PROKURORI SHPALOS FJALËN PËRFUNDIMTARE KUNDËR NUHI UKËS

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premtën, ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve Nuhi Ukë dhe Fehmi Havolli për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe krimit të organizuar, Sanije Muçollit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, Mirafete Hashani Bislimit, Kadrije Hashanit, Kimete Hashani-Ukaj, Hilmije Miftarit dhe Ibadete Hashani-Cakaj të cilat akuzohen për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rremë.

Në këtë seancë ka dhënë fjalën përfundimtare, prokurori Danillo Chicarelli, i cili ndër të tjera ka thënë se vepra penale për të cilën akuzohen të pandehurit ka filluar në vitet e 80-ta kur kanë filluar veprimet e para nga i akuzuari Nuhi Uka. Sipas tij, prona me numër kadastral 5602, ishte pronë e komunës dhe në atë pronë ka qenë një shtëpi e vjetër në të cilën strehoheshin njerëzit në nevojë, në këtë shtëpi, në fillim të viteve të 80-ta,  ishte vendosur për banim një banore me emrin Leposllava Radenoviq dhe në kontratën në mes saj dhe ish BVI-së ishte shënuar adresa jo e saktë për atë pronë, që si adresë e saktë ishte rruga Shkupi numër 1, ndërsa në këtë kontratë ishte shënuar adresa 19 Nëntori, numër 1, që sipas tij, ishte bërë për të shmangur vëmendjen se për cilën pronë bëhej fjalë saktësisht.

Më tej prokurori ka shtuar se për të arritur qëllimin janë shfrytëzuar ligjet pozitive që të bëhej ndërrimi i pronave, që në këtë rast Leposllavës i ishte ofruar mundësia që ta ndërronte shtëpinë e vjetër me një banesë në lagjen Dardania të cilën e posedonte Muharrem Hashani, ai ka cekur që në vitin 1986 ka një vendim nga Gjykata Komunale e asaj kohe që të bëhej ndërrimi i pronave, por në këto seanca nuk kishte pasur përfaqësues të Komunës dhe vendimin e marrë e kishte nënshkruar gjyqtari i asaj kohe Ivica Jovanoviq dhe pas këtij vendimi krejt procedura tjetër kishte shkuar në bazë të ligjit, me çka ishte bërë ndërrimi i objekteve në mes Muharrem Hashanit dhe Leposllava Radenoviqit.

Sipas prokurorit, për të marrë pronën duhej të ndërtohej në atë pronë andaj në vitin 1991, Muharrem Hashani ka bërë kërkesë për të ndërtuar në atë pronë dhe kjo kërkesë ishte bërë me numër të parcelës dhe jo me adresë, poashtu është bërë edhe një kërkesë për ndërtim në vitin 1997, por ajo është refuzuar dhe vetëm në vitin 2001, është dhënë leja për ndërtim, për një shtëpi tradicionale. Më tej ka theksuar se në vitin 2002, ishin paraqitur pronarët e vërtetë të pronës, që ishin një familje turke, e cila ka bërë padi në gjykatë për të marrë pronën, kjo lëndë i ishte caktuar për gjykim gjykatëses Sanije Muçollit, që sipas prokurorit ishte mike e mirë e Nuhi Ukës, më tej ka thënë se nga përgjimet është kuptuar se Nuhi Uka si kryetar i gjykatës, kishte pasur ndikim në caktimin e lëndëve të veçanta nëpër gjyqtarë të caktuar.

Më pas ishte bërë kërkesë për shfrytëzimin e pronës në tërësi dhe gjykatësja Sanije Muçolli kishte marrë vendim për të dhënë leje të shfrytëzimit të pronës që vetëm në një seancë ka prezantuar përfaqësuesi i komunës, i cili ka dëshmuar se e ka kundërshtuar shfrytëzimin e pronës në tërësi por vetëm të objektit, vendimi është konfirmuar edhe nga Gjykata e Qarkut në vitin 2005, ndërsa punimet veç kanë përfunduar për ndërtimin e një objekti afarist prej katër katesh që kishte nxënë tërë hapësirën e pronës, por rasti kishte vazhduar në Gjykatën Supreme dhe ajo në vitin 2006 e kishte prishur vendimin e shkallës së parë dhe të dytë me arsyetimin se paditësi nuk kishte të drejtë mbi pronën por vetëm mbi objektin që sipas dokumenteve ishte shtëpi dhe e ka kthyer rastin në rigjykim me rekomandim që të bëhen matje të pronës.

Në vitin 2006 ka filluar rigjykimi te e njëjta gjykatëse, sipas prokurorit, ajo kishte vepruar shumë shpejtë, kishte caktuar si ekspert Fehmi Havollin për të bërë matjet, me këtë rast, prokurori tha se janë bërë  disa versione të ekspertizës, një origjinale sipas fakteve reale ku shihej objekti i ndërtuar me katër kate dhe një tjetër sipas nevojave të lëndës që aty ishte një shtëpi e vjetër. Më tej ka theksuar se edhe gjykatësja e kishte marrë të njëjtin vendim si të parin përveç se tash kishte shënuar matjet e ekspertit dhe sipas tij, ndër të tjera kishte thënë se në vendngjarje kishte parë vetëm një shtëpi të vjetër me material ndërtimor përreth ndërsa objekti afarist prej katër katesh është lëshuar me qira në shtator 2005, më pas prona ishte bartur nëpër të akuzuarat tjera përmes kontratës së dhuratës, fillimisht nga Ajkuna Hashani tek Kadrie Hashani dhe Kimete Hashani-Ukaj, e pastaj tek të tjerat.

Prokurori ka theksuar se të gjitha kërkesat, paditë apo çfarëdo veprimi në emër të Leposllava Radenoviq dhe Muharrem Hashani e Ajkuna Hashani, i ka bërë Nuhi Uka sepse kjo është dëshmuar nga dëshmia e Leposllavës e cila ka thënë se veprimet rreth ndërrimit të pronave i kishte bërë Nuhi Uka, dhe poashtu Muharrem Hashani dinte pak të shkruante dhe të lexonte ndërsa nënshkrimin e vendoste në alfabetin cirilikë, ndërsa gruaja e tij ishte analfabete ndërsa nënshkrimin e bënte, duke vendosur gishtin në dokumente. Me këtë rast duke analizuar tërë procesin e veprimeve, ka thënë se Nuhi Uka ka pasur ndikim të madh në Gjykata, Komunë dhe Kadastër dhe se shumica e shkresave rreth kësaj parcele janë gjetur në shtëpinë apo zyrën e tij, andaj ka shprehur besim se me përgjimet e bëra, provat materiale të konfiskuara dhe dëshmitarët e dëgjuar,  me pamëdyshje është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar si në aktakuzë dhe ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen, e sidomos Nuhi Uka, Sanije Muçolli dhe Fehmi Havolli të marrin dënimin më të rëndë, poashtu ka kërkuar që të konfiskohet pasuria e fituar përmes këtij mashtrimi dhe prona t’i kthehet Komunës së Prishtinës.

Kryetari i trupit gjykues, Arcadius Szedek, seancën e radhës e ka caktuar për 27 prill 2016, në ora 10:00, në të cilën mbrojtja do të shpalosë fjalën e saj përfundimtare.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon Nuhi Ukën dhe Fehmi Havollin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe krimit të organizuar. Ndërkaq, Sanije Muçolli tani me profesion avokate dhe ish-gjyqtare akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore. Akuza përfshinë edhe Mirafete Hashani Bislimit, Kadrije Hashanit, Kimete Hashani Ukaj, Hilmije Miftarit dhe Ibadete Hashani Cakaj të cilat akuzohen për veprën penale legalizimi i përmbajtjes së rremë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë