Prokurori jep fjalën përfundimtare, në rastin e ish-Togerit të Rajonit të Ferizajt Menderes Sinani

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Më shumë se katër orë ka zgjatur fjala përfundimtare e prokurorit Drew Engel, prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në rastin e ish-Togerit të Njësisë së Anti-Trafikimit për Rajonin e Ferizajt, Menderes Sinani.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Engel ka sqaruar veprimet e të akuzuarit kryesor në këtë rast gjyqësor ish-Togerit Menderes Sinani, por edhe të gjashtë akuzuarve tjerë.

Lidhur me këtë rast prokurori Engel tha se e gjitha filloi me arrestimin e Bidajet Sylejmanit dhe përpjekjet miqësore të akuzuarit Menderes Sinani për të ndihmuar në lirimin e tij.

“Nga muaji maj deri në gusht 2012, si dhe nga janari deri në mars 2013, dy të akuzuarit Menderes Sinani dhe Besim Shabani në mënyra të ndryshme morën shuma të ndryshme parash nga familjarët e Bedajet Sylejmanit, për gjoja lirimin e tij”, tha prokurori Engel.

Ai sqaroi veprimet e të akuzuarit Menderes Sinani, si dhe lidhjet e tij me veprimet penale të kryera nga të akuzuarit tjerë në këtë rast, siç janë të akuzuarit Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Burim Veseli.

Vazhdimi i kësaj seance do të jetë më 9 shtator 2016, me fillim në ora 9.30. Në atë seancë do të vazhdoi prokurori me fjalën përfundimtare, si dhe do të japin fjalën përfundimtare pala e dëmtuar.

Ndryshe, ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila më 27 dhjetor 2013 kishte akuzuar Menderes Sinanin, ku në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë për Anti-Trafikim në Ferizaj kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Gjithnjë sipas aktakuzës Vahid Tahiri, si punëtor i ndërtimtarisë ka kryer veprat penale “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “ dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar edhe pesë persona tjerë: Besim Shabani, Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Burim Veseli.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë