Prokurori Pashku flet për rastin që kolegu i tij ia kërkoi votën për tri javë: “Jam gërdit prej asaj sjellje”

auto_17drejtesiasot1560779488
Author

Raporton: Gentrit DIBRANI

Tetor 16, 2020

Prishtinë – Prokurori i Shtetit në Departamentin e Përgjithshëm në Ferizaj, Paulin Pashku, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ka treguar për rastin kur kolegu i tij për tri javë rresht ia ka kërkuar votën për zgjedhjet në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Pashku ka thënë se mënyra sesi i është kërkuar vota ka qenë e gërditshme për të.  Ai ka shtuar se do të votojë në zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së, por siç ka thënë ai, nuk do ta lejojë që t’i imponohet vota.

“Jo, emrin nuk mundem me ta tregu se qëllimi nuk ka qenë te emri, por qëllimi u kanë te mënyra. Unë qysh e kam cek edhe në status, unë jam gërdit prej asaj sjellje, këtu është krejt esenca. Kurrë nuk jam marrë më këto sene, nuk u kanë asnjëherë qëllimi im aty. Normal që unë votoj, por nuk lejoj kërkush me ma imponu, me mu ba i mërzitshëm siç ndodhi aty. Emri i kolegut përnjëmend nuk qon peshë, tek e fundit, ai nuk është i Ferizajt, kaq mundem me ju thanë“, ka thënë Paulin Pashku për “Betimi për Drejtësi”.

Ai tutje ka shtuar se është dëshpëruar që, sipas tij, një prokuror relativisht në moshë të re të bëjë një kërkesë të tillë.

“Mu më ka ndodh tani hera e parë, edhe nuk lejoj me mu përsërit edhe hera të tjera edhe për atë unë e kam publiku. Këtu ka qenë qëllimi, që mos me mu afru hera të tjera. Unë jam njeri që flas, këtu është ideja. Nuk jam një njeri që heshti. Kemi me pas vota, kemi me votu. Unë jam dëshpru me atë se është prokuror i një moshe relativisht të re, prej tij pritet me u prodhu në këtë profesion edhe më ka pengu insistimi i tij tu mu tek, i ka nja 3 javë qashtu dikur m’ka ardh, m’ka  plas me fol, thjesht. Po qe tri javë në forma të ndryshe, atë ditë shprehimisht, hera të tjera në mënyrë të tërthortët. Më ka shku nerva se mu nuk mundet me mu drejtu ashtu edhe ka qenë i paralajmëruar edhe më herët mos me provu ashtu diçka, shumë qartë i kam thanë kur vjen puna, votoj, e votoj atë që ma merr menja. Ai insistimi i tij më ka pru me reagua qashtu”, ka thënë Pashku tutje.

Prokurori nuk e ka përjashtuar mundësinë që kolegu i tij nuk e ka bërë të njëjtin veprim edhe me prokurorët e tjerë.

“Nuk mundem me përjashtu, por unë nuk e di, prej tjerëve nuk e kam dëgju. Te unë kur ka ardh, unë ka reagu qashtu, i kam thanë shumë qartë edhe nuk e votoj edhe mos mëm ardh ma. Besoj e ka marrë leksionin. Punën e votës nuk e flas me kërkon”, ka thënë ai tutje.

Pashku ka shtuar se disa nga kolegët e tij po konkurrojnë për anëtarë të KPK-së që të marrin mëditje dhe tu shmangen lëndëve.

“Unë personalisht mendoj se krejt ky hov me shku me marrë pjesë atu është me i siguru disa mëditje, me ju shmangë lëndëve edhe me shku nëpër këso trajnime të kota që kanë nis. Trajnim më të mirë se përvojë se në sallë të gjyqit, marrja me lëndë, marrja në pyetje të palës janë përvoja ku ti formohesh. Trajnimet e kanë pjesë e vet, po mënyrë qysh po realizohen, mënyrë qysh po administrohen po i bën të pa vlefshme”, ka thënë prokurori Paulin Pashku.

Ai ka sqaruar se është hera e parë që ka të drejtë vote për zgjedhjet në KPK, pasi deri para një viti nuk ka qenë prokuror i rregullt.

“Për zgjedhje të Këshillit Prokurorial është hera e parë që e kam pas të drejtën me votu, sepse unë jam i emëruar si prokuror këtu ne Ferizaj prej vitit 2018. Një vit kemi qenë në akademi të drejtësisë, në atë kohë nuk kemi pas të drejtë me pranu lëndë as me përfaqësua d.m.th. në gjykatë, tek prej vitit të kaluar kemi fillu si prokuror të rregullt”, ka thënë ai.

Së fundi, në Këshillin Prokurorial të Kosovës janë tërhequr tre prokurorë, vetëm tre muaj para skadimit të mandatit të tyre pesë vjeçar.

Ndaj kësaj tërheqje të orkestruar ka reaguar publikisht Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Ndërkohë, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Zyra e BE-së janë tërhequr nga procesi i monitorimit të konkursit për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së dhe zgjedhjes së Kryeprokurorëve të Prokurorive.

Ditë më parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, nëpërmjet një deklarate, ka thënë se proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve, janë prishur në themel.

“Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe për të zgjedhur kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur në themel. Atyre u mungon transparenca dhe u nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Ambasada e SHBA-së kishte njoftuar  se më nuk do të marrë pjesë në këto procese, pasi “përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet në mënyrë të gabuar si një miratim i këtij sistemi të prishur”. /BetimipërDrejtësi