Prokuroria kërkon dënim më të ashpër për të akuzuarin për narkotikë, mbrojtja pret zbutjen e dënimit

Lavdim Bajraktari - Rasti Labinot Shabi - 11.06.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Qershor 11, 2019

Prishtinë – Ndryshimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Labinot Shabi, ishte shpallur fajtor për posedim dhe shitje të narkotikëve dhe ishte dënuar me 36 muaj burgim dhe 3000 euro gjobë, po kërkojnë Prokuoria Themelore në Prishtinë si dhe mbrojtja e të akuzuarit.

Derisa, mbrojtja po pret që pas vlerësimit të rrethanave lehtësuese t’i zbutet dënimi të akuzuarit, organi i akuzës i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ndaj të njëjtit të shqiptohet një dënim edhe më i ashpër.

Këto ankesa të palëve u shqyrtuan të martën nga një kolegj i Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga gjykatësi Xhevdet Abazi, kurse i pranishëm në seancë ishte vetëm mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollçaku.

Lidhur me veprën penale “blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” për çka ngarkohej nga prokuroria, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë gjatë gjykimit në shkallë të parë.

Mirëpo, sipas ankesës së mbrojtjes, shkalla e parë me rastin e shpalljes së aktgjykimit kishte vlerësuar disa rrethana lehtësuse sikurse faktin se i akuzuari është teknik i stomatologjisë mirëpo me vlerësimin e rrethanve tjera, sipas mbrojtjes ka vend ende për zbutje të dznimit.

Këto rrethana lehtësuese që mbrojtja i ka përmendur në ankesën e saj janë se i akuzuari nuk ka qenë i dënuar më parë, mosha e tij, keqardhja e shprehur si dhe sjelljet që ka pasur i akuzari gjatë gjithë procedurës.

“Nuk kom çka me shtu tjetër, veçse kërkoj të aprovohet ankesa dhe t’i shqiptohet një dënim më i butë për shkak të rrethanve të cekura në ankesë”, tha në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, avokati Kollçaku.

Në anën tjetër, mos vlerësim të duhur të rrethanave nga shkalla e parë por në këtë rast atyre rënduse po pretendon në ankesën e saj prokuoria.

Për këtë arsye, e njëjta e ka atakuar aktgjykimin e Themelores vetëm për sa i përket lartësisë së dënimit, duke i propzouar Apelit që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i lartë më burg.

Këtë ankesë të Prokurorisë Themelore e ka mbështetur edhe Prokuroria e Apelit, e cila përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë më 23 maj 2019, i ka propozuar që të aprovon ankesën e prokurorisë kurse të hudh poshtë ankesën e mbrojtjes.

Ndryshe, Shabi akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, sepse më 27 korrik 2018, në ora 21:00, në rrugën “Ekrem Rexha”, në lagjen “Arbëria”, në Prishtinë, i pandehuri pa autorizim me qëllim shitje dhe shpërndarje ka poseduar substancë narkotike.

Sipas aktakuzë, të akuzuarit gjatë kontrollit në banesën e tij në rrugën Ekrem Rexha, konkretisht në ballkonin e banesës në një çantë ngjyrë të zezë i janë gjetur nëntë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit mariuhane me peshë totale 11 kg 376.3 gramë.

Me këtë, Shabi ngarkohej nga prokuroria me veprën penale blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. /Betimipërdrejtësi