Prokuroria akuzon policin për dhënien e ndihmës kontrabanduesve, i akuzuari deklarohet i pafajshëm

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjilan, 8 shkurt – Në Gjykatën Themelore në Gjilan është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor ndaj të akuzuarit Xhevahir Gjymshiti. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, Gjymshiti ngarkohet me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se i akuzuari gjatë periudhës kohore prej prillit deri në maj 2013, në cilësi të personit zyrtar – zyrtar policor në Policinë e Kosovës, në Regjionin e Lindjes në Kaçanik, tek Vija e Gjelbërt, kishte shpërdoruar detyrën zyrtare, ku përgjatë vijës kufitare Debellde-Stanqiq, në mëyrë të vazhdueshme u kishte ndihmuar kontrabanduesve të mallrave të fusin mallra nga territori i Maqedonisë në Kosovë. Sipas aktakuzës ai kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me celularë me kontrabandistët, dhe i njëjti pasi ishte hetuar me masa të fshehta, ishte zbuluar.

Seanca fillestare për këtë rast ishte caktuar për 28 janar2016, por e njëjta ishte shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit.

Në seancën fillestare të së hënës, i akuzuari është deklaruar se ndihet i pafajshëm dhe nuk e pranon kryerjen e veprës penale, ndërsa gjyqtari e ka udhëzuar mbrojtjen se në afatin prej 15 ditësh mund të paraqesin parashtresat e tyre në lidhje me aktakuzën e prokurorisë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë