Prokurori në seminar, dështon gjykimi ndaj tre të akuzuarve për grabitje në pika të derivateve

Nora Kelmendi- Rasti Fitim Imeri etj- Raporti per Web- 8 nentor 2018.
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Nëntor 8, 2018

Mitrovicë – Mungesa e prokurorit të rastit, Ismet Ujkani, ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit gjyqësor, kundër tre të akuzuarve për grabitje dhe armëmbajtje pa leje, Fitim Imeri, Jahir Xhafa dhe Ramë Baliu, e paraparë për këtë të enjte, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Fitim Imeri, Jahir Xhafa dhe Ramë Baliu, po akuzohen se gjatë dhjetorit të vitit 2011 dhe fillimit të janarit të vitit 2012, së bashku, duke vepruar si anëtarë grupi, në mënyrë të kundërligjshme dhe të pajisur me armë, kanë hyrë brenda objektit të pompës së derivateve “Al Petrol”, në atë “Kosova Petrol”, në magjistralen Mitrovicë- Prishtinë si dhe në dyqanin “DPT Remi”, në Vushtrri, duke kryer veprat penale “rastet e rënda të vjedhjes grabitqare apo të grabitjes”, “grabitja’ dhe “mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

Sipas  gjykatësit të rastit, Burim Ademi, Gjykata është në dijeni se prokurori Ujkani gjendet në trajtim profesional në Budvë të Malit të Zi, andaj sipas tij, nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës, me ç’rast njoftoi se nuk do të mbahet as seanca e paraparë për 9 nëntor 2018.

Seancat e radhës, u caktuan të mbahen më 12 dhe 13 nëntor 2018.

Ndërkaq, në seancë prezantuan të akuzuarit, Fitim Imeri, Jahir Xhafa dhe Ramë Baliu, si dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Berat Peci, Fatmire Braha dhe Nexhat Beqiri, po ashtu i dëmtuari Shefik Zeneli, i cili kërkoi nga gjykata që në seancat e radhës të ftohen mbrojtësit e viktimave.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë Publike të Qarkut në Mitrovicë, Fitim Imeri, Shaqir Sadiku, Jahir Xhafa dhe Ramë Baliu, më 3 dhjetor 2011, së bashku, duke vepruar si anëtarë grupi, në mënyrë të kundërligjshme dhe të pajisur me armë, kanë kryer veprën penale të grabitjes.

Bazuar në aktakuzë,  Fitim Imeri, ka hyrë brenda objektit të pompës së derivateve “Al Petrol”, me ç’rast ka grabitur 590 euro si dhe dy telefona në vlerë prej 125 euro, përderisa të akuzuarit Jahir Xhafa dhe Ramë Baliu kanë bërë roje.

Po ashtu, më 16 dhjetor 2011, i akuzuari Fitim Imeri ka përvetësuar pasurinë e luajtshme, në pompën “Kosova Petrol” në magjistralen Mitrovicë- Prishtinë, ashtu që Fitim Imeri i pajisur me armë, ka arritur të kryej veprën penale të grabitjes, duke përvetësuar shumën prej 90 euro dhe një telefon.

Me këtë, ka kryer veprat penale “rastet e rënda të vjedhjes grabitqare apo të grabitjes” nga neni 256 lidhur me veprën penale “grabitja’ nga neni 255 të Kodit Penal të Kosovës.

Përveç kësaj, i akuzuari Fitim Imeri, akuzohet edhe për kryerjen e veprave penale të lartcekura, pasi që sipas aktakuzës, më 11 janar 2012, në mënyrë të kundërligjshme, i maskuar dhe i armatosur,  ka hyrë në dyqanin “DPT Remi” në Vushtrri,  ashtu që të dëmtuarës, punëtores, Adelina Veseli, i ka kërkuar para dhe e njëjta ka rezistuar, e më pas i akuzuari me tytën e pushkës automatike e ka goditur në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Fitim Imeri, sipas kësaj aktakuzë, po ngarkohen edhe me veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. 328 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi.