Prokuroria kërkon dënimin e kryetarit të Novobërdës, ky i fundit kërkon t’i shqiptohet vetëm vërejtje

85064375_855002164950564_5422873236037697536_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shkurt 14, 2020

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar që kryetari i Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për keqpërodrim të pozitës zyrtare.

Ivanoviq akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e Komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune, me të cilin veprim pretendohet se i njëjti i ka shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, gjatë fjalës përfundimtare, prokurori Arben Kadriu deklaroi se është vërtetuar gjendja faktike dhe fajësia e të akuzuarit Ivanoviq.

Sipas tij, gjatë shtjellimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve janë vërtetuar faktet relevante se i akuzuari, në cilësinë e kryetarit të komunës, ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

“I akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënim meritor, duke marrë parasysh rrethanat rënduese ndaj tij, shkalla e rrezikshmërisë si dhe dëmi i shkaktuar Komunës së Novobërdës”, ka thënë prokurori Kadriu.

Ndërkaq, i akuzuari Svetisllav Ivanoviq, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se ai edhe më herët e ka cekur se çështja e gjuetisë në komunën që ai drejton është problematike tash e 15 vjet.

Ai ka kërkuar nga gjykata që atij t’i shqiptohet vetëm vërejtje, që në të ardhmen të jetë më i kujdesshëm.

“Unë nuk kam kurrfarë faji në këtë aspekt, dhe këtë e kam bërë në interes të qytetarëve. Kjo ka qenë aq konfuze, mendoj që gjithë procesi gjatë gjykimit, më së paku unë kam qenë i kyçur në të, e të gjithë janë kyçur, njerëzit në resor të caktuar. Këto zyre janë lëshuar edhe më herët sa unë s’kam qenë kryetar, organizatave ndërkombëtare e lokale.  Me gjithë respektin, do t’ju jap juve të drejtën që çfarëdo vendimi që me jepni, unë do ta respektoj”, ka thënë i akuzuari.

Shpalljen e aktgjykimit në këtë rast, kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi, e ka caktuar për19 shkurt 2020, në ora 15:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2018, pretendohet se më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i akuzuari si person zyrtar, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja” ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve “Ujku”, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune.

Me një veprim të tillë, prokuroria pretendon se i njëjti i ka shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 euro.

Ndryshe, në mars të vitit 2017, Gjykata Themelore në Gjilan, e kishte dënuar me 4,500 euro gjobë kryetarin e Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, me arsyetimin se ai ishte gjetur fajtor në një rast tjetër, për dy vepra tjera penale, atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt të interesit. /Betimipërdrejtësi