propozim gjykatësi Krasniqi e miratoi me aktvendim, të cilin propozim nuk e  kundërshtoi as avokati Granit Mavriqi.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 12 tetor 2018, ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 10 mars 2016 nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 29 shkurt 2016, rreth orës 12:30, është konstatuar se në cilësinë e kredimarrësit, i akuzuari Gazmend Ahmeti, debitor ndaj “Raiffeisen Bank”, me qëllim të pengimit të realizimit të kërkesës pasurore, në shumë prej 4.820.00 eurosh, e ka dëmtuar kreditorin e bankës “Raiffeisen Bank”, në atë mënyrë që ka tjetërsuar pengun e lënë, përkatësisht sendet e luajtshme – inventari, dhe mallin në shumë prej 15.710.00 eurosh, sipas kolaritetit të kredisë së datës 20 nëntor 2007, i cili peng është dashur të shërbej për realizimin e kërkesës së kreditorit “Raiffeisen Bank”.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, i akuzuari Ahemti, me këtë ka kryer veprën penale “dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër”, nga neni 344 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.