Prokuroria kërkon dënimin e inspektorit të KPMM-së, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Lc
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 16, 2018

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të hënën, është dhënë fjala përfundimtare në rastin e kthyer në rigjykim ndaj inspektorit të Komisionit të Minierave dhe Mineraleve, Lulzim Çitaku, i cili akuzohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti”.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, në fjalën përfundimtare, të cilën ia dorëzoi gjykatës më shkrim, para elaborimit, lëshoi në seancë të gjykimit audio-incizimin nga përgjimi i bisedës ndërmjet të akuzuarit Lulzim Çitaku dhe tashmë të dënuarit, Nuredin Bislimi.

Prokurorja Gashi, tha se përmes përgjimeve dëgjohet në tërësi se Lulzim Çitaku e merr timonin e planifikimit të agjendës në ditën kritike.

Sipas prokurores i akuzuari Çitaku, bashkë me Nuredin Bislimin, fillimisht i kanë gjobitë pronarët e seperacioneve, të cilët më pas, këto gjoba, i kanë përdorë si shantazh për t’i detyruar të njëjtit që të paguajnë ryshfet apo benefite tjera.

Ajo i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor, të gjykojë sipas ligjit dhe ta detyrojë në kompensimin e shpenzimeve të procedurës penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Çitaku, avokati Mahmut Halimi, deklaroi se me asnjë provë nuk është provuar që klienti i tij, t’i ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet, duke i propozuar gjykatës që të nxjerr aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

Prokuroria pretendimet e saj, sipas Halimit, kryesisht i bazon në deklaratën e dëshmitarit – të dëmtuarit Bedri Elezaj, të cilat deklarata sipas tij, nuk mund të përdoren si provë e drejtpërdrejtë  në shqyrtim gjyqësor.

“Me këtë dua ta ja rikujtoj prokurorit se në mbështetje të dispozitës së nenit 123 par.2 deklaratat e këtij dëshmitari përkatësisht të dëmtuarit të siguruara gjatë marrjes në pyetje në procedurë paraprake, nuk mund të përdorën si provë e drejtpërdrejtë në shqyrtim kryesor, por vetëm përdorën gjatë marrjes së tërthortë në pyetje, për vënien në dyshim të dëshmitarëve”, ka thënë avokati Halimi.

Kurse, sa i përket dëshmisë së dëshmitarit –oficerit të policisë Agim Haliti, i cili ka bërë bartjen e bisedave të përgjuara telefonike të zhvilluara në mes tani të gjykuarit Nuredin Bislimi dhe këtu të akuzuarit Çitaku, mbrojtësi Halimi deklaroi se pas krahasimit të përmbajtjes së transkriptit me CD e audio-incizimeve, del një dallim i madh në mes asaj që flitet dhe përmbajtjes së transkriptit.

“Nga përmbajtja lirisht mund të themi se nuk bëhet fjalë për ndonjë lëshim teknik pa dashje si pasojë e zërit të dobët ose defekteve teknike të incizimeve por kryekëput një qëllim të pandershëm dhe tendencioz ndaj të akuzuarit Çitaku”, tha ai.

Meqenëse, nuk pati propozime tjera, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 18 korrik 2018, në ora 15:00.

Lulzim Çitaku akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), më 8 nëntor 2013, rreth orës 14:15, në fshatin Gremnik të Komunës së Klinës, përfiton për vete në atë mënyrë që pas marrëveshjes të një nate më herët tani me të dënuarin Nuredin Bislimi, shkojnë në vendpunishten e dëshmitarit Bedri Elezaj dhe derisa i dënuari Bislimi, i merr të hollat prej 1000 euro nga dëshmitari Elezaj, i pandehuri Çitaku, kontrollon terrenin se mos është duke i vëzhguar dikush.

Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se gjatë periudhës 2011, deri më 8 tetor 2013, në regjionin e Pejës, Klinës, Deçanit e Gjakovës, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete, kërkon nga pronari i operatorit “Ndërtimi, Gëzon Berisha, “Benita Compani”, me pronar Naser Kalludra, “Ermali”, me pronar Jeton Aliqkaj, e vëllezërit Podrimja nga Gjakova, ta qerasin me darka e dreka nëpër lokale të ndryshme, për të mos u shqiptuar gjoba për operimin e të njëjtave pa licencë ose jashtë licencës së lëshuar nga KPMM-ja.

Sipas kësaj, i pandehuri, akuzohet se ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Lidhur më këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Pejë, më 23 shtator 2015, ka shpallur të pafajshëm të pandehurin Çitaku, për shkak se nuk është provuar se ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Kundër këtij aktgjykimi, më 1 dhjetor 2015, ka paraqitur ankesë Prokuroria Themelore në Pejë, për siç thuhet, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke i propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë dënim maksimal.

Gjykata e Apelit, me aktvendimin e saj më 20 shtator 2016, sipas ankesës së Prokurorisë dhe sipas detyrës zyrtare, e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështjen penale e ka kthyer në rigjykim.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi, thuhet se Gjykata e Apelit, në pajtim më nenin 394 par. 1, duke e shqyrtuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas pretendimeve ankimore dhe sipas detyrës zyrtare, ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 327 të KPP-së, kur i akuzuari nuk e pranon fajësinë për pikat e aktakuzës dhe i akuzuari është marrë në pyetje në kundërshtim me dispozitat e nenit 345 par.1 të KPP, ngase marrja në pyetje e të akuzuarit bëhet pas paraqitjes dhe prezantimit të provave, në rastet kur i pandehuri nuk e pranon fajësinë.

Tutje, dispozitivët e aktgjykimit nën I dhe II, sipas Apelit, janë të paqarta, të pakuptueshme lidhur me faktet vendimtare dhe gjykata nuk ka dhënë arsye të qarta lidhur me drekat dhe darkat të cilët të dëmtuarit Gëzon Berisha, Naser Kalludra, Jeton Aliqkaj, vëllezërit Podrimja, e qerosin të akuzuarin Lulzim Çitaku, duke shtuar se Themelorja nuk vërteton se sa ka qenë vlera e atyre darkave të shtruara nga ana e të dëmtuarve