Prokurori kërkon dënimin e ish-zëvendëskomandantit të Policisë në veri të Mitrovicës, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Raporti për web- rasti Darko Gusniq, 15 maj 2019
Author

Raporton: Saranda MEHANA

Maj 15, 2019

Mitrovicë – Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar që gjykata të shpall fajtor dhe ta gjykojë me dënim sipas ligjit ish-zëvendëskomandantin e Policisë në veri të Mitrovicës, Darko Gusniq, i  akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Një propozim të tillë e ka bërë prokurori Ismet Ujkani, në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku është dhënë edhe fjala përfundimtare për këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Ujkani, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se qëndron pranë aktakuzës, duke thënë se nga provat që gjenden në shkresat e lëndës e të administruara si prova gjatë shqyrtimit gjyqësor, ka rezultuar si i akuzuari Gusniq ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas prokurorit Ujkani, nga provat e nxjerra ka rezultuar se i pandehuri ka qene zëvendëskomandant në Stacionin Policor në Veri dhe ka nënshkruar memorandumin për shpenzime te derivateve të mbushura nga zyrtari Dragan Kompiroviq për automjetet zyrtare të policisë, si në dispozitiv të aktakuzës, ndërsa siç ka thënë ai, është dashur të verifikojë shpenzimet e derivateve për këto automjete.

Ndërkaq, ndryshe është deklaruar mbrojtësi i të akuzuarit avokati Agim Lushta, i cili në fjalën  e tij përfundimtare ka thënë se konsideron se nuk ka prova të mjaftueshme, të cilat do të vërtetojnë dyshim mirë të bazuar se klienti i tij, ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, duke kërkuar që i akuzuari të shpallet i pafajshëm në mungese të provave.

“Do te vërtetojmë se i pandehuri nuk është person përgjegjës në pjesën veriore të Stacionit Policor, pasi që duhet të vërtetojmë kufijtë e kompetencave të tij si zëvendës i komandantit të Policisë, prandaj në këtë fjale përfundimtare bazohem në rregullat dhe parimet te procedurës se  policisë P/10.01 nga data 15 04 2008, ku në piken F ceket përgjegjësia e drejtorit regjional për administrimin dhe e komandantit të stacionit policor që te sigurohet në përgjegjësi shfrytëzimi i automjeteve policore. Po ashtu, komandantet janë gjithashtu përgjegjës për kontrollin dhe mundësisë se përdorimit dhe mirëmbajtjes se automjeteve të Policisë, këtë përgjegjësi  mund ta bartin të shërbyesit civil kompetent për transportin e automjeteve. Në piken G paragrafi 2, çdo komandant i policisë -zyrtar për transportin e automjeteve duhet gjithmonë të jetë i informuar për lokacionin e automjeteve te caktuara  nga stacioni i tyre, dhe në nenin 3 shpenzimi i derivateve për çdo regjion duhet të përcaktohet nga ana e logjistikes se Policisë sipas buxhetit” shtoi avokati Lushta.

Sipas avokatit Lushta, në përshkrimin e punës se zëvendëskomandantit nuk ekziston ndonjë akt i autorizimit nga ana e drejtorisë kryesore të Policisë në Prishtinë ose Ministria e Punëve të Brendshme, me të cilin ai caktohet si person përgjegjës për verifikimin e shpenzimeve të derivateve.

Sipas tij, i vetmi që e ka pasur autorizimin në atë kohe.sa ka qene komandanti Bratisllav Kragoviq.

“Si zyrtari civil i MTO ka qenë Drgan Kompiroviq zyrtarisht për kryerjen e këtyre punëve  i cili ka qene nën mbikëqyrjen e Dragan Kovaqeviq”, tha avokati Lushta.

“Si dëshmitar i vetëm në këtë procedure penale e kemi lexuar dhe dëgjuar deklaratën e Florim Sejdiu, i cili e ka kryer detyrën e zyrtarit  Regjionale te MTO dhe pas kësaj deklarate e cila është lexuar nuk ka jep asnjë prove me shkrim i cili ka pas për obligim tubimin e faturave dhe urdhëresave zyrtare, përpos një shkrese të cilën e kemi dorëzuar si prove dhe të cilën e ka konstatuar ai që një automjet shpenzon 22 litra  naftë në 6 kilometra”, shtoi avokati Lushta.

Më tej, avokati Lushta ka thënë se në këtë lëndë nuk ka prova sa kanë qenë shpenzimet e sakta të derivate për çdo automjet dhe sa ka kushtuar çmimi i një litre, pasi që siç ka thënë ai, nuk ka asnjë dëshmi, edhe pse janë faturat, në ato sipas avokatit, nuk janë cekur vlera e derivatit.

Sipas avokatit, është edhe memorandumi të cilët janë të nënshkruara nga ana e komandantit Kragoviq dhe zëvendësit Darko Gusniq dhe siç ka thënë ai, mund të vërtetohet se ata në fillim të shkurtit të vitit 2011, kanë deklaruar pjesë regjionale MTO Florim Sejdiu, rreth shpenzimeve të derivateve.

Po ashtu, në këtë seancë, i akuzuari Gusniq është deklaruar se dëshiron të mbrohet në heshtje, me ç`rast edhe leximi i deklaratës se tij të dhënë në procedurën e mëhershme është kundërshtuar nga ana e avokati Agim Lushta, me arsyetimin se është marr pa prezencën e avokatit.

E lidhur me këtë, gjykata ka marr aktvendim me të cilin ka pranuar kundërshtimin e avokatit Agim Lushta dhe marrjes në pyetje të Darko Gusniq, më 20 korrik 2012 duke e cilësuar si provë të papranueshme në kuptim të nenit 53 paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 3, e në lidhje me nenin 257, paragrafi 3 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithashtu, në seancën e së mërkurës, janë administruar provat e propozuara nga ana e prokurorit, si dhe janë aprovuar edhe disa prova të reja të propozuara nga mbrojtësi i të akuzuarit Agim Lushta.

Po ashtu, është lexuar deklarata e dëshmitarit Florim Sejdiu, pasi që është konstatuar se sipas informatave të Policisë, ai gjendet jashtë vendit, dhe se i njëjti nuk punon në Polici, e për të cilën deklaratë kishte vërejtje nga ana e avokatit Lushta.

Lidhur me këtë rast, shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më 17 maj 2019, në ora 13:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së precizuar të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 3 shtator 2018, Darko Gusniq, po akuzohet se në periudhën kohore, nga data 1 janar 2011 deri në prill të vitit 2012, si person zyrtarë në stacionin policor në veri të Mitrovicës, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Darko Gusniq si zëvendëskomandant, nuk i ka verifikuar shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të policisë, të mbushura me derivate nga zyrtari i stafit civil, Dragan Kompiroviq.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Darko Gusniq, ka nënshkruar memorandumet për shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të policisë, me ç’rast i është shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 9.146.01 euro.

Me këtë, akuzohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422  paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç tij, i akuzuar për të njëjtën vepër penale ka qenë edhe Bratisllav Kragoviq, por në seancën e mbajtur më 29 gusht 2018, prokurori i rastit, Ismet Ujkani, ka thënë se me një vendim të 23 gushtit 2011, të njëjtit i është ndërprerë marrëdhënia e punës, dhe sipas tij, veprimet e tij nuk përmbajnë elementet e veprës penale me të cilën e ngarkon aktakuza, e që supozohej se i ka kryer nga janari i vitit 2011 e deri në prill të vitit 2012.

Më këtë rast, prokurori Ujkani, ka deklaruar se tërhiqet nga ndjekja penale për këtë të akuzuar.

Po ashtu, Ujkani ka shtuar se sipas aktakuzës, për veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit”, nga neni 339 i Kodit të vjetër Penal të Kosovës, të cilën Kragoviq akuzohej se në periudhën 2011-2012, e ka kryer në bashkëkryerje me të akuzuarin Darko Gusniq, e njëjta sipas tij, ka arritur parashkrimin absolut, duke cekur më pas se dënimi për këtë vepër parashihej deri në tre vjet.

Përkundër kësaj, prokurori Ujkani, në atë seancë është shprehur se qëndron prapa aktakuzës dhe ndjekjes penale për të akuzuarin tjetër në këtë rast, Darko Gusniq, duke e ngarkuar me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal i Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 3 maj 2019, ka marr aktvendim me të cilin ka pushuar procedurën penale dhe hedhur aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ndaj Bratisllav Kragoviq. /BetimipërDrejtësi