Prokuroria kërkon dënim më të ashpër për policin e dënuar për korrupsion, mbrojtja kërkon rigjykim apo lirim nga akuzat

Lavdim Bajraktari - Rasti Bajram Bytyqi - 09.08.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Gusht 9, 2019

Prishtinë – Dënim më të ashpër për zyrtarin e Policisë së Kosovës, Bajram Bytyqi, i dënuar nga shkalla e parë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, po kërkon nga Gjykata e Apelit, Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në anën tjetër, mbrojtja e Bytyqit, po kërkon anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe kthimin e rastit në rigjykim, apo lirimin e tërësishëm nga akuzat me të cilat ngarkohet Bytyqi.

Këto ankesa, si dhe deklarimi i Prokurorisë së Apelit lidhur me to, janë shqyrtuar të premten nga një kolegj i Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga gjykatësi Kreshnik Radoniqi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 15 shkurt 2019, e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, zyrtarin policor Bajram Bytyqi, për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kurse, për veprën tjetër penale për të cilën akuzohej Bytyqi, atë të ushtrimit të ndikimit në tentativë, gjykata kishte marr aktgjykim lirues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata, gjithashtu, e kishte obliguar Bytyqin që të dëmtuarit Ferid Ismajli t’i kompensojë dëmin në vlerë prej 1200 euro, si dhe të paguajë paushallin gjyqësor në vlerë prej 100 euro, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Por, e pakënaqur me lartësinë e dënimit për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe me lirimin nga akuzat për ushtrim të ndikimit në tentativë, ankesë në Apel ka ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas ankesës së prokurorisë, shkalla e parë nuk kishte vlerësuar siç duhet rrethanat rënduese për të akuzuarin kur bëhet fjalë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës, ndërsa po ashtu, sipas prokurorisë, gjykata e shkallës së parë ka pasur mjaftueshëm prova për ta dënuar edhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit në tentativë.

E pakënaqur me vendimin e shkallës së parë, por për arsye tjera ka mbetur edhe mbrojtja e të akuzuarit.

Mbrojtësi i Bytyqit, avokati Nexhmedin Sejdiu, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, tha se mbetet prapa fjalës përfundimtare që kishte dhënë në shqyrtim gjyqësor dhe ankesës që kishte ushtruar në Apel, pasi sipas tij, shkalla e parë nuk ka dhënë arsyetim të drejtë dhe kishte shqiptuar dënimin ndaj Bytyqit pa vërtetuar faktet relevante.

“Shkalla e parë ka bartur komplet dispozitivin e aktakuzës në aktgjykim edhe pse faktet që janë vërtetuar në shqyrtim gjyqësor paraqesin një pasqyrë ndryshe me atë që është shkruar në aktgjykim”, tha në fjalën e tij, avokati Sejdiu.

Sipas avokatit Sejdiu, në aktgjykimin e shkallës së parë është theksuar se i akuzuari ka marr para për t’ia hequr një dënim palës së dëmtuar në këtë rast, Fadil Ismajlit, mirëpo siç tha Sejdiu, është e paqartë se si ka mundur i akuzuari të heq një dënim kur këtë mund ta bëjë vetëm gjykata.

Po ashtu, ai tha se disa transkripte të administruara si prova ku dëgjohet i mbrojturi i tij që bisedon për disa shuma të hollave, nuk kanë të bëjnë asgjë me pretendimet e prokurorisë se kinse i njëjti ka kërkuar para për t’ia hequr një dënim të dëmtuarit, por janë biseda që kanë pasur të bëjnë me krejt diçka tjetër.

Tutje, Sejdiu kontestoi edhe kredibilitetin e palës së dëmtuar, për të cilin tha se dëshmitarët në shkallë të parë kishin treguar se është person me precedent penal, për dallim nga i mbrojturi i tij që nuk ka pasur më herë ndonjë precedent penal.

Mirëpo, avokati tha se gjykata e shkallës së parë nuk i ka marr parasysh faktin se i dëmtuari ka pasur rast të hapur pikërisht lidhur me veprën penale të lajmërimit të rremë.

Për fund, avokati Sejdiu tha se shkalla e parë ka bërë edhe një shkelje tjetër kur në aktgjykim kishte konstatuar se i dëmtuari ishte deklaruar në fjalën përfundimtare, pasi sipas avokatit, i dëmtuari fare nuk kishte prezantuar në seancën e fjalës përfundimtare.

“Nuk e kom thanë ndonjëherë më herët por në këtë rast, më duket që gjykata është kallxu subjektive”, tha Sejdiu në fjalën e tij.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë që të refuzojë ankesën e mbrojtjes ndërsa të aprovojë si të bazuar ankesën e prokurorisë.

Ndryshe, Bytyqi fillimisht  akuzohej për veprën penale ushtrim ndikimi, mirëpo më 12 shkurt, gjatë fjalës përfundimtare, prokurori Kujtim Munishi kishte bërë ri cilësimin e veprës në ushtrim ndikimi të mbetur në tentativë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 tetor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bajram Bytyqit, me pretendimin se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar në Stacionin Policor në Drenas, kishte kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrim i ndikimit”.

Bajram Bytyqi pretendohet se më 3 korrik 2013, kishte marrë nga i dëmtuari FeridIsmajli shumën prej 1200 euro, duke i premtuar të njëjtit se nuk do të vuajë dënimin me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, të cilin e kishte marrë nga gjykata. /Betimipërdrejtësi