PROKURORI TËRHIQET NGA AKUZA NDAJ OFICIERIT KORREKTUES NË FJALËN PËRFUNDIMTARE

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të ejten, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, kryesuar nga gjyqtari Sali Berisha, kundër të akuzuarit Azem Bacaj-Oficier Korrektues i Qendrës së Paraburgimit në Pejë. Në këtë seancë prokurori i shtetit Agim Kurmehaj në fjalën përfundimtare është tërhequr nga ndjekja penale kundër të akuzuarit, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar ekzistimin e veprës penale.

Në seancë ka dëshmuar dëshmitari Sami Gashi-Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Pejë, ndërsa kanë munguar dëshmitarët Alban Maloku dhe Arben Maloku.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me ndëgjimin e dëshmitarit Sami Gashi, i cili në pyetjen e prokurorit Agim Kurmehaj, nëse ndaj të akuzuarit Bacaj kanë pasur ndonjë vërejtje apo kanë vërtetuar ndonjë shkelje, dëshmitari Gashi tha se gjatë periudhës kohore sa është në krye të këtij institucioni, asnjëherë nuk ka pasur asnjë vërejtje apo shkelje nga këtu i akuzuari për punën e tij në institucion Qendrën e Paraburgimit në Pejë. Në pyetjen tjetër të prokurorit Kurmehaj, se çfarë është ndërmarrë kundët punëtorit në lidhje me këtë rast, dëshmitari Gashi tha se pas ngritjes së aktakuzës është vepruar në pajtim me dispozitat e Ligjit të Punës, ku fillimisht është shqiptuar masa e suspendimit prej 6 muajsh. Tutje, dëshmitari Gashi tha se pas kalimit të periudhës prej 6 muajsh, i njejti është kthyer në vendin e punës, por me një masë shtesë të dërgimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, në pritje të një vendimi përfundimtar nga gjykata. Në pyetjen e prokurorit për të drejtat apo sanksionet ndaj gardinaëve, në rastet kur fusin cigare apo lejojnë telefonata për të paraburgosurit, dëshmitari Gashi tha se është e vërtetë se ka raste kur kantina është e mbyllur dhe ata janë të detyruar të pranojnë paqeta apo ndonjë shteg të cigareve nga familjarët e të paraburgosurve, ku të njejtat u’a dërgojnë të paraburgosurve. “Mirëpo në të gjitha rastet kur oficerët korrektues u fusin cigare apo u lejojnë telefonata shtesë të paraburgosurve, gjithmon me leje timen si drejtor, nuk paraqet ndonjë problem, por në rast të kundër ato trajtohen si shkelje disiplinore dhe ndaj atyre gardinanëve shqiptohen masa disiplinore” tha dëshmitari Gashi.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues se kush e ka paraqitur kallëzimin penale në këtë rast, dëshmitari Gashi tha se “institucioni të cilin e drejton ai nuk e ka paraqitur kallëzimin penal, sepse sipas neve kjo është shkelje disiplinore, por atë e ka bërë Policia e Kosovës”.

Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor vazhdon me leximin e deklaratës së dëshmitarit Arben Maloku, si dhe leximin e provave materiale të bashkangjitura në aktakuzë.

Pas leximit të deklaratës së dëshmitarit dhe provave materiale, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari, i cili në pyetjen e avokatit mbrojtës Muharrem Hoti, nëse i ka ofruar ndonjë shërbim të paligjshëm të paraburgosurit Artan, i akuzuari tha se asnjëherë nuk i ka ofruar shërbim apo favor të paligjshëm të paraburgosurit Artan, në kundërshtim me rendin shtëpiak. “Ditën kur atij i është dhënë boksi me cigare, unë nuk kam qenë në ndrrim atë ditë dhe nuk kam se qfarë të shtoi në lidhje me atë boks të cigareve”, tha i akuzuari Bacaj. Në pyetjen e avokatit Hoti, në lidhje me lejimin e një telefonate për të paraburgosurin Artan, i akuzuari tha se atë telefonatë i’a kishte lejuar pas kërkesës së të paraburgosurit, sepse vëllau i tij kishte një operacion në Gjermani, ndërsa paraprakisht kishte marr leje nga Drejtori i Qendrës Sami Gashi. Në pyetjen tjetër të avokatit mbrojtës Muharrem Hoti, në lidhje me 2 goma të veturës që përmenden në aktakuzë, i akuzuari tha se përmes një familjari të paraburgosurit Artan, të cilin unë e njoh që nga periudha e luftës, unë i kam blerë 4 goma të veturës time. “Gomat i kam blerë nga ata për shkak se kisha mundësinë t’i marr me zbritje prej 20-25%, ndërsa dy goma i kam paguar atë ditë, kurse për dy goma tjera parat i’a kam dërguar në shtëpi pas 13 ditësh”, tha i akuzuari.

Në pyetjen e prokurorit Kurmehaj, nëse përbën shkelje blerja e gomave nga familja e të paraburgosurit, i akuzuari tha se nuk përbën shkelje për faktin se vëllaun e të paraburgosurit dhe një familjar tjetër të tij i njoh që nga periudha e luftës, të cilët i kam pasur bashkluftëtar dhe blerja e gomave nuk përbën shkelje të etikës së punës. “Në rast se i kisha blerë gomat nga i paraburgosuri, pa e njohur fare familjen apo familjarët e tij, do të përbënte shkelje, por në këtë rast nuk mendoj se ka elemente të shkeljes”, tha i akuzuari Bacaj.

Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me fjalën përfundimtare të palëve, ku sipas rradhës prokuroi i shtetit është i pari që duhet të jap fjalën e tij përfundimtare.

Në fjalën përfundimtare, prokurori i shtetit Agim Kurmehaj tha se tërhiqet nga aktakuza dhe ndjekja penale kundër të akuzuarit Azem Bacaj, për shkak të mungesës së provave në dispozicion, të cilat e mbështesin pretendimin e prokurorisë për kryerjen e veprës penale nga i akuzuari.

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohej sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, ku i akuzuari Azem Bacaj akuzohet se prej datës 29 dhjetor 2014 deri me datë 20 janar 2015, në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit për vete të dobisë pasurore (dy goma për automjet në shumën prej 96 euro), ku të paraburgosurit Arton Maloku i dërgon mbushje telefonike dhe privilegje tjera.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë