Prokurori në udhëtim zyrtar, dështon gjykimi ndaj zyrtarit të PTK-së për përvetësim të mbi 70.000 eurove

Nora Kelmendi- Raporti per Web- rasti Dibran Fetahu- 6 nentor 2018
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Nëntor 6, 2018

Mitrovicë – Për shkak të mungesës së prokurorit Njazi Rexha, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj zyrtarit të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Dibran Fetahu, i akuzuar për përvetësim në detyrë.

Kryetari i trupit gjykues, Burim Ademi bëri të ditur se prokurori Rexha e ka dorëzuar në gjykatë një shkresë me të cilën ka njoftuar se, deri më 12 nëntor 2018, gjendet në një udhëtim zyrtar në Gjermani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç prokurorit Rexha, në seancën e së martës nuk ka prezantuar as i akuzuari Fetahu, për të cilin mbrojtësi i tij, avokati Vehbi Beqiri deklaroi se klienti i tij gjendet në Gjermani për çështje personale.

Avokati Beqiri tha se Fetahu është i gatshëm që në seancat a radhës të paraqitet në gjykatë dhe të vazhdojë me gjykimin.

Ndërkaq, në këtë seancë ka prezantuar përfaqësuesi i të dëmtuarës, Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Salih Morina, dhe dëshmitarja Sezana Kavaja.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 24 dhjetor 2018, nga ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të përpiluar më 29 dhjetor 2015, Dibran Fetahu akuzohet se deri më 28 janar 2014, në ndërtesën e PTK-së, selia në Mitrovicë, në cilësinë e arkëtarit ndihmës, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar sipas detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që shitjet e vazhdueshme të kartelave grithëse nga ana e sportelistëve nuk i kishte deklaruar në tërësi në librin e shitjes.

Në këtë mënyrë, ai akuzohet nga prokuroria se ka përvetësuar shumën prej 71,875.52 euro./Betimipërdrejtësi