Prokuroria kërkon dënimin e dy zyrtarëve doganorë, të akuzuarit mohojnë akuzat

Fitore
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Korrik 13, 2018

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar dënimin e dy zyrtarëve doganorë, Radica Saviq dhe Ismet Shabani, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Saviq e Shabani akuzohet se në cilësinë e zyrtarëve doganorë në pikë kalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare.

Ky rast është i kthyer në rigjykim.

Të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan, është dhënë fjala përfundimtare në kërë rast, ku prokurori Shaban Spahiu, ka kërkuar që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Sipas prokurorit dy të akuzuarit duhet të dënohen, pasi sipas tij, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumën prej 9551 euro.

“Është shkaktu fitim pasuror për firmën NTP “Rendimenti” me pronar Baki Alimi, në lartësinë prej 9551 euro, përkatësisht dëm material për buxhetin e Kosovës po në këtë lartësi, dhe ky dëm është kalkuluar në bazë të shënimit zyrtar të policisë hetuese nga fatura e furnizimit duke siguruar dhe krahasuar çmimin e furnizimit me atë të shitjes”, ka thënë prokurori Spahiu.

Ai ka thënë se pas administrimit të provave, deklaratave të tyre në polici dhe para prokurorisë, si dhe dëgjimi i dëshmitarëve, sipas tij, dëshmohet se ata kanë pasur obligim të bëjnë kontrollimin e mallit dhe të ndalojnë importimin e dy llojeve të pesticideve “Galation” dhe “Foxin”, të cilat produkte janë të ndaluar për Kosovë.

“Për Radica Saviq vërtetohet bindshëm se Dokumenti Unik Doganor – DUD me numër 1509, i datës 7 Mars 2011 e që është dëshmuar se të dhënat në këtë dokument nuk janë përputhë me të dhënat bruto sanitare, meqë në këtë dokument unik ka qenë e shënuar pesha prej 5680 kg, ndërsa kësaj në vendimin fito-sanitar iu është shtu pesha edhe për 18000 kg. Kurse, e pandehura nuk i ka kontrolluar duke i anashkaluar autorizimet e saj”, ka thënë prokurori.

Për të akuzuarën Saviq, ai ka thënë se edhe deklarata e saj dhënë  në polici ku në datën kritike ka deklaruar se e ka shikuar atë dokument, kurse nuk e ka bërë krahasimin me dokumentin fito-sanitar dhe me DUD-in edhe pse pohon se ka qenë detyrë e saj, sepse të njëjtin dokument, sipas tij, e ka vulosur.

“Por ajo sot e mohon këtë duke thënë se ketë e bëjnë kolegët e tjerë”, ka thënë prokurori.

Ndërsa, për të akuzuarin, inspektorin fito-sanitar të Doganës, Ismet Shabani, prokurori Spahiu tha se ka pas për detyrë kontrollimin e mallit pasi që i njëjti ka pasur një listë të mallit në të cilën shënon se janë 227 lloje të produkteve të lejuara, dhe në atë listë nuk figurojnë dy llojet e pesticideve “Galation” dhe “Foxin”.

Kurse, dy të akuzuarit edhe njëherë kanë mohuar akuzat me të cilat i ngarkon prokuroria.

Ata kanë thënë se janë të pafajshëm, duke kërkuar lirimin nga kjo akuzë.

“Unë nuk kam pas rast që të vërej se diçka nuk është në rregull, por e kam për obligim të bëjë verifikim e gjendjes. Malli në rastin konkret është kontrolluar nga inspektori dhe nuk e di se a është vulosur nga ana e inspektorit. Krahasimin e mallit në faturë dhe të mallit në ngarkesë në maune nuk është obligim i imi, por i kolegëve dhe këto punë i kemi të ndara. Kjo është mbrojtja ime dhe nuk kam tjetër çka të shtoj”, tha e akuzuara Radica Saviq.

Ndërsa, i akuzuari, inspektori fito-sanitar, Ismet Shabani tha se në aplikacionin e Doganës janë vetëm tre rubrika dhe nuk specifikohet lloji, dhe se e kishte shkruar vetëm pesticide.

“Për shkak të kushteve të të gjitha terminaleve, unë e kam shiku vetëm mallin që ka qenë në paketa, dhe meqë kanë qenë pesticide, unë nuk kam hy brenda se është e rrezikshme, por e kemi verifiku se mos ka pas rrjedhje dhe kam verifikuar se rrjedhje nuk ka pas”, ka thënë i akuzuari Shabani.

Në këtë shqyrtim gjyqësor nuk prezantuan përfaqësuesi i Doganës së Kosovës  dhe ai nga avokatura shtetërore, ndonëse u tha se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 16  korrik 2018, në ora 15:00.

Gjykata Themelore në Gjilan, në dhjetor të vitit 2016, kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, tani të akuzuarit Saviq dhe Shabani.

Mirëpo, prokurori i çështjes Shaban Spahiu, kishte atakuar këtë aktgjykim të Themelores dhe pas shqyrtimit të lëndës në shkallë të dytë, Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar këtë aktgjykim dhe në qershor 2017, ka kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas aktakuzës,  Radica Saviq po akuzohet se më 7, 8 dhe 13 mars 2011, në pikën doganore “Dheu i Bardhë”, ka keqpërdor pozitën e saj zyrtare, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka vërtetuar Dokumentacionin Unik Doganor “DUD”.

Veprën penale, e njëjta pretendohet se e ka kryer në atë mënyrë, që nuk janë përputhur të dhënat me të dhënat bruto sasiore në vendimet fito-sanitare, ashtu që në Dokumentin Unik  Doganor “DUD”, ka qenë e shënuar pesha totale  prej 5,860 kilogram për pesticide “Foxin”, ndërsa në vendimin fito-sanitar pesha është shtuar 18,000 kilogram dhe me këtë i është mundësuar një fitim i kunërligjshëm pasuror në shumën prej 9,551euro të akuzuarit Baki Alimi.

I akuzuari i dytë Ismet Shabani, gjithashtu po pretendohet se ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lëshuar vendime fito-sanitare për artikullin pesticide, pa definuar llojin e pesticideve, pasi disa lloje janë të ndaluara në listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve, duke i mundësuar të akuzuarit Baki Alimi që në emër të këtyre vendimeve t’i vë në lajthim organet doganore, duke importuar pesticide të llojit “Galation” dhe “Foxin”.

Ndryshe, së bashku me tani të akuzuarit Saviq e Shabani, në këtë rast ka qenë i përfshirë edhe Baki Alimi, i cili akuzohej për tregti të ndaluar.

Mirëpo, për këtë të fundit, në seancën e 8 shkurtit, është refuzuar akuza, pasi që ishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për veprën e lartcekur.

Ai, akuzohej se gjatë vitit 2011, në ndërmarrjen e tij  NTP “Redimenti”, pa autorizim ka shitur dhe ka blerë mall, qarkullimi i të cilave ka qenë i ndaluar me ligj, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka futur në qarkullim pesticide të llojit “Galation” dhe “Foxin” në peshë prej 23860 kilogram, të cilat produkte janë të ndaluar për Kosovë.