PROKURORI ILAZ BEQIRI SHPËRFILL KRYETARIN E TRUPIT GJYKUES, NDËRPRITET SEANCA KUNDËR ISH-ZYRTARËVE TË BSPK-së

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Pengimi i vazhdueshëm në punën e trupit gjykues nga prokurori i shtetit Ilaz Beqiri, ishte shkas që kryetari Beqir Kalludra të ndërpres seancën gjyqësore të korrupsionit, kundër tre ish-zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Bahri Shabani, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani, të akuzuar për veprën penale ”përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”.

“Ti konstatoje pyetjen time, pastaj vendos çka të dush”, ishin fjalët e prokurorit Beqiri, i cili edhe përkundër tërheqjes së vërejtjes me ndërprerje të seancës nga kryetari i trupit gjykues, vazhdimisht insistonte në këtë.

Gjyqtari Kalludra disa herë u tërhoqi vërejtje palëve për mbajtje të qetësisë në seancë dhe respektim të trupit gjykues, me kërcënimin se nëse vazhdohet kështu do të detyrohet t’a ndërpresë gjykimin. Megjithatë, insistimi i vazhdueshëm i prokurorit Beqiri dhe ndërhyrjet e shpeshta në fjalët e kryetarit të trupit gjykues Beqir Kalludra, bënë që ky i fundit të marr aktvendim për ndërprerje të seancës.

Gjyqtari Kalludra paralajmëroi se do t’i shkruaj shkresë Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për përjashtim të prokurorit Ilaz Beqiri nga ky gjykim.

Seanca e së martës u karakterizua edhe me përplasje ndërmjet mbrojtësit të Rrahman Eminit, avokatit Ali Latifi dhe kryetarit të trupit gjykues Beqir Kalludra, të cilit gjyqtari i dha vërejtje për përjashtim nga përfaqësimi në këtë proces gjyqësor.

Në këtë seancë vazhdoi mbrojtjen e tij i akuzuari Rrahman Emini, i cili u deklarua edhe për huazimin e mjeteve në shumën prej 11.500,00 euro, në emër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale-MPMS. Në lidhje me këtë, i akuzuari Emini tha se ato mjete i ka lëshuar nga Arka e BSPK-së në kesh, me urdhëresë të nënshkruar nga eprori dhe në mbështetje të kontratës mes BSPK dhe MPMS.

I akuzuari Emini deklaroj se parat në bazë të urdhëresës i’a ka dorëzuar të akuzuarit tjetër në këtë rast Sami Rrahmanit, ndërsa nuk ishte në dijeni se a kanë shkuar në destinacionin e shënuar në urdhëresë.

“Në kohën sa kam punuar si Kontabilist i BSPK-së mjetet nuk janë kthyer, por më vonë kam dëgjuar se ato mjete janë kthyer në llogarinë bankare të BSPK-së” tha i akuzuari Rrahman Emini.

Trupi gjykues me aktvendim e ndërpreu seancën, duke paralajmëruar ankesë të Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për përjashtim të prokurorit Ilaz Beqiri nga ky rast dhe caktimin një prokuroi tjetër.

Seanca e radhës u caktua për 16 gusht 2016, me fillim në ora 9.00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon tre ish-zyrtarët e BSPK-së, Bahri Shabani-Kryetar, Rrahman Emini-Financier dhe Sami Rrahmani-Shofer, se të njëjtit kanë keqpërdorur pozitën zyrtare. Sipas prokurorisë, të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake dhe me qëllim të përvetësimit të dobisë pasurore, kanë tërhequr nga Arka e BSPK-së, në emër të huazimit për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale shumën e parave prej 11.500,00 euro. Nga ana tjetër, një kontratë e tillë nuk ekziston në MPMS, me çka mjetet e tërhequra janë përvetësuar nga të akuzuarit, por të cilët e kanë mbyllur Arkën e BSPK-së në emër të kthimit të huazimit nga kjo ministri.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë