Prokuroria dhe pala e dëmtuar kërkojnë dënimin e të akuzuarit për vrasjen në Prishtinë, mbrojtja kërkon lirimin e tij

20190411_133816
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Prill 11, 2019

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi ku Arlind Ahmeti, është duke u akuzuar se në bashkëkryerje me Agron Vllasaliun, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” në rrugën “Fehmi Agani”, në Prishtinë, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Behar Sahiti, si dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Nehar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Në seancën e së enjtes, është dhënë fjala përfundimtare e palëve në procedurë, në të cilën prokurori Ilaz Beqiri, dhe pala e dëmtuar, kërkuan që i akuzuari duhet të shpallet fajtor për veprën për të cilën ngarkohet, ndërsa mbrojtësi i Ahmetit, avokati Asdren Hoxha, tha se klienti i tij ka mundur të kryej vetëm veprën penale të ndihmës në shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, por jo vrasje të rëndë.

Sipas prokurorit Beqiri, se Ahmeti është fajtor për veprën për të cilën është akuzuar, është vërtetuar si me prova materiale, ashtu edhe me dëshmitë e të dëmtuarve-dëshmitarë, por edhe të ekspertizave.

“Me provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor në mënyrë të plotë, të qartë dhe bindëse u vërtetua se i pandehuri në bazë të marrëveshjes paraprake edhe me të pandehurin Agron Vllasaliu privuan nga jeta të ndjerin Behar Sahiti dhe njëkohësisht rrezikuan jetën e tani të dëmtuarve. Se i pandehuri Arlind Ahmeti, kreu veprat penale u vërtetua nga dëshmitë e dëshmitarëve-të dëmtuarve, R.K, Nhar Sahiti, Leonard Kukaj, Freskim Ferizi dhe Mergim Kqiku, të cilët para këtij trupi gjykues në mënyrë të plotë, qartë, bindëse dhe identike përshkruan veprimet inkrimimunese te të pandehurve”, tha prokurori.

Këto pretendime, sipas prokurorit, janë vërtetuar edhe nga video incizimet që janë siguruar nga kamerat që e mbulonin vendin e ngjarjes.

Beqiri, deklaroi po ashtu se sa i përket mbrojtjes së të akuzuarit lidhur me veprën penale të vrasjes, i pandehuri tentoi që të shmanget nga përgjegjësia penale, por në momentin kur prokurori filloi ta ballafaqonte me deklaratat e mëparshme dhe me provat materiale, i njëjti e sinjalizoi mbrojtësin që ai të kërkojë kohë për konsultim dhe pas atij konsultimi, sipas tij, ai u deklarua se prej atij momenti do të mbrohet në heshtje, pasi sipas prokurorit, i akuzuari nuk ishte në gjendje ta argumentojë të kundërtën.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Nysret Islami, deklaroi se me provat e administruara në gjykatë është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje.

Sipas tij, pandehuri i ka ndihmuar edhe dorasit Agron Vllasaliu, duke i mundësuar atij që t’i shmanget organeve të drejtësisë.

Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Asdren Hoxha, tha se prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se Ahmeti, e ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje. Ai po ashtu tha se Arlind Ahmeti, nuk është personi që ka shtënë me armë në natën kritike.

Sipas Hoxhës, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të dëshmohet nga askush se në momentin e kryerjes së veprës penale ka pasur dashje të drejtpërdrejtë.

“Prokuroria nuk ka ofru prova që personi që ka shti ka vepru me dashje eventuale, nuk janë vërtetu me saktësi të plotë faktet dhe rrethanat vendimtare, në bazë të ekspertizës balistikës dhe dëshmisë së ekspertit Hazir Kelmendi është vërtetu që është shtënë në një këndë prej 70%, personi dorën nuk e ka drejtu në 45% në drejtim te të ndjerit, por e ka drejtu në drejtim të tokës. E ka tërhek prej cakut që pretendon prokuroria, as te këmbët e të ndjerit nuk e ka drejtu”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, në këtë ngjarje, nuk ka vepër penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, për shkak se nuk ka pasur marrëveshje paraprake, por sipas tij, ka vepër penale të ndihmës në përdorimin e armës që ka rezultuar me shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, me pasojë vdekje.

I akuzuari, nuk e dha fjalën e tij përfundimtare, por ai tha se qëndron pranë deklaratës së mbrojtësit të tij.

Pas fjalës përfundimtare së avokatit Hoxha, prokurori Beqiri tha se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit se nuk ka pasur dashje pasi sipas tij, ishte pikërisht i ndjeri që para aktit të vrasjes ishte fjalosur me të pandehurit.

“Nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit që të pandehurit nuk patën dashje që ta privojnë nga jeta Nehar Sahitin, pasi pikërisht Nehar Sahiti ke personi që u fjalos me tani të pandehurit dhe po që se nuk do të ekzistonte dashja plumbi do të qëllonte dikë tjetër, që ishin edhe pesë persona që ishin ngjitur, me diametër prej një metër, por qëlloi te personi që e patën cak dhe e shtinë me qëllim që ta privojnë nga jeta”, ishte deklarimi i prokurorit Ilaz Beqiri.

Ndryshe, prindi i tani të ndjerit Gani Sahiti, deklaroi se me këtë ngjarje ka pësuar dëme të mëdha ai dhe familja e tij dhe i propozoi gjykatës që ndaj të akuzuarit të shpallet aktgjykim dënues.

Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli, shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 16 prill, në ora 14:30.

Sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin tjetër, Agron Vllasaliu, i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Behar Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehar e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin Behar Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bashkëkryerje me të akuzuarin Agron Vllasaliu, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Arlind Ahmeti, pa autorizim ka poseduar dy revole, që kanë qenë pronë e tij, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në motelin “Vila Kuinc”, ku siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kishin kaluar natën pas kryerjes së veprës penale.

Me këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Betimipërdrejtësi