Prokurori nuk i prezanton provat, thotë se është obligim i trupit gjykues t’i lexojë ato

Raporton: Albana HASANI

Prishtinë – Në shqyrtimin gjyqësor, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj zyrtarëve të KQZ-së, Enis Halimi dhe Nexhmi Haxhiu, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, prokurori Feti Tunuzliu, ka deklaruar se nuk është i detyruar të bëjë prezantimin e provave materiale.

“Provat janë shënuar me rastin e ngritjes së aktakuzës dhe është obligim i trupit gjykues t`i lexojë ato prova e të kalohet kjo pikë”, ka thënë prokurori Tunuzliu.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, i ka tërhequr vërejtjen prokurorit, sepse, sipas tij, prokurori në shqyrtimin gjyqësor obligohet t’i prezantojë të gjitha provat një nga një dhe të sqarojë se çka vërteton secila, në mënyrë që t’ua jep palëve të drejtën që të deklarohen për to.

“Kodi i Procedurës Penale e obligon prokurorin që secilën provë duhet ta prezantojë përpara trupit gjykues. Ne nuk lexojmë prova. KPRK e ka ndërpre praktikën e leximit të provave nga ana e trupit gjykues”, ka thënë gjykatësi, Hamdi Ibrahimi.

Pas kësaj, gjykatësi Ibrahimi edhe një herë e ka pyetur prokurorin Tunuzliu, nëse do t`i prezantojë provat, ndërsa prokurori u përgjigj duke thënë se provat materiale janë prezantuar njëherë në aktakuzë, dhe sipas tij, me to janë njoftuar të gjitha palët.

“Ne nuk kemi ardhur këtu me dëgju ligjërata nga Kodi i Procedurës Penale”, ka shtuar më tutje prokurori Tunuzliu.

Ndërsa, në lidhje me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Enis Halimi, avokati Nikë Shala, tha se pavarësisht se kjo aktakuzë nuk është e bazuar në prova, çdo provë duhet të prezantohet në shqyrtim gjyqësor.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit, Nexhmi Haxhiu, avokati Artan Qerkini, tha se është obligim i prokurorit të shtetit të prezantojë përmbajtjen e çdo prove dhe të tregojë se secila provë çka vërteton.

Pas kësaj, seanca vazhdojë me prezantimin e provave nga ana e mbrojtësve.

Avokati Nikë Shala, mbrojtësi i të akuzuarit Halimi, ka prezantuar si provë vendimin mbi shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, e cila sipas tij, vërteton se është paraqitur nevoja për mbylljen e procedurës së tenderimit.

Ndërsa, avokati Artan Qerkini, mbrojtësi i të akuzuarit Haxhiu, ka thënë se tani për tani nuk ka për të prezantuar ndonjë provë materiale.

Seanca e radhës është caktuar më 17 korrik 2018, në ora 10:00.

Ndryshe, prokurori Tunuzliu edhe  në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur me 15 prillit të këtij viti, ndaj të akuzuarit për përvetësim në detyrë, Burim Gashit, kishte refuzuar të prezantojë provat, duke thënë se nuk është i detyruar ta bëjë një gjë të tillë.

Ndryshe, në bazë të aktakuzës së prokurorisë, Enis Halimi dhe Nexhmi Haxhiu si persona zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të tjetrit dhe të dëmtohet pasuria e Qeverisë së Kosovës.

Sipas prokurorisë, pasi drejtori i prokurimit në KQZ, Nexhmi Haxhiu ka bërë deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve dhe këtë e ka aprovuar Enis Halimi, si kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së në vlerën prej 472.3000.00 euro, KQZ, si autoritet kontraktues më 16 prill kishte publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), njoftimin për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Informimi publik për zgjedhjet e përgjithshme 2014”.

Aktakuza pretendon se KQZ, si autoritet kontraktues, ka bërë diskriminim ndaj kompanisë “Entermedia” si operator ekonomik, duke mos i dërguar dosjen identike të tenderit me ato që i kishte dërguar operatoreve të tjerë, duke shkelur nenin 7.1 dhe 50.4, 69.7, të Ligjit të Prokurimit Publik.

Po ashtu, në këtë aktakuzë, thuhet se pas skadimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni për hapjen e ofertave, më 02.05.2014 ka rezultuar se ofertat i kanë dorëzuar 10 operatorë dhe të njëjtin regjistër ia kanë dorëzuar të akuzuarit, Nexhmi Haxhiu.

Aktakuza, vazhdon me pretendimin se i pandehuri Haxhiu, me postë elektronike i kishte njoftuar të gjithë operatorët që kishin dorëzuar ofertat e tyre dhe të dy të pandehurit kishin bërë njoftimin në KRPP, që autoriteti kontraktues ka zbatuar procedurën e negociuar, pa publikimin e njoftimit për kontratë.

Gjithashtu në aktakuzë thuhet se sipas vlerësimit të ofertave, ofertat e disa operatoreve ekonomik ishin shumë më të ulëta se sa ato të operatorit ekonomik, që është ftuar në procedurën e negocimit, e që në fakt rezulton se është më e madhe se sa ofertat e tjera për 164.064 euro, për aq sa është dëmtuar edhe buxheti i KQZ-së.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë