Prokuroria arrin marrëveshje për pranimin e fajësisë me të akuzuarin për korrupsion, dënohet me gjobë dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve në shërbim publik

IMG_1958
Author

Raporton: Denisa JASHARI

Shkurt 22, 2021

Ferizaj- Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj Sebahate Sinani, ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me  të akuzuarin Faik Grainca për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

I akuzuari u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej (6) gjashtë muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 6.000 euro (gjashtëmijë euro) e cila shumë do të bëhet përmes kësteve mujore, ku për gjashtë muaj do të paguaj 1000 euro, poashtu ndaj të akuzuarit u shqiptua dënim plotësues, neni 65 paragrafi 2 Gjykata i ndaloi kryesit ushtrimin e funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej (1) një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Sebahate Sinani tha se qëndron pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë, dhe se kjo marrëveshje është lidhur në mënyrë vullnetare nga i akuzuari, andaj ka propozuar që kjo marrëveshje të aprovohet nga gjykata,

Gjykatësja Kadrie Goga Lubishtani, ka marrë aktvendim që ta pranoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë në mes të Prokurorisë Themelore në Ferizaj të akuzuarit dhe të mbrojtësit të tij.

Gjykatësja Kadrie Goga Lubishtani, tha se i akuzuari e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë, dhe se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare nga i akuzuari.

Sipas aktakuzës më 01.09.2016, në Ferizaj, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtarë, si drejtor në drejtorinë e urbanizmit në Komunën e Ferizajt, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me dashje i tejkalon kompetencat e tij duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore personit tjetër, përkatësisht pronarit të bastores sportive Mozzart KS, Irfan Beroviq, në atë mënyrë që edhe përkundër faktit se ka qenë në dijeni se subjekti afarist – bastorja sportive Mozzart KS e cila gjendet në rrugën Kadri Zeka në Ferizaj, nuk i plotëson kushtet për të ushtruar veprimtarinë, i njëjti lëshon pëlqimin me numër 04/16-66346 duke rënë kështu në kundërshtim me nenin 66 paragrafi 2.4 të ligjit për lojërat e fatit 04/L-80 i cili përcakton distancën ndërmjet subjektit të lojërave të fatit dhe objekteve edukativo-arsimore, të intitucioneve historike, fetare dhe të pronës komunale, meqë në distancë prej 155 metra gjendet çerdhja e fëmijëve “Ninulla“.

Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi