Prokurori paraprak s’e përfaqëson më aktakuzën, Prokuroria pa përfaqësues në gjykimin ndaj të akuzuarit për korrupsion

20190415_091636 (1)
Author

Raporton: Medina KADRIU

Prill 15, 2019

Prishtinë – Asnjë përfaqësues i organit të ndjekjes nuk është paraqitur në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj ish-kryetarit të bordit të “Kosova Thëngjilli”, Tahir Zeneli, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Tahir Zeneli më 17 mars 2010, si person zyrtar ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu”, në kundërshtim me vendimin e Bordit të Sh.A. “Kosova Thëngjill”, duke i shkaktuar humbje materiale në shumën prej 130.971,84 euro.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, ka bërë të ditur se ka provë që prokuroria është ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Sipas tij, prokurori që deri tani ka përfaqësuar lëndën, Rafet Halimi, pas kontaktimit përmes telefonit ka njoftuar gjykatën se sipas ndarjes së lëndëve në punë, ai nuk e përfaqëson më tutje aktakuzën.

“Do të thotë që Prokuroria Themelore në Prishtinë mungesën për seancën e sotme nuk e ka arsyetuar edhe pse ftesën për seancën e sotme e ka pranuar më 21 mars 2019”, ka thënë ai.

Prezent në seancën e së hënës, nuk ishte as përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Xhevat Bici për të cilin kishte provë se është ftuar në mënyrë të rregullt, kurse mungesën nuk e kishte arsyetuar.

As dëshmitari Isak Shala, nuk ka qenë prezent, i cili sipas gjykatësit Ibrahimi ishte ftuar përmes telefonit në mungesë të adresës së saktë dhe ai ka premtuar se do të jetë prezent.

Gjykatësi Ibrahimi, ka bërë të ditur se kanë pranuar disa dokumente nga pala e dëmtuar lidhur me çështjen e rabatit,  me të cilat ishte pajisur edhe mbrojtja.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 24 maj, me fillim nga ora 9:10.

Ndryshe, më 1 nëntor 2018,  ishte paraparë të bëhej shpallja e aktgjykimit, mirëpo ishte rihapur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Zeneli.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, kishte bërë të ditur se me rastin e vendosjes, trupi gjykues ka konstatuar se është e domosdoshme rihapja e këtij shqyrtimi gjyqësor.

Ai kishte deklaruar se vendimi është që shqyrtimi do të rihapet në fazën e procedimit të provave dhe do të dëgjohet dëshmitari Isak Shala.

Gjykatësi Ibrahimi, kishte thënë se nëse prokuroria do të vazhdojë të qëndrojë prapa aktit akuzues do të kërkohet nga prokurori që të bëj precizimin dhe plotësimin e aktakuzës.

Gjykatësit Ibrahimi, kishte deklaruar një gjë e tillë duhet të bëhet sepse në aktakuzë nuk janë të precizuara veprimet konkrete me të cilat do të manifestoheshin elementet e veprës penale.

Ai kishte deklaruar se mungon specifikimi i veprimeve inkriminuese dhe se ka diskrepancë mes fjalës përfundimtare të prokurorisë dhe aktakuzës.

Tutje, gjykatësi Ibrahimi, kishte thënë se në këtë rast ka një aktakuzë ku një kryetar bordi akuzohet për një vepër penale, kurse në gjykim paraqiten anëtarë të bordit që thonë se janë veprime të lejuara nga ata edhe pse një gjë e tillë nuk është materializuar me një procesverbal.

Gjithashtu, gjykatësi Ibrahimi, kishte thënë se do të kërkohet nga pala e dëmtuar “Kosova Thëngjilli” që të paraqes dokumentacion valid në lidhje me politikat e praktikuara për lejimin e rabatit.

Ai kishte deklaruar se ndoshta do të jetë nevoja të dëgjohet eksperti, pasi ka caktim të dëmit material që nuk korrespondon me dispozitiv të akuzës, pasi siç tha ai, eksperti ka caktuar një lartësi tjetër të dëmit, akti akuzues tjetër e pala dëmtuese tjetër.

Ai kishte thënë se prokuroria i referohet dëmit material edhe për veprime që nuk parashihen në aktakuzë.

Ai kishte bërë të ditur se trupi gjykues nuk mund të marr aktgjykim lirues sepse provat në shkresa të lëndës indikojnë se mund të ketë vepër penale, por njëkohësisht nuk mund të ketë as aktgjykim dënues pasi sipas tij, duhet të sqarohen disa gjëra.

Sipas aktakuzës, Tahir Zeneli më 17 mars 2010, si person zyrtar ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu”, në kundërshtim me vendimin e Bordit të Sh.A. “Kosova Thëngjill”.

Prokuroria pretendon se me veprimet e veta, i akuzuari i ka shkaktuar humbje materiale Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjill” në shumën prej 130.971,84 euro. /Betimipërdrejtësi