PROKURORIA ANKOHET SE MBROJTJA NUK I NJOFTON ME KOHË LIDHUR ME PROVAT E REJA NË RASTIN “KEK 2”

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ditën e martë u procedua me rastin e njohur si “KEK 2” në rastin e tenderit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ndaj Sami Lushtakut dhe gjashtë të tjerëve për ‘’Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ’Mashtrim dhe “Falsifikim të dokumeteve”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, në lidhje me tenderin e KEK-ut përfshihen kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Sipas prokurorisë, këta shtatë persona, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’’, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të ’Mashtrimit’ dhe ‘’Falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerje’, Driton Pruthi për veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’Shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’.

Përgjatë gjithë seancës, dëshmitari njëkohësisht i dëmtuari Granit Hasani, drejtor i “Besa Security” iu nënshtrua pyetjeve të avokatit Armend Krasniqi, mbrojtës i Azem Durakut.

Në fillim të seancës u polemizua çështje e provave të cilat dorëzohen nga ana e mbrojtjes pa iu dhënë kohë e mjaftueshme Prokurorisë për t’u analizuar të njejtat. Për më tepër këta dokumente ishin dorëzuar në gjuhën shqipe. Ndihmës prokurori i çështjes, Dreë Angle kundërshtoi një gjë të tillë .

”Kemi qenë mjaft të mirë dhe jemi sjellë sipas rregullave, por kjo përfundon këtu. Është dita e katërt që e marrin në pyetje këtë dëshmita dhe mbrojtja ka pasë kohë që t’na tregojnë provat që dëshiron t’i përdori. Kjo sjellje është një shmangie konstante nga rregullat”-tha Angle.

Ndërkaq, mbrojtësi Krasniqi tha se bëhet fjalë për provat e njejta që ia kishin dorëzuar gjykatës të premten, dhe se nuk kanë pasur kopje të premten prandaj prokurorisë këta prova i dorëzohen tani tani. Prokurori kryesor i çështjes , Paul Flynn tha se Krasniqi i ka dorëzuar disa dokumente të premten, por disa prej tyre që mungonin I ka sjellë sot. Për më tepër sipas Flynn shumica e këtyre dokumenteve janë  lidhur me kontrata jashtë periudhës së Aktakuzës.

Sipas Kryetarit të Trupit Gjykues, mbrojtja nuk obligohet që dokumentet t’I dorëzojë në gjuhë angleze ngase ajo nuk është gjuhë zyrtare në Kosovë, megjithatë ai nuk aprovon praktikën e mosinformimit të prokurorisë lidhur me provat që mendohen të procedohen. Ai udhëzoi mbrojtësin Krasniqi që t’u shmanget pyetjeve lidhur me dokumentet që u prezantuan sot për herë të parë.

Hasani tha se lidhur me vlerësimin e ankesës së “Besa Security” nga ana e ekspertit, përkatësisht Azem Durakut ishte njoftuar me e-mail, megjithatë “Besa Security” nuk ishe pajtuar me këtë mendim  sepse sipas tij eksperti shqyrtues nuk është përgjigjur lidhur me ankesën e tyre në mënyrë direkte dhe nuk e ka trajtuar fer ankesën rreth cmimit të ofertuar nga “Besa Security” për cështjen e licencave. Ai nuk ka marrë parasysh faktet që kemi ofruar. Eksperti nuk e ka analizuar ankesën e tyre në lidhje me cmimin më të lirë për sistemet e alarmit sepse ai ishte thirrur vetëm në atë që është bërë nga autoriteti kontraktues dhe ishte bazuar në mendimin e dhënë nga Komisioni Rregullativ I Prokurimit Publik.

Avokati Krasniqi e sfidoi dëshmitarin duke marrë si shembull një tender të anuluar ngase Bashkimi Evropian kishte dhënë direktiva se në rast të ofertimit me çmim zero ofertuesit shpallen të papërgjegjshëm. Hasani, tha se ky rast nuk është analog me lëndën në fjalë ngase askundi nuk shkruante se ofertimi me çmim zero do shpinte në anulim. Me këtë ra dakord edhe Trupi Gjykues.

Dëshmitari Hasani pohoi se praktika tregon raste kur vendimi i panelit ka devijuar nga mendimi i ekspertit. Në ata raste kur operatori ekonomik nuk është pajtuar me mendimin e ekspertit është proceduar në seancë kryesor dhe paneli i OSHP-së ka mund të vendos në kundërshtim me mendimin e ekspertit. Pra, ky mendim sipas dëshmitarit nuk është obligativ.

Seanca e ardhshme për këtë çështje u caktua për nesër përgjatë së cilës do u jepet mundësia të akuzuarve t’i parashtrojnë pyetje dëshmitarit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë