Prokurori Mehdi Sefa: Dëshmitari Gegë Thaçi ka ndërruar deklaratat e dhëna në polici për pazarllëqet për blerjen e patentë shoferit

Raporton: Adem KRASNIQI

Prizren – Në shqyrtimin gjyqësor, ndaj të akuzuarit Pjetër Boqi, instruktor në autoshkollën “Geni” në Prizren, u morën në pyetje dy dëshmitarët Gegë Thaçi dhe djali i tij Mhill Thaçi.

Sipas prokurorit të rastit Mehdi Sefa, gjatë gjithë marrjes në pyetje, dëshmitarët vazhdimisht ndërronin deklaratat e tyre në krahasim me deklaratat e dhëna në polici.

Dëshmitari Gegë Thaçi, tha se ia kishte dhënë 500 euro tani të akuzuarit Boqi, në zyrën e tij, për ta paguar për orë shtesë për aftësimin e djalit të tij për patentë shofer. Por prokurori Sefa tha se sipas deklaratës në polici, ai ia kishte dhënë fillimisht 100 euro dhe 400 tjera në një lokal, pasi që djali i tij e kishte kryer testin për patentë shofer. Gjithashtu prokurori Sefa ia kujtoi dëshmitarit Thaçi edhe deklaratën tjetër të dhënë në polici, ku ai kishte thënë se kishte pasur një marrëveshje me te akuzuarin Boqi, që ta ndihmonte djalin e tij në kryerjen e testit për patentë shofer. Dëshmitari Thaçi tha se nuk kishte pasur marrëveshje dhe se nuk i kujtohen saktësisht çfarë ka thënë në polici, sepse ka kaluar kohë e gjatë.

Dëshmitari tjetër Mhill Thaçi, tha se babai i tij Gegë Thaçi, kishte kërkuar që të mbante orë shtesë, dhe për këtë e kishte paguar instruktorin Boqi. Ai shtoi se nuk e dinte sa orë gjithsej i ka mbajtur dhe se nuk ishte në dijeni se çfarë “pazari” kishte bërë babai i tij me instruktorin Boqi. “ Dy javë kam shkuar në ligjërata te Pjetër Boqi për t’u aftësuar për testin për patentë shofer. Kam hy dhe e kam plotësuar vet testin”, tha dëshmitari Thaçi.

Pasi që trupi gjykues kishte gjykim në një rast tjetër, kryetari i trupit gjykues Skender Çoçaj, e ndërpreu seancën për të vazhduar me tjerë dëshmitarë më 27 shtator 2016, në ora 10.

Sipas aktakuzës, Pjetër Boqi akuzohet se gjatë periudhës shkurt – prill të vitit 2011, si instruktor në autoshkollën “Geni”, kishte kërkuar dhe kishte marrë para nga disa persona. Gjithnjë sipas aktakuzës, në këtë mënyrë ai iu kishte premtuar personave që iu kishte marrë paratë, se dhënien e testit për marrjen e patentë shoferit, e kanë të siguruar.

 

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë