Prokuroria kërkon ashpërsimin e dënimeve ndaj të akuzuarve për narkotikë, mbrojtësit lirimin dhe kthimin në rigjykim

119444617_751888202267108_3966872278498489257_n
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shtator 14, 2020

Prishtinë – Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të hënën ka shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe mbrojtësve të katër të akuzuarve për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati.

Në qershor të vitit 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtorë të akuzuarit për narkotikë, ashtu që Adam Nezaj ishte dënuar me 2 vjet e 10 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë, Islam Basha ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë, kurse Lavdërim Osmani ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Ndërkaq, Vegim Esati, për shitje të paautorizuar me narkotikë ishte dënuar me 3 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 500 euro gjobë. Si dënim unik atij i ishte shqiptuar burgimi në kohëzgjatje prej 3 vjet1sh dhe gjoba në lartësi prej 10 mijë e 500 euro.

Por e pakënaqur me aktgjykimin e shkallës ishte ndarë PSRK, e cila brenda afatit ligjor kishte ushtruar ankesë, me ç’rast ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që aktgjykimin e shkallës së parë ta ndryshojë ashtu që ndaj të akuzuarve të shqiptojë dënime më të larta.

Ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, sa i përket vendimit mbi dënimin ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Adam Nezaj, avokati Naim Rudari.

Përmes ankesës ai ka kërkuar që dënimi ndaj të mbrojturit të tij të zbutet, pasi që i njëjti është deklaruar fajtor dhe ka shprehur vullnetin e tij për pranimin e fajësisë qysh në fazat fillestare të procedurës penale.

Rudari gjatë elaborimit të ankesës së tij tha se ata kishin zhvilluar negociata për pranimin e fajësisë, por nuk kishin arritur të merren vesh lidhur me lartësinë e dënimit.

Ndërkaq sipas tij, ankesa e prokurorit nuk është serioze pasi që ai kërkon ashpërsimin e dënimit, për dënimin e shqiptuar sa dënimi i propozuar nga vet prokurori.

Avokati Rudari po ashtu shtoi se gjykata gabimisht ka marrë si rrethanë mënyrën e kryerjes duke mos e përmendur nëse ajo është kryer në mënyrë të jashtëzakonshme.

Ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Lavdërim Osmani, avokati Ahmet Tahiri.

Ai ka ushtruar ankesë mbi të gjitha bazat ankimore, për çka gjatë kësaj seance deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së ushtruar ndaj këtij aktgjykimi.

Duke propozuar që ankesa e ushtruar të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet ashtu që i mbrojturi i tij të lirohet, apo aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Ndërkaq, vet i akuzuari Osmani deklaroi se është i pafajshëm dhe se në Kosovë kishte ardhur për të blerë makinën të cilën ia kishte premtuar Islam Basha.

“Unë kam muaj që vuaj një dënim jo legjitim, mu më ka marrë ky Islam Basha me e marrë një makinë Mercedes Benz në Kosovë, arsyeja e vetme pse jam këtu është mos pranimi i të vërtetës, i veprës nga këta që janë këtu e kanë bo, njëri blente makinën, tjetri transportonte drogën, Lavdërim Osmani është viktimë e këtyre. Me vendimin e shkallës së parë që ka marrë Gjykata e Kosovës, mu më kanë pushkatu”, tha ai.

Ankesë mbi të gjitha bazat ankimore ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Vegim Esati, avokati Skender Musa, me propozimin që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Ai shtoi se të mbrojturit të tij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nga ana e policisë.

Vet i akuzuari Esati deklaroi se policia i kishin bërë maltretim fizik dhe psikik.

“Unë prej kur jom arrestu dy policë më kanë thanë nuk kena punë me ty po me tjetër kon, ditën e parë kur më kanë arrestuar nuk kanë mujt me gjetë babën dhe më kanë thanë nëse e thirr babën me ardh, ti pshton. Nëse nuk vjen ai, ke me shku posht”, deklaroi Esati.

Ai tha se që në ditën e parë kur ishte arrestuar kishte qenë i marrë peng nga policia.

Ankesë mbi të gjitha bazat ankimore kishte ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Islam Basha, avokati Betim Shala me propozimin që aktgjykimi i atakuar të ndryshohet dhe i mbrojturi i tij të lirohet, apo çështja të kthehet në rigjykim.

Ai deklaroi se mbetet në tërësi pranë pretendimeve ankimore të paraqitura me shkrim, duke shtuar se aktgjykimi i atakuar mbështetet në supozime të pa vërtetuara dhe të pa bazuara në gjendje faktike.

Ndërkaq Prokuroria e Apelit në përgjigje në ankesë kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që ankesat e mbrojtësve të refuzohen si të pabazuara.

Ndryshe, në qershor të vitit 2020 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtorë të akuzuarit për narkotikë, ashtu që Adam Nezaj ishte dënuar me 2 vjet e 10 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë, Islam Basha ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë, kurse Lavdërim Osmani ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Ndërkaq, Vegim Esati, për shitje të paautorizuar me narkotikë u dënua me 3 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 500 euro gjobë. Si dënim unik atij i ishte shqiptuar burgimi në kohëzgjatje prej 3 vitesh dhe gjoba në lartësi prej 10 mijë e 500 euro.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Adam Nezaj, Islam Basha dhe Lavdërim Osmani me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, e duke vepruar në grup, më 23 qershor 2019, një natë para arrestimit janë takuar në Tiranë, ku janë dakorduar dhe kanë ndarë rolet, ku i akuzuari Nezaj kishte përgjegjësinë që drogën ta sjell nga Shqipëria në Kosovë, për ta sistemuar në pronën e të akuzuarit Mustafë Esati, pastaj të akuzuarit Islam Basha dhe Lavdërim Osmani që ta përgatisin terrenin, kanë shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Mustafë Esati për të monitoruar vendin ku duhej dërguar narkotike, i pandehuri Vegim Esati, me detyrë për të vëzhguar lëvizjet eventuale të policisë.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Adam Nezaj, më 24 qershor 2019, me veturën e tij “Citroen” ka hyrë në Kosovë dhe ka shkuar tek qendra tregtare “Viva Vresh” në Veternik, ku takohet me të akuzuarin Lavdërim Osmani, të cilin aty e kishte dërguar i akuzuari Mustafë Esati, ku me veturën “Citroen”, kanë vazhduar për në shtëpinë e të akuzuarit Mustafë Esati, që gjendej në Lipjan, dhe me të arritur tek udhëkryqi i Lipjanit, takohen me të akuzuarit Islam Basha dhe Vegim Esati, me ç’rast futet me veturën e tij në brendësi të oborrit të shtëpisë së Mustafë Esatit, ku ishte e parkuar vetura “Pikap”, dhe nga vetura e Adam Nezajt zbrazin narkotikun për ta vendosur në veturën “Pikap”.

Gjithnjë sipas akuzës, vetura “Citroen” del nga aty dhe niset në drejtim të Lipjanit, kurse i pandehuri Mustafë Esati, me veturën e tij, shkon në një supermarket, i cili gjendej afër shtëpisë, ku blenë qese të plastikës dhe niset në drejtim të depos së tij, e ndalon veturën në hyrje të oborrit, derisa në këtë moment policia ka hyrë në këtë depo për të realizuar kontrollin dhe me të vërejtur policinë, i akuzuari Vegim Esati bërtet duke thënë “ikni, policia” dhe me rastin e kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar 55 kg e 432 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se njëkohësisht në vendin e ngjarjes janë arrestuar të pandehurit Islam Basha, i cili në atë moment ka qenë në katin e dytë të shtëpisë hipur në dritaren e një dhome me qëllim të ikjes, Vegim Esati, Lavdërim Osmani, ndërsa pak më vonë në territorin e komunës së Gjakovës, është arrestuar edhe i akuzuari Adam Nezaj, kurse i akuzuari Mustafë Esati, ka arrit që të arratiset.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 par.1 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas kësaj aktakuze, Vegim Esati akuzohet edhe se më parë është furnizuar dhe pa autorizim deri më 24 qershor 2019, ka mbajtur armë dhe atë një revole 9 mm, një karikator së bashku me 18 fishekë, i cili është gjetur dhe sekuestruar në depon e të pandehurit Mustafë Esati, që gjendet para autolarjes “Flloki”, te udhëkryqi i Lipjanit, me rastin e bastisjes që kishte ndërmarrë policia.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Vegim Esati se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së.