Gjakovë – Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Col Imeraj për rastin e vrasjes së rëndë që ka ndodhur në Bardhaniq të Gjakovës, në korrik të vitit 2020.
Sipas prokurorisë, Imeraj po ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë”, “vrasje në tentativë” dhe “lëndim i lehtë trupor”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas njoftimi të Prokurorisë së Gjakovës, në muajin korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq, komuna e Gjakovës, i pandehuri C.I., me dashje, ka privuar nga jeta N.M., në shtëpinë e tij, ku përderisa tani i ndjeri ishte në dhomën e gjumit, i pandehuri e merr në kuzhinë një thikë e një çekan hekuri, ku e përdorë për ta hapur derën e dhomës, dhe e godet atë me thikë disa herë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Tutje, në njoftim thuhet se në dhomën e gjumit ishte prezent edhe bashkëshortja e tij, D.M, ku i pandehuri e godet edhe atë me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë.
Gjithashtu, i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër ku ishte prezent djali i viktimës, M.M., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. /BetimipërDrejtësi