Prokuroria kërkon dënimin e inspektorit të pylltarisë në Kaçanik të akuzuar për korrupsion, ky i fundit lirimin nga akuza

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj- Në fjalën përfundimtare në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, prokurorja Sebahate Sinani ka kërkuar dënimin e inspektorit të pylltarisë në Kaçanik, Feriz Deda, për akuzën për korrupsion, ndërsa ky i fundit kërkoi lirimin nga akuza.

Fillimisht, në këtë fazë të procedurës prokurorja Sebahate Sinani nuk pati propozime për plotësim të provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe nga prokurorja, i akuzuari Deda tha se ka propozime për plotësimin e provave.

“Kërkoj nga trupi gjykues që të shikohen kamerat e sigurisë në qytetin e Kaçanikut të datës 23 prill 2020 në periudhë kohore nga ora 10:00 deri 11:00, të cilat pamje vëzhgohen nga stacioni policor në Kaçanik”, ka propozuar i akuzuari.

Sipas tij, në bazë të këtyre kamerave të sigurisë do të vërtetohet se ai nuk ka qenë prezent në momentin kur është liruar kamioni nga autoparku.

Propozimin e tillë e ka kundërshtuar prokurorja Sinani, e më pas e ka refuzuar dhe kryetarja e trupit gjykues Kadrije Goga Lubishtani, me arsyetimin se kjo rrethanë është dëshmuar mjaftueshëm nga dëshmitari Remzi Deda.

Tutje, prokurorja Sinani në fjalë përfundimtare deklaroi se nga të gjitha provat e administruara është vërtetuar gjendja faktike siç përshkruhet në aktakuzë.

E njëjta nga gjykata ka kërkuar të mos ia falë besimin të akuzuarit, ta gjejë dhe ta shpallë fajtor për veprën penale që i vihen në barrë.

Prokurorja Sinani po ashtu gjykatës i propozoi që ndaj të akuzuarit të shqiptojë dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit.

Ndryshe, i akuzuari Deda nga gjykata kërkoi që të lirohet nga kjo akuzë që sipas tij është i pafajshëm.

“Unë jam i pafajshëm, qëllimi im ka qenë që siç është rregulli jonë të ndalohet masa drunore, kurse kamioni të lirohet. Kjo masë drunore është e rregulluar me vet faktin kur është bërë fotografimi dhe matja e këtyre drunjve sipas rregullave të cilat i udhëheqi unë si inspektor i pylltarisë”, ka thënë i akuzuari Deda në fjalën përfundimtare

Pas kësaj, gjykatësja Goga-Lubishtani konstatoi se çështja është shqyrtuar mjaftueshëm, andaj edhe e shpalli të përfunduar gjykimin për këtë çështje.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u caktua të bëhet më 24 qershor 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 3 korrik 2020, nga Prokuroria Themelore në Ferizajt, Feriz Deda po akuzohet se më 23 prill 2020, në Kaçanik, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Pylltarisë në Komunën e Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për personin tjetër, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, kishte tejkaluar kompetencat dhe me dashje e kishte shkelur ligjin lidhur me detyrat apo punësimin.

Aktakuza thotë që në ditën kritike, i kishte mundësuar personit Jeton Bruti që të tërheq kamionin dhe drunjtë e ngarkuara në të, të cilat iu kishin sekuestruar paraprakisht nga policia, duke urdhëruar rojën e autoparkut, Remzi Demën, që të njëjtit t’ia lirojë kamionin së bashku me drunjtë, pa i ofruar kurrfarë dokumentacioni dhe pa kurrfarë baze ligjore për lirimin e të njëjtave.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nënparagrafin 3.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë