PROKURORI KËRKON EKSPERTIZË TË RE FINANCIARE NË RASTIN E KORRUPSIONIT NDAJ NEBIH JASHARIT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të mërkurën, vazhdoi shqyrtimi gjyqësor ndaj Nebih Jasharit i akuzuar për veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit”. Në këtë shqyrtim  gjyqësor në cilësinë e dëshmitarit deklaroi Halil Rushiti. Seanca e së mërkurës, ishte paraparë të filloi në ora 09:00, mirëpo e njëjta filloi me më shumë se dy orë vonesë dhe atë në ora 11:20, për shkak të pritjes së dëshmitarit Rushiti, pasi që siç konstatoi edhe kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, Policia e Kosovës nuk e kanë zbatuar me kohë urdhëresën e lëshuar ndaj dëshmitarit. Në këtë seancë gjithashtu për shkak të kësaj shtyrje përfaqësuesi i palës së dëmtuar APK-së, Xhelal Salihu nuk prezentoi në shqyrtimin e mbajtur, për shkak se i njëjti kishte të caktuar seancë tjetër në ora 13:00 në Gjilan, e që i njëjti në kohën e paraparë prej orës 09:00 ishte prezent në sallën e gjykimit.

Ky shqyrtim gjyqësor, vazhdoi me prezentimin e provave, konkretisht me dëgjimin e dëshmitarit Halil Rushiti, i cili në pyetjet e prokurorit të shtetit Rasim Maloku deklaroi që në ndërmarrjen “Eurometali” me seli në Ferizaj ka punuar edhe para vitit 2000, dhe atë prej vitit 1990 deri në vitin 1999, por tha se edhe pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë ai përsëri kishte filluar të punoj në këtë ndërmarrje, gjegjësit në vitin 2000, e ku ishte kthyer në vendin e njejtë të punës si më herët –drejtor teknik. Më pas në vitin 2005 si drejtor i inxhinieringut dhe marketingut. Ai tha që kishte qenë edhe kryetar i komisionit të kontrollës dhe që në atë kohë drejtor gjeneral i ndërmarrjes kishte qenë tanimë i pandehuri Nebih Jashari. Sa i përket pyetjes se a ka pasur auditim të jashtëm dhe të  brendshëm në ndërmarrje gjatë periudhës kohore prej vitit 1998-2004 (pasi që gjatë kësaj periudhe i  pandehuri Jashari akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit si drejtor general i ndërmarrjes “Eurometali”) dëshmitari u përgjigj se me sa i kujtohet nuk ka pasur auditim të jashtëm në kuadër të ndërmarrjes , ndërsa për auditim të brendshëm ai tha se ka pasur raporte vjetore të kryera nga kontabiliteti kurse raporte të auditimit të brendshëm për këtë periudhë kohore ai deklaroi se nuk ka pasur, përveç këtij raporti që e kanë kryer si komision i kontrollës interne.

Përkitazi me pyetjen se si kryetar i komisionit a ka nënshkruar ndonjë kallëzim penal ndaj drejtorit general, tani të pandehurit Nebih Jashari, ai deklaroi se pasi që sektori juridk i cili vepronte në kuadër të ndërmarrjes kishin përgatitur kallëzimin penal ndaj Jasharit, të njëjtin e kishte nënshkruar, sepse si komision dhe vetë si kryetar i komisionit kishin pasur dyshime se kanë ekzistuar keqpërdorime.

Prokurori Rasim Maloku, rreth plotësimit të provave në këtë çështje propozoi trupit gjykues për një ekspertizë të re financiare. Përkundër asasj që deri në këtë fazë të procedurës janë dhënë dy ekspertiza financiare, prokurori përsëri kërkoi ekspertizë të re, pasi që sipas tij, dy ekspertizat e dhëna më herët janë plotësisht kontradiktore dhe kërkoi që me ekspertizë e re të jepet mendimi dhe konstatimi për pikat 2,3 dhe 4 të aktakuzës , të cilat i referohen periudhës kohore prej vitit 1999 dhe 2002. Gjithashtu propozoi që të kërkohet nga Ministria e Drejtësisë – Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar se a është proceduar me kërkesën e Gjykatës për organet e Republikës së Maqedonisë lidhur me dy kompani bashkëpunëtore nga Maqedonia me ndërmarrjen “Eurometali”.

Lidhur me këtë propozim të prokurorit avokati i të akuzuarit Avni Ibrahimi deklaroi se në parim nuk e kundërshtojnë por tha që do të përsëritet situatë e njëjtë edhe njëherë.

Trupi gjykues sa i përket këtij propozimi morri aktvendim me të cilin u aprovua propozimi i prokurorit që të urdhërohet ekspertiza prej tre ekspertëve financiar në këtë çështje penale ndaj Nebih Jasharit dhe atë për periudhën kohore prej datës 30.08.1999 që i referohet pikës 2 të aktakuzës, pastaj periudhës prej datës 08.03.2002 që ka të bëjë me pikën 3 të aktakuzës dhe për datën 13.12.2002 e cila i referohet pikës 4 të aktakuzës. Trupi gjykues konstatoi se ekspertizën do t’a kryejnë grupi i ekspertëve të urdhëruar me urdhëresën e datës 14.11.2014 të cilët njëkohësisht kishin  kërkuar plotësim të dokumeteve për periudhën kohore prej 01.07.1999 – 31.12.1999 nga dy kompanitë e Republikës së Maqedonisë. Po ashtu me aktvendim u vendos që edhe njëherë të kërkohet nga Ministria e Drejtësisë – Departamenti për bashkëpunim juridk ndërkombëtar që t’a njoftoi gjykatën lidhur me rezulatatin e kërkesës për realizimin e ndihmës juridike ndërkombëtare të datës 7 prill 2015.

Me këtë aktvendim përfundoi shqyrtimi gjyqësor ndaj Jasharit, ndërsa seanca e rradhës u caktua se do të mbahet pas plotësimit të kushteve konkretisht pasi të sigurohet ekspertiza e urdhëruar. Për datën e seancës së ardhshme palët u njoftuan se do të u dërgohen ftesat e rregullta nga gjykata.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë