Prokuroria kërkon dënimin e mjekut që akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Rasti Hajriz Derguti - 15.04.2019
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Prill 15, 2019

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Hajriz Dërguti po akuzohet për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Prokurori Remzush Latifi, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar pas administrimit të provave është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë.

Prokurori Latifi, i ka propozuar gjykatës që pas analizimit dhe vlerësimit të provave, të akuzuarin Dërguti ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Veton Rrecaj, ka deklaruar se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se paraqet kërkesë pasurore juridike.

Rrecaj fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim dhe të njëjtën e ka elaboruar në pika të shkurta.

Ai tha se në bazë të provave të administruara në mënyrë të plotë është vërtetuar inkriminimi  i të akuzuarit në raport me veprën penale për të cilën është ngarkuar.

Rrecaj tha se gjendja faktike sa i përket dëmtimit të rëndë të shëndetit të të miturit T.G, ishte vërtetuar edhe nga prezenca e tij në seancën gjyqësore të mbajtur më 2 tetor 2018, me ç’rast gjykatësja Lindita Jakupi kishte kërkuar të largohej për shkak të gjendjes shëndetësore.

Avokati Rrecaj tha se të dëmtuarit janë të vetëdijshëm se në veprimet e të akuzuarit nuk ka pasur dashje direkte dhe motiv, mirëpo tek i njëjti është manifestuar elementi esencial i veprës penale, “dashja eventuale”, e cila sipas Rrecajt, ka qenë e ndëshkueshme në kohën e kryerjes së veprës penale nga i akuzuari Dërguti.

Andaj, i njëjti gjykatës i ka propozuar që me rastin e vendosjes së aktgjykimit të bëj rikualifikimin e veprës penale duke e shpallur fajtor të akuzuarin për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 219 par.4 lidhur me par.1 dhe lidhur me nenin 15 par.3 të ish-KPK-së.

Fjalën përfundimtare të përfaqësuesit të tyre e kanë mbështetur në tërësi edhe prindërit e të miturit T.G, Vjollca Gashi dhe Naim Govori.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Dërguti, avokati Ramë Gashi në fjalën përfundimtare, ka deklaruar se në aspektin formal ligjor një aktakuzë e tillë është e kundërligjshme me arsyetimin se  kallëzimi penal në këtë çështje penale ishte paraqitur pas më shumë se 5 vite  nga dita kritike dhe se Prokuroria nuk ka respektuar dispozitën ligjore për afatin e hetimit dhe afatin e ngritjes së akuzës.

Sipas avokatit Gashi, vendimi më i drejtë për zgjidhjen e kësaj çështjeje penale është lirimi i të mbrojturit të tij, pasi që nuk është provuar se ai ka kryer veprën penale me të cilën ai ngarkohej.

“Mbrojtja vlerëson se gjendja faktike e dalë nga shumë seanca dhe të gjitha provat e administruara para gjykatës, pa mëdyshje qon në përfundim të qartë dhe të besueshëm se aktakuza nuk e ka vërtetuar pretendimin e saj dhe se vendimi i drejtë dhe i mundshëm, që drejtësia mund të merr lidhur me aktakuzën është lirimi i zotit Dërguti nga aktakuza në mungesë të fakteve se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet si në aktakuzë” tha avokati Gashi.

Avokati Gashi tha se nuk ka prova që dëshmojnë se i akuzuari Dërguti ditën kritike me dashje ka shkaktuar lëndim duke dëmtuar të porsalindurin me lëndime të natyrës siç pretendon aktakuza.

I akuzuari Dërguti, ka mbështetur në tërësi fjalën përfundimtare të dhënë nga i mbrojturi i tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e këtij aktgjykimi do të bëhet më 17 prill 2019  në ora 8:45.

Sipas aktakuzës, së ngritur më 31 gusht 2016, në QKUK, në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike në Prishtinë, më 13 korrik 2008, specialisti i gjinekologjisë, i akuzuari Hajriz Dërguti kishte përdorur metodë të papërshtatshme të mjekimit dhe gjatë lindjes së të dëmtuarit T.G, i kishte shkaktuar lëndime të rënda në regjionin e kokës dukë ia dëmtuar rëndë shëndetin.

Në aktakuzë thuhet se këto dëmtime më vonë ishin konstatuar gjatë kontrollimeve mjekësore sepse me rastin e lëshimit të fëmijës nga klinika dëmtimet nuk ishin shënuar në fletë lëshim.

Prokuroria të akuzuarin Dërguti e ngarkon me veprën penale “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, sipas nenit 219 paragrafit 4, lidhur me paragrafin 1, të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi