Prokuroria kërkon dënimin e ish-drejtorit të Pallatit të Rinisë, ai kërkon lirim nga akuza

bajram uka
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shkurt 11, 2019

Prishtinë – Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar dënimin e ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Bajram Uka, i cili akuzohet se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare, ndërsa ky i fundit ka kërkuar lirimin nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fjalët përfundimtare nga palët në procedurë janë paraqitur në seancën e së hënës, në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Bajram Uka, i cili akuzohet se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi sipas prokurorisë, ai kishe lejuar shkollën amerikane, përkatësisht pronarin e saj ta shfrytëzojë amfiteatrin në sipërfaqe prej 483 m2, e cila nuk ka qenë në ofertë publike që të lëshohet me qira.

Prokurori Rafet Halimi, ka dorëzuar fjalën përfundimtare me shkrim gjatë kësaj seance.

Ai ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor duke u bazuar në provat materiale të siguruara dhe të administruara është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit janë manifestuar elementet e veprës penale që i vihen në barrë.

Sipas tij, kjo vërtetohet nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat në shkresa të lëndës.

Ai ka thënë se vlerëson se i akuzuari me dashje dhe në vazhdimësi ka kryer veprën penale që i vihet në barrë dhe i ka propozuar gjykatës ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Sipas tij, gjykata duhet të marr si rrethanë rënduese përgjegjësinë penale dhe pasojën e shkaktuar.

Edhe Bajram Uka, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruar.

Ai ka thënë se e konsideron veten të pafajshëm dhe se prokuroria në asnjë moment nuk ka mundur të argumentojë fajësinë e tij gjatë këtij procesi.

“E ndjej veten shumë të pafajshëm”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se ka punuar në mënyrën më të mirë e më të ndershme dhe se rezultatet nuk kanë munguar kurrë.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast pritet të bëhet më 14 shkurt, me fillim nga ora 9:00.

Sipas aktakuzës, Bajram Uka në vazhdimësi nga viti 2006 e deri në vitin 2013, si person zyrtar, ushtrues detyre i Drejtorit të Pallatit të Rinisë, kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorur pasurinë e Qeverisë së Kosovës, e cila pasuri ishte nën përkujdesen e tij.

Prokuroria pretendon se këtë e kishte bërë me qëllim që të përfitojë institucioni shkollor “American School of Kosova”.

Sipas prokurorisë, i pandehuri e kishe lejuar shkollën amerikane, përkatësisht pronarin e saj ta shfrytëzojë amfiteatrin në sipërfaqe prej 483 m2, sipërfaqe e cila nuk ka qenë në ofertë publike që të lëshohet me qira. /BetimipërDrejtësi