Prokuroria kërkon dënim, ish-menaxheri i prokurimit në Spitalin e Vushtrrisë kërkon të shpallet i pafajshëm për keqpërdorim detyre

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Tetor 8, 2019

Mitrovicë – Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar që ish-menaxheri i zyrës së prokurimit në spitalin “Sheik Zayed”, në Vushtrri, Mujë Ferati, të shpallet fajtor për keqpërdorim detyre dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë, e ka dhënë prokurori i rastit, Ismet Ujkani, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Në anën tjetër, i akuzuari Ferati, ka kërkuar nga që të hudhet poshtë si e pabazuar aktakuza ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ferati akuzohet se në vitin 2013, në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit, tani drejtorit të spitalit “Sheikh Zayed”, në Vushtrri, nuk kishte ndërmarr masa ndëshkuese ndaj operatorit ekonomik “Kosova Med”, e cila ishte vonuar tetë ditë  në dorëzimin e pajisjeve mjekësore, me ç` rast spitali ishte dëmtuar në shumë prej 1.187.60 euro.

Fillimisht, në seancën e së martës, është dhënë fjala hyrëse nga palët, më pastaj gjykimi ka vazhduar me marrjen në pyetje të pandehurit Ferati si dhe fjalën përfundimtare.

Prokurori Ismet Ujkani, ka deklaruar se i pandehuri gjatë hetimeve kishte pranuar se operatorit kontraktues “Kosova Med” do të duhej caktuar si masë ndëshkuese një penallti prej 1 187.60 euro, për shkak të vonesës së mallit për tetë ditë.

Në anën tjetër, i pandehuri Ferati, ka thënë se nuk është e mundur që operatori kontraktues të ketë qenë në vonesë, përderisa sipas tij, malli ka ardhur më 4 dhjetor 2013, ndërsa, urdhër-blerja është lëshuar më 16 dhjetor 2013.

“E ka llogaritur vonesën e mallit nga data 25 nëntor 2013, kështu që po edhe të ekzistojke kjo datë atëherë prokurori ka llogaritur vonesën nga data 26, 27, 28, 29, 30, të muajit nëntor,  1, 2, dhe 3 dhjetor, kështu që i bie se ka drejt që i ka llogarit 8 ditë. Po sa është e qëndrueshme që dokumenti flet ndryshe, malli ka ardh me 4 dhjetor 2013, ndërsa urdhër-blerja është nxjerr me 16 dhjetor 2013, tash e nderuar gjykatë, si është e mundur që të jem në vonesë 8 ditë, ndërsa urdhër-blerja është leshu më 16 dhjetor 2013”, ka thënë Ferati.

“Kur nënshkruhet urdhër-blerja”, ka pyetur prokurori Ujkani.

“Me rastin e nënshkrimit të kontratës në rast se ka mjete në buxhet ngase mund të ndodh që mjetet e dedikuara për atë prokurim mund të shfrytëzohen për tjetër çështje. Atëherë urdhër-blerja nuk nxirret, ngase nuk kemi mjete të buxhetit në shfrytëzim, në momentin kur konstatohet se mjetet financiare ekzistojnë në buxhet atëherë e nxjerrë urdhër-blerjen dhe nga ajo urdhër-blerje parashihet afati”, është përgjigjur Ferati.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Ujkani ka thënë se nga spitali është pranuar malli, ndërsa në kontratë, siç tha ai, ishte paraparë që të bëhet pas lëshimit të urdhër-blerjes, si dhe nuk dihet për cilin mall është lëshuar urdhër-blerja.

Ujkani tha se nuk është kontestues fakti se në rastin konkret është vonuar malli nga operatori ekonomik, siç theksohet në aktakuzë dhe nuk janë shqiptuar penaltitë nga ana e të pandehurit si person zyrtar.

Sa i përket mbrojtjes së të pandehurit, prokurori ka thënë se ajo është në kundërthënie me mbrojtjen dhënë gjatë hetuesisë dhe i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtor për veprën penale që akuzohet.

Ndryshe, nga prokurori Ujkani, i akuzuari Ferati, në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që aktakuzën ta hudh poshtë si të pabazuar.

Ai ka thënë se nuk ka të bëjë fare me vonesën e mallit por siç tha ai, janë 13 ditë përpara, para se të skadonte afati, ku sipas tij, për këtë ekziston urdhër-blerja dhe urdhër-pagesa, ngase asnjë pagesë nuk bëhet pa u lëshuar urdhër-blerja, e cila është bërë më 16 dhjetor 2013.

Me këtë, shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje ka përfunduar, ndërsa gjykatësi Tomisllav Petroviq ka njoftuar se shpallja e aktgjykimi të do të bëhet me 9 tetor 2019, në ora 14:45.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 24 gusht 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Mujë Ferati, të cilin e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ferati, në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit të spitalit “Sheikh Zayed”, në Komunën e Vushtrrisë, kishte vepruar në kundërshtim me Udhëzimin Operativ neni T dhe V për Prokurim Publik, të vitit 2013, operatorit ekonomik OE “Kosova Med” nga Prishtina, si fitues i tenderit “Furnizim me pajisje mjekësore”, sipas kontratës që ishte lidhur në mes autoritetit kontraktues – të cilën e kishte nënshkruar i pandehuri Ferati dhe operatorit ekonomik, të cilën e kishte nënshkruar nga drejtori menaxhues i “Kosova Med”, Kastriot Asllani.

Siç thuhet në aktakuzë, operatori ekonomik “Kosova Med”, kishte vonuar tetë ditë  në dorëzimin e mallit ndaj autoritetit kontraktues spitalit “Sheikh Zayed”, ndërsa i pandehuri nuk kishte ndërmarr masa ndëshkuese për likuidimin e dëmeve – shqiptim i penaltive duke e dëmtuar kështu buxhetin e këtij institucioni në shumë prej 1.187.60 euro. /BetimipërDrejtësi