Prokurori thotë se provat do të dëshmojnë se Fatos Rizvanolli ka ndihmuar dhe financuar persona për tu bërë pjesë e ISIS dhe Al-Nusra, Rizvanolli deklarohet i pafajshëm

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Fatos Rizvanolli edhe njëherë deklaroi se është i pafajshëm dhe nuk pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkon akuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, “rekrutimi për terrorizëm”.

Prokurori Speciales Elez Blakaj,  ndërkaq në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në fjalën hyrëse deklaroi se nga administrimi i të gjitha provave të propozuara në akuzë ku përfshihen dëshmitarë, transkriptat e SMS-ve mes Fatos Rizvanollit dhe personave të tjerë, video incizime dhe prova të tjera materiale, do të dëshmohet se i pandehuri Rizvanolli në bashkëpunim të ngushtë me personat e tjerë, tani të dënuarit në shkallë të parë nga Gjykata Themelore në Feizaj, Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha dhe Sadat Topojani, kanë bërë ndër të tjera edhe thirrje për t’u bashkuar grupeve apo organizatave terroriste ISIS dhe Al- Nusra, në luftën në Siri.

“I pandehuri Rizvanolli ka vënë në dispozicion edhe pasurinë e tij duke përfshirë të holla materiale, xhirollogaritë bankare si dhe veturat e tij , me vetëdije të plotë dhe me dashje që të përkrah kryerjen e aktiviteteve terroriste të këtyre organizatave, duke blerë bileta dhe transportuar persona, ku prokuroria posedon një video incizim ku shihet se i pandehuri ka dërguar personin Shukri Alia në Aeroportin e Prishtinës, i cili në të njëjtën ditë kishte udhëtuar për në Stamboll, pastaj në Hatay – qytet në kufi me Sirinë për t’u bashkuar organizatave në fjalë në luftën në Siri”, deklaroi prokurori Blakaj.

Gjithnjë sipas prokurorit, i pandehuri me mjetet financiare të tij, ka paguar në emër të qirasë shumën prej 5900 euro, objektin i cili ishte shfrytëzuar për të strehuar personat e përfshirë në këto organizata, e që e njëjta nga i pandehuri ishte kërkuar kinse për të mbledhur ndihma humanitare për muajin e Ramazanit, dhe këtë prokurori tha se do t’a dëshmojë dëshmitari Islam Selimi, pronar i objektit të shfrytëzuar po ashtu si xhami tek rrethi i njohur “i Spitalit” në Prishtinë.

Mbrojtësi me autorizim i të pandehurit Fatos Rizvanolli, avokati Besnik Berisha kundërshtoi të gjitha provat e potencuara nga prokurori me arsyetimin se janë prova pa përshtatshmëri ligjore sepse ato janë siguruar pas datës 10 prill 2016, kur edhe kanë përfunduar hetimet për këtë çështje, ndërsa aktakuza e ndryshuar tha se është dorëzuar më 20 qershor 2016.

Berisha deklaroi se i mbrojturi i tij është prejudikues i fesë islame, por assesi përkrahës i terrorizmit, si dhe tha që ai dënon çdo aktivitet të organizatave terroriste qofshin ato ISIS apo Al-Nusra, duke mohuar kështu të gjitha pretendimet e Prokurorisë se klienti i tij është kryes i veprës penale “rekrutimi për terrorizëm”. Ai tha se kjo do të dëshmohet pas administrimit të provave, me ç’rast edhe i propozoi gjykatës që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen Zeqirja Qazimi, Shukri Alia, Ilir Berisha dhe Bedri Robaj –imam i xhamisë që dyshohet se i pandehuri ka financuar për aktivitete terroriste. Të gjithë këta dëshmitarë do të vërtetojnë të kundërtën e asaj që pretendon Prokuroria dhe dëshmitë e tyre, sipas avokatit do të përjashtojnë çdo dyshim se Fatos Rizvanolli ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndërkaq, në këtë shqyrtim gjyqësor ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari Islam Selimi, mirëpo për të Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, konstatoi se nuk ka mund të sigurohet pasi që adresa e vendbanimit të tij ka qenë jo e saktë. I njëjti u konstatua se do të ftohet në seancën e radhës, e cila u caktua për 4 nëntor 2016, në ora 09:30.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 24 mars 2016 ka ngritur aktakuzë ndaj Fatos Rizvanollit , me të cilën akuzohet se ka kryer veprën penale “rekrutim për terrorizëm” nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me dashje me të pandehurit Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha etj, ka marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste dhe në aktivitetet e grupit terrorist që të sigurojë fonde dhe burime material në atë mënyrë që më 24 korrik 2012 me veturën e tij ka transportuar personin Sh.A deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili pastaj ka udhëtuar përmes Turqisë për në Siripër të luftuar, pastaj më 18 nëntor 2012 përmes Agjensionit Turistik “Pegasus” i pandehuri Fatos Rizvanolli ka paguar tri (3) bileta udhëtimi Prishtinë – Stamboll dhe Stamboll – Hatay, i cili qytet gjendet në kufi me Sirin, dhe atë për B.K, A.d dhe B.D ku këta të fundit ende gjendet ende në luftë në Siri .

Ndërsa në muajin shtator 2013 sipas kërkesës së pandehurit Ilir Berisha (për të cilin zhvillohet procedurë penale bashkë me të akuzuarit e tjerë Zeqirja Qazimi etj.),  i pandehuri Fatos Rizvanolli ka mundësuar dërgimin e Pleurat Berisha (Ardian Nushi -i nejti ka përdorur dy identitete dhe që tani është vrarë në Siri) dhe Shkodran Krasniqit për të udhëtuar në Siri dhe për të luftuar në anën e organizatës terroriste të ISIS dhe Al-Nusra.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë