Prokuroria kërkon dënimin e nëntë të akuzuarve për krim të organizuar me narkotikë, mbrojtja kërkon lirimin e tyre

IMG_8267
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Shkurt 22, 2021

Prishtinë – Të hënën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj nëntë të akuzuarve për krim të organizuar Xhevahir Suma, Adam Nezaj, Gëzim Krasniqi, Jasir, Fuat dhe Furkan Bardi, Hajrullah Bushi e Daut Suma si dhe ndaj të akuzuarit për shmangie nga tatimi, Burim Sejdiu.

Për shmangie nga tatimi akuzohej edhe Qershor Islami, ku pas veçimit të procedurës penale ndaj tij, i njëjti kishte pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Milot Krasniqi ka thënë se janë provuar të gjitha elementet e veprës penale të krimit të organizuar, për çka, gjykatës i ka propozuar që ndaj të pandehurve të shpall aktgjykim dënues.

“Me rastin e matjes së dënimit, gjykata duhet të ketë parasysh si rrethana rënduese faktin se të akuzuarit veprën penale e kanë kryer si grup i organizuar kriminal, me paramendim dhe me shkallë të lartë të dashjes dhe se kryerja e një vepre të tillë shkakton dëme të pariparueshme për shoqërinë në përgjithësi dhe për rininë në veçanti. Gjykata duhet të ketë parasysh edhe faktin që të gjithë të akuzuarit, pa përjashtim, janë kryes të veprave penale në të kaluarën”, deklaroi Krasniqi.

Lidhur me masën e paraburgimit ndaj nëntë të akuzuarve, prokurori Krasniqi i ka propozuar gjykatës që e njëjta tu vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga gjykata edhe konfiskimin e pasurisë së përfituar si rezultat i veprave penale të kryera nga të akuzuarit.

Ndërkaq, mbrojtësit e të akuzuarve i kanë kërkuar gjykatës që të bëj ri cilësimin e veprës penale, meqë sipas tyre, të njëjtit nuk kanë vepruar si grup kriminal i organizuar, si dhe i kanë kërkuar gjykatës që në mungesë të provave, ndaj të mbrojturve të tyre të shpallë aktgjykim lirues.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më 25 shkurt 2021, në ora 15:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2019,  nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), nga 3 tetori 2018 e deri më 9 shkurt 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga i akuzuari Xhevahir Suma, me qëllim të kryerjes së veprave penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge”, me role të ndara si anëtarë të grupit kriminal: i akuzuari Burim Sejdiu me detyrë që narkotikun e sjellë nga Republika e Shqipërisë ta sistemojë dhe mbajë në shtëpinë  e tij si dhe  në mobilierinë “Niti”, në të cilën kishte për detyrë sistemimin e narkotikëve edhe Gëzim Krasniqi, i akuzuari Adam Nezaj, me detyrë që narkotikun ta sjell nga Shqipëria në Kosovë tek i akuzuari Sejdiu, i akuzuari Zylbehar Kalisi me detyrë që narkotikun ta sistemojë në shtëpinë e tij dhe të bashkudhëtojë me automjet që transporton narkotikët, ndërsa të akuzuarit Jasir, Fuad dhe Furkan Bardi, Daut Suma dhe Hajrullah Bushi si vozitës të automjeteve që transportonin narkotikët nga Republika e Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo vëzhgohej rruga gjatë transportit me qëllim të shmangies së patrullave policore të këtyre dy vendeve.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit të paktën katër herë transportuan apo tentuan të transportojnë  sasi të madhe të narkotikut të llojit marihuanë në Republikën e Maqedonisë Veriore, ashtu që  më 3 tetor 2018, tentuan të transportojnë 108 kg, duke kaluar ilegalisht kufirin dhe pasi u diktuan nga policia kufitare e RKS-së e hodhën nga automjeti narkotikun dhe pastaj hynë në territorin e Maqedonisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 17 janar 2019, i akuzuari Nezaj ka transportuar marihuanë në sasi prej 75 kg nga Shqipëria për në shtëpinë e Sejdiut, ndërsa më 31 janar për në të njëjtin vend ka transportuar sasinë prej 150kg marihuanë.

Siç thuhet në aktakuzë më 19 janar 2019 dhe 8 shkurt 2019, të akuzuarit kishin transportuar gjithsej 250 kg marihuanë nga Kosova në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përmes vendkalimit kufitar në Han të Elezit dhe ua shitën personave të panjohur.

Sipas aktakuzës, më 8 shkurt 2019, pasi në shtëpinë e të akuzuarit Burim Sejdiu, në fshatin Papaz, ngarkuan 253 paketime marihuanë në peshë të përgjithshme prej 241,33 kg, me qëllim të dërgimit për shitje në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por pasi u njoftuan nga i akuzuari Xhevahir Suma për patrullën e policisë në rrugë, e me kërkesë të akuzuarit Suma, të akuzuarit Jasir dhe Zilbehar, parkuan automjetin “Vë Sharan”, të ngarkuar me narkotik në parkingun e restorantit “Liburna” në Kaçanik për të vëzhguar kohë pas kohe anëtaret e grupit kriminal dhe marrë nga aty të nesërmen më 9 shkurt 2019, sasinë prej 223 paketimeve në peshë prej 209,202 kg duke e  dërguar së pari në shtëpinë e të akuzuarit Sejdiu, në fshatin Papaz e prej aty në mobilierinë “Niti”, ku e fshehën në dy shtretër ku gjatë bastisjes u gjeten dhe sekuestruan nga ana e policisë ndërsa 30 paketimet me peshë të përgjithshme prej 21,131 kg, i fshehën në katër thasë që po ashtu u gjeten më 13 shkurt 2019, dhe u sekuestruan nga policia.

Me çka, në bashkëveprim Xhevahir Suma akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i organizuar”, nga neni 283 par 2 lidhur me par. 1 me nenin 281 par. 1, nën par 1.9 të nenit 273 par. 2 i KPK-së.

Ndërsa, të akuzuarit Burim Sejdiu, Adam Nezaj, Gëzim Krasniqi, Jasir Bardi, Fuad Bardi, Furkan Bardi, Daut Suma dhe Hajrullah Bushi, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Krim i Organizuar” nga neni 283 paragrafi 1, lidhur me nenin 281 nënparagrafi, 1.9 lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 par. 2 dhe 1 të KPK-së.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës Burim Sejdiu, akuzohet për veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307 par. 1 të KPK-së, i cili me qëllim që ti shmanget pagesës së tatimeve apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, me paraqitjen e të dhënave të pa vërteta duke zhvilluar aktivitetin e tij biznesor në cilësinë e personit të autorizuar të biznesit “Burimi Trade” sh.p.k. në periudhën kohore 2014-2018, duke mos i përmbushur në tersi detyrimet ligjore për dokumentit e shitjeve siç kërkohet me legjislacionin tatimor nga rrjedh se ka bërë shmangie nga tatimi duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën totale prej 5.945,30 euro.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës Qershon Islami akuzohet për veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 307 paragrafi 1 i KPK-së, i cili me qëllim që t’i shmanget pagesës së tatimeve apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, ku sipas aktakuzës, me paraqitjen e të dhënave të pavërteta, duke zhvilluar aktivitetin e tij biznesor në cilësinë e pronarit të “IQ Global” sh.p.k, në periudhën kohore 2014-2018, duke mos e përmbushur në tersi detyrimin ligjor ashtu që gjatë aktivitetit të tij është vërtetuar se të hyrat e deklaruara i ka pasur më të vogla se transaksionet bankare të realizuara nga rrjedh se ka bërë shmangie nga tatimi duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumën totale prej 4,783.01 euro. /BetimipërDrejtësi