Prokurori në pushim vjetor, dështon gjykimi për tentim vrasje ndaj ish-bashkëshortes

Foto te Elbasan Ukaj (1)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Korrik 11, 2019

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, Elbasan Ukaj.

Seanca e paraparë të mbahet të enjten, ka dështuar si pasojë e mungesës së prokurorit, Haxhi Sinanaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu, ka konstatuar se prokurori Sinanaj, me parashtresë, e ka njoftuar gjykatën që gjendet në pushim vjetor.

Gjykatësi Sharaxhiu ka konstatuar që prezent nuk janë as palët e dëmtuara B.M dhe L.GJ, të cilët janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo sipas tij, mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Ndërsa, të pranishëm ishin i akuzuari Elbasan Ukaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Faruk Binakaj.

Pasi që nuk janë krijuar kushtet ligjore për mbajtjen e gjykimit, seanca është shtyrë për 16 shtator 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë së ngritur më 10 gusht 2017, pretendohet se i pandehuri Elbasan Ukaj, më 27 qershor 2017, në Pejë, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta ish-bashkëshorten e tij, B.M dhe shoqëruesin e saj, L.Gj.

Aktakuza përshkruan se në ditën kritike derisa viktimat në fjalë ishin ndaluar me veturë, në ato momente i pandehuri del nga hyrja e ndërtesës me armë në dorë dhe në një distancë prej tre metra shtie njëherë në drejtim të tyre, ku më një predhë godet xhamin e veturës.

Gjithmonë sipas akuzës, derisa viktimat ishin duke u larguar me shpejtësi, i akuzuari vrapon pas tyre dhe shtie edhe njëherë në drejtim të tyre, ku e godet pjesën e pasme të veturës.

Në pikën e dytë të akuzës, i pandehuri Ukaj, akuzohet se në mënyrë të paautorizuar ka përdorur armën e llojit të panjohur. /BetimipërDrejtësi