Prokurori thotë se administrata nuk ia solli shkresat e lëndës, shtyhet gjykimi për vjedhje rryme

foto nga seanca, KEDS, 14 maj
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Maj 14, 2019

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Lutfi Beselica.

Prokurori i çështjes Zef Prendrecaj, kërkoi shtyrjen e kësaj seance, pasi sipas tij, i ka pranuar me vonesë shkresat e lëndës.

“Të premten e kaluar, nga zyra e administratës në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kam pranuar të gjitha lëndët të cilat do t’i përfaqësoj, ndërsa ky rast nuk është sjellë tek unë, pasi që nuk i kam shkresat e lëndës, kërkoj nga gjykata që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër. Kërkoj falje palëve dhe mendoj se nuk do të përsëritet”, ka thënë Prendrecaj.

Ai ka thënë se do të kërkojë nga administrata e kësaj prokurorie që një gjë e tillë të mos përsëritet në të ardhmen.

Më pas, gjykatësi i rastit Gazmend Bahtiri, e ka shtyrë seancës 19 qershor, ku sipas tij, ky komunikim verbal u shërben palëve prezente në vend të ftesave të rregullta gjyqësore.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 30 mars 2017, Lutfi Beselica akuzohet se në rrugën “Skenderbeu” në Podujevë, më 31 gusht 2015, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, është hasur në lokalin e tij NTP “Beselica”, duke shfrytëzuar energjinë elektrike pa autorizim.

Në aktakuzë thuhet se njehsori elektrik është vërejtur se bllombat i ka të falsifikuara, me ç’rast është regjistruar 66.66% më pak energji elektrike.

Ai akuzohet se KEDS-it i ka shkaktuar dëm në shumë prej 2.704.60.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi