Prokuroria kërkon dënimin e ndihmës-referentit të Gjykatës në Prishtinë, mbrojtja lirimin e tij

80127187_428565974690972_7421322300550545408_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Dhjetor 12, 2019

Gjilan – Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar që ndihmës-referenti i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Baki Rrahmani, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim pozite, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë, e ka dhënë prokurorja Merrushe Rukiqi, në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Rukiqi, në fjalën e saj përfundimtare ka deklaruar se pas administrimit të të gjitha provave në të gjitha seancat e shqyrtimit gjyqësor, prokuroria konsideron se janë vërtetuar faktet se i akuzuari Rrahmani, i ka kryer veprat penale me të cilat akuzohet, ashtu siç janë të përshkruar në dispozitiv të aktakuzës.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ahmet Gjinovci, në fjalën e tij përfundimtare, deklaroi se si mbrojtës konsideron se me provat e administruara në shqyrtimet gjyqësore, në asnjë moment nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale, për të cilat akuzohet sipas aktakuzës së prokurorisë.

“Mendoj se prokuroria si provë të vetme është bazuar në deklaratën e të dëmtuarit Alji Sadrija. Deklarata e këtij dëshmitari nuk duhet t’i falet besimi. Nuk është kontestuese se te i mbrojturi im janë gjetur dhjetë euro, por është vërtetuar se ato nuk i ka marr në emër të ryshfetit, por vet dëshmitari ato ia ka lënë për pagesën e ndonjë kafeje. Andaj, kërkojmë nga trupi gjykues që të mbrojturin tim ta lirojë nga akuza”, ka thënë avokati Gjinovci.

Ndryshe, para se të thuheshin fjalët përfundimtare të palëve, trupi gjykues i udhëhequr nga kryetari Zyhdi Haziri, ka marrë vendim që të shikohet video-incizimi ku pretendohet se i akuzuari i ka marrë të hollat nga i dëmtuari Alji Sadrija.

Po ashtu, në seancën e së enjtes ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari Baki Rrahmani.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Ahmet Gjinovci si dhe prokurores Merrushe Rukiqi, i akuzuari Rrahmani ka mohuar të ketë marrë ryshfet nga i dëmtuari Alji Sadrija.

Ai ka thënë se është takuar më të dëmtuarin në një spital në Podujevë, dhe sipas tij i dëmtuari i kishte treguar atij për një lëndë gjyqësore që e kishte në Gjykatën e Prishtinës, dhe se ai ia kishte kërkuar numrin e telefonit vetëm për ta udhëzuar për në gjykatë.

Tutje, ai ka mohuar se i kishte marrë të dëmtuarit dhjetë euro paraprakisht, por se ai ka thënë se dhjetë të tjera i dëmtuari atij ia kishte dhënë pa ia kërkuar, sipas tij, “për ndonjë kafe”.

I akuzuari ka thënë se është pishman se i kishte marrë ato të holla, por që sipas tij i dëmtuari vetëm i kishte lëshuar dhjetë euro në tavolinën e një lokali ku kishin dal për kafe, dhe kishte ikur nga aty menjëherë, dhe se për këtë gjë ai tha se ka gabuar.

“I dëmtuari m’i ka dhënë dhjetë euro në tavolinë, unë i kam marrë dhe i futa në xhep. Nuk e kam kushtëzu as me zor, por për qef më tha po du me t’i dhanë qeto dhjetë euro për kafe”, ka thënë i akuzuari.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, shpalljen e aktgjykimit në këtë rast e ka caktuar të bëhet më 16 dhjetor 2019, në ora 9:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ngritur më 8 prill 2019, Baki Rrahmani, akuzohet se më 15 shkurt 2019, në brendësinë e objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar-ndihmës-referent i ekzekutimeve në këtë gjykatë, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar dhe marrë ryshfet, para në shumën prej 20 euro nga i dëmtuari Alji Sadrija, i cili ka qenë i akuzuar për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

Sipas organit të akuzës, i pandehuri Rrahmani, shumën prej 20 euro e ka marr ryshfet pasi që paraprakisht disa herë kishte pasur kontakte komunikimi përmes telefonit me Alji Sadrija dhe me të njëjtin janë takuar më 15 shkurt 2019, në një kafene afër QKUK-së në Prishtinë, dhe pas një bisede, i pandehuri Rrahmani, ka marrë shumën prej 10 euro.

Gjithmonë sipas aktakuzës, më 21 shkurt 2019, rreth orës 17:30, në lokalin “Pranvera”, në Podujevë, i pandehuri Rrahmani është takuar me të dëmtuarin Sadrija, dhe ka marrë para ryshfet në vlerë prej 10 euro, në mënyrë që i pandehuri pasi që është person zyrtar në këtë gjykatë, të bisedojë me gjyqtaren dha ta lirojë nga akuza.

Po ashtu, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Rrahmani, më 15 shkurt 2019, gjatë orarit të punës ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, duke i tejkaluar kompetencat e tij, më qëllim të përfitimit pasuror për vete, ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare, ashtu që me dashje duke qenë plotësisht i vetëdijshëm dhe duke i kuptuar sjelljet e tij në raport me veprimin e tij të kundërligjshëm, ka marrë shumë të parave prej 20 euro nga i dëmtuari Alji Sadrija, në mënyrë të përshkruar si më lartë.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i njëjti, ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi 1 dhe “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipëDrejtësi