Prokuroria kërkon dënimin e policit të akuzuar për deklarim të rremë nën betim

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë- Prokuroria ka kërkuar të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit i akuzuari Abdullah Zeqiri për veprën penale “Deklarim i rremë nën betim”, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit ka kërkuar lirimin e tij.

Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Avdullah Zeqiri po ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se në vitin 2014 ka dhënë deklarim të rremë nën betim.

Prokurorja Arbëresha Shala lidhur me këtë rast deklaroi se nga provat materiale të administruara  më së miri është  pasqyruar gjendja faktike në dispozitivin e kësaj aktakuze dhe lidhshmëria e kësaj gjendje faktike me kualifikimin ligjor të veprës penale.

Sipas saj, i akuzuari Zeqiri ka ndryshuar deklaratat e tij të dhëna, e kjo është vërejtur nga proces verbalet e seancave si dhe nga dëshmitarët e dëgjuar lidhur me rastin në fjalë.

E njëjta i propozoi gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe me rastin e përcaktimit të sanksionit penal të merr parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese që ia njeh ligji.

Si rrethana lehtësuese e njëjta theksoi: gatishmërinë e të pandehurit që t’i përgjigjet çdo ftese të prokurorisë dhe gjykatës si dhe faktin se vepra për të cilën është akuzuar Zeqiri ka ndodhur në tetor të vitit 2014 e që nga atëherë  ka kaluar një kohë mjaftë e gjatë.

Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Abdullah Zeqiri, avokati Naim Rudari fjalën e tij përfundimtare ia dorëzoi gjykatës më shkrim, ndërsa paraprakisht në përputhje me nenin 335 par.1 të KPPK-së komentoi shkurtë fjalën përfundimtare të prokurores së shtetit.

I njëjti deklaroi  se sipas tij Prokuroria asnjëherë nuk kishte potencuar se cili ishte deklarimi i vërtetë dhe cili ishte deklarimi i rremë i të akuzuarit Zeqiri dhe Prokuroria deri më tani nuk ka arrit të dëshmoi se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Në fjalën përfundimtare të dorëzuar në gjykatë, avokati Rudari ka potencuar se sipas tij “kjo aktakuzë nuk ka saktësi siç duhet të ketë ne rastin e nxjerrjes se një akti akuzues i cili është nxjerrë pas përfundimit të fazës së hetimit, pra një aktakuzë e tillë jo vetëm se nuk përmban dyshimin e bazuar mirë ashtu siç parashihet ligjërisht për tu ngritur aktakuza por e njëjta nuk ka përmbajt asnjëherë asnjë dyshim të bazuar”.

Tutje sipas fjalës përfundimtare e gjithë kjo procedurë e zhvilluar që nga dita e parë e pretendimit të ndodhjes së këtij rasti nuk dëshmohet dhe vërtetohet se Abdullah Zeqiri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

“Thënë të drejtën është vërtetuar se ai nuk ka kryer veprën penale që është akuzuar andaj me këtë rast kanë kërkuar  nga gjykata që të nxjerrë aktgjykim lirues nga nenin 364 par.1 nën par.1.3 I KPRK-së, pasi që nuk është provuar se I akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha Rudari

Fjalën përfundimtare të avokatit Rudari, deklaroi se e mbështet në tersi edhe i akuzuari Zeqiri.

I njëjti deklaroi se “betohem që kurrë në jetë nuk kam deklaruar rrejshëm, ndihem shumë keq edhe vetëm kur dëgjoj se po akuzohem për deklarim të rremë”.

Pas dhënies së fjalëve përfundimtare, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj konstatoi se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet të hënën, përkatësisht më 27 qershor të këtij viti.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Abdullah Zeqiri, më 8 tetor 2014, në seancën e shqyrtimit gjyqësor në procedurën penale të mbajtur në sallën e kinemasë “ABC”, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi që ka dhënë betimin solemnisht para kryetarit- trupit gjykues dhe duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për detyrimin e tij për të treguar të vërtetën, duke iu përgjigjur pyetjeve që lidheshin me transportimin e dhjetë personave të ndaluar nga qendra e ndalimit, ka deklaruar “unë madje nuk e kam ditur se kë po e shoqëronim…Unë vetëm e di se rreziku nuk ishte i lartë…Ne vet duhet të siguronim transportin dhe nuk kishin asnjë ide se ku po transportonim. Unë vetëm e pata një thirrje telefonike nga eprori… Kur e vlerësova atë gjatë shoqërimit, unë konsiderova se rreziku është mesatar…Nuk ishte një rast i ndjeshëm. Ishte një rast normal…”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka ndryshuar me dijeni deklaratën e tij duke fshehur pjesë nga dëshmia e tij e dhënë në cilësi  të dëshmitarëve, ashtu që duke iu shmangur deklaratës së tij të dhënë më 22 mars 2013, gjatë marrjes në pyetje në procedurën paraprake, para prokurorit të EULEX-it, ka deklaruar “…Ne jemi të vetëdijshëm me situatën që kemi në këtë vend dhe ne donim ta parandalonim diçka të keqe që mund të ndodhte,… sidomos kur kemi të bëjmë me anëtarët e etnitetit tjetër, ne na kërkojnë të jemi shumë vigjilentë…unë i udhëzova ata që kanë për t’i transportuar ata nga qendra e paraburgimit për në gjykatën për Kundërvajtje dhe unë i udhëzova ata që të jenë vigjilentë se asgjë e keqe nuk duhet të ndodh me ta…”.

I akuzuari po ashtu thuhet se kishte deklaruar se “Unë e emërova kreun e grupit dhe secili i di detyrat e tij… ata u quan në gjykatë… gjatë vizitës sime atje, unë nuk kam vërejtur asgjë të gabuar…mbaj mend që ai më tha se ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm  pasi ne kemi të bëjmë me transportimin e disa të burgosurve…ai më kërkoi për ta kryer këtë transportim siç duhet, ai tha me telefon dhe po ashtu erdhi për të më takuar mua personalisht. Ai është njeri që gjithmonë përpiqet të jetë konciz…”, me çka ka fshehur dhe shmangur çështjen relevante për procedurën penale që po zhvillohej.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Deklarim i rremë nën betim” nga neni 391, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personi e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë