Prokurori ndryshon aktakuzën ndaj ish-doganierëve se nxorën sekrete tregtare për importin e veturave nga djali i ish-kryeministrit Mustafa

IMG_0890
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Nëntor 19, 2019

 


Ferizaj – Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ishte paraparë të jepej fjala përfundimtare nga palët në procedurë, ndaj ish-zyrtarëve doganorë, Enliat Shala, Ramadan Latifaj dhe Isa Shiti, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe komunikimit të paautorizuar të sekretit tregtar.

Por, palët nuk kanë arritur të japin fjalët përfundimtare, pasi që prokurori i rastit, Rasim Maloku, ka sjell para gjykatës një kopje të ndryshuar të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor, prokurori Maloku tha se pas administrimit të provave ka ndryshuar gjendja faktike, për çka ka njoftuar se edhe ka bërë ndryshimin e aktakuzës.

Të tre të pandehurit akuzoheshin se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “komunikimi i paautorizuar i sekretit tregtar”, por pas ndryshimit të aktakuzës, për kryerjen e këtyre dy veprave po akuzohet vetëm i pandehuri Latifaj.

Ndërsa, i pandehuri Shiti tash akuzohet vetëm për veprën penale “komunikimi i paautorizuar i sekretit tregtar”.

Ndaj të pandehurit Shala, prokurori Maloku ka hequr dorë nga ndjekja penale, me arsyetimin se nuk është vërtetuar se ai ka konsumuar elementet e veprave penale për të cilat akuzohej.

Seanca e radhës është caktuar më 20 nëntor 2019, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2019, Prokuroria Themelore në Ferizaj, po akuzon Ramadan Latifajn dhe Enliat Shala, se më 10 mars 2016, në Doganën Rajonale në Ferizaj, si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me kërkesë të pandehurit Enliat Shala, i akuzuari Ramadan Latifaj kishte hapur sistemin “Asyeuda” në kompjuterin e punës në zyrën e Isa Shitit dhe kishte printuar Deklaratën Unike Doganore (DUD), të importuesit “MAKCAR” LL.C me seli në Prishtinë, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës “BMË”, nga ndërmarrja “Delta Motors” D.O.D me seli në Beograd, Republika e Serbisë, e cila ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen dhe pronarit të saj.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, të njëjtit akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale komunikimi i paautorizuar i sekretit tregtar nga neni 292 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se më datë dhe vend të njëjtë, si persona zyrtarë i kishin komunikuar personave të tretë sekrete afariste të ndërmarrjes “MAKCAR” dhe atë numrin e DUD-it.

Ndërsa, Isa Shiti dhe Enliat Shala, akuzohen se më 16 mars 2016, afër vendkalimit Hani  i Elezit, si person zyrtar dhe të i akuzuari Shala, doganier në Degën Rajonale të Doganës në Ferizaj, kurse i akuzuari Shiti shpediter në “Interevropa”, me seli në Han të Elezit, me pronar Arben Mustafa, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm.

Sipas aktakuzës, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që me kërkesën e të pandehurit Enliat Shala, i akuzuari Shiti e kishte hapur sistemin “Asyeuda” në kompjuterin e punës në zyrën e tij dhe kishte printuar DUD-in të importuesit “MAKCAR” LL.C, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës “BMË”, nga ndërmarrja “Delta Motors” D.O.D, me seli në Beograd të Serbisë, e cila ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen dhe pronarit të saj.

Me çka akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Isa Shiti dhe Enliat Shala akuzohen edhe për veprën tjetër se në bashkëkryerje kanë  kryer veprën penale “komunikimi i paautorizuar  i sekretit tregtar”, nga neni 292 paragrafi1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, si persona zyrtarë i kishin komunikuar personave të tretë sekrete afariste të ndërmarrjes “MAKCAR”. /BetimipërDrejtësi