Prokuroria kërkon dënim efektiv për të akuzuarin për korrupsion, mbrojtja lirimin e tërësishëm nga akuzat

Lavdim Bajraktari - Rasti Esat Fejza - 09.07.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Korrik 9, 2019

Prishtinë – Pak ditë pa u bërë një vit prej se kur e kishte kthyer lëndën në rigjykim, Gjykata e Apelit do duhet sërish të vendos lidhur me ankesat e ushtruara ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, për të akuzuarin Esat Fejza.

Fejza, për dy vepra penale, përvetësim në detyrë dhe mashtrim në detyrë, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 2000 euro gjobë, nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, më 4 prill të vitit 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, dënim më të ashpër për të akuzuarin, përkatësisht burgim efektiv, i ka propozuar Apelit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, propozim ky që është përkrahur edhe nga ana e Prokurorisë së Apelit.

Sipas ankesës së prokurorisë, me dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë nuk arrihet qëllimi i dënimit, andaj për këtë arsye sipas saj, është e nevojshme që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më të ashpër.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Mahmut Halimi tha se vepra penale e përvetësimit në detyrë nuk mund të qëndrojë si e tillë, sepse sipas tij, nuk është vërtetuar asnjë shumë e vetme që i mbrojturi i tij e ka përvetësuar.

Sipas avokatit Halimi, në këtë rast eventualisht mundet të cilësohet vepra penale si veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike dhe për shkak se ka arritur afati i parashkrimi për këtë vepër, i mbrojturi i tij të lirohet.

Një pretendim të tillë, Halimi e ka mbështetur edhe në konstatimin e ekspertit financiar që ishte dëgjuar në shkallën e parë, i cili sipas avokatit, kishte ardhur në përfundim se 5300 euro të mbetura, kanë mbetur të paarsyetuara, e jo të përvetësuara.

“Mbes prapa ankesës. Edhe herën e parë prokuroria ka pretendu për pagesën e të njëjtës faturë, eksperti i financave ka gjetur se ajo shumë ka ardhur përmes “Western Union” në emër të zotit Fejza dhe zoti Fejza në të njëjtën ditë atë shumë e ka dorëzu atë ditë në llogari të organizatës. Prokuroria është munduar të dyfishojë atë shumë”, tha avokati Halimi në fjalën e tij.

Sipas Halimit, në këtë rast, dëmi i pretenduar mund të jetë 790.51 euro, e jo 5300 euro, pasi sipas tij, dy shumat që kanë arritur në llogarinë bankare janë paguar për nevoja të organizatës “Hand Dora Child (HDCH).

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, në mars të vitit të vitit 2018, të akuzuarin Esat Fejza, e kishte shpallur fajtor për dy vepra penale, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës dhe mashtrim në detyrë dhe atij i kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej pesë muaj, për secilën vepër penale veç e veç, kurse përfundimisht, si dënim unik, Fejza ishte dënuar me shtatë muaj burgim.

Mirëpo, pas ankesave të palëve dhe për shkak të shkeljeve të evidentuar në aktgjykim nga ana e Gjykatës së Apelit, kjo e fundit, në korrik të vitit të vitit 2018, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Fejza akuzohej se nga data 21 nëntor 2006 deri më 13 gusht 2009, në zyrën e OJQ-së, “Hand Dora Child (HDCH), me seli në Kçiq i Madh, Komuna e Mitrovicës, si person zyrtar ka përvetësuar para ose pasuri tjetër të luajtshme që i është besuar personit në bazë të detyrës ose pozitës brenda personit juridik.

Kështu, Fejza akuzohej se në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “HDCH”, ka përvetësuar para në shumë prej 5,382.67 euro, të cilat OJQ-së HDCH, i ishin dërguar nga organizata humanitare për ndihmë fëmijëve të sëmurë “Breslaff Centre” nga Londra.

Me këtë veprim të tij, Fejza akuzohet se ka kryer veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se, i akuzuari Fejza, kishte bërë prezantim të rremë të raporteve të llogarive të OJQ-së “HDCD”, e që ka rezultuar me dobi pasurore që tejkalon vlerën prej 5000 euro.

Një veprim të tillë, sipas aktakuzës, i akuzuari e kishte e bërë ashtu që, duke vepruar sipas kërkesës së donatorit “Breslaff Centre” në Londër, i ka prezantuar kësaj të fundit, raportet e rreme të llogarive, kinse i punuar nga NSH “A-Audit” me seli në Prishtinë, e më të cilin raport kinse është bërë auditimi i shpenzimeve të mjeteve financiare nga donatori “Breslaff Centre” për “HDCH”.

Sipas prokurorisë, nga Bordi Kosovar mbi Standardet për Raportim Financiare dhe nga Agjensioni mbi Regjistrimin e Bizneseve, është konstatuar se  NSH “A-Audit”, nuk ka qenë asnjëherë e licencuar dhe as e regjistruar.

Për këto veprime të tij, Fejza ngarkohet me kryerjen e veprës penale të mashtrimit në detyrë. /BetimipërDrejtësi