Prokurori i pakënaqur me ekspertizën financiare, propozon edhe tre ekspertë të tjerë në rastin e korrupsionit ndaj zyrtarëve të Kaçanikut

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Pas dëgjimit të ekspertit financiar Vehbi Ymeri, të propozuar nga pala mbrojtëse, përkatësisht mbrojtësi i të akuzuarit Agron Shurdhani, avokatit Daut Rudi , prokurori Rasim Maloku u shpreh i pakënaqur me ekspertizën e tij dhe i propozoi trupit gjykues që në këtë çështje penale të caktohen tre ekspertë të tjerë.

Në seancën e së hënës, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj Hajredin Shehut, Agron Shurdhanit, Xhelal Gashit dhe Ramiz Shehut të akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i pozitës apo  autoritetit zyrtar”, u dëgjua eksperti financiar Vehbi Ymeri. Propozuesi, respektivisht avokati Daut Rudi i cili përfaqëson të akuzuarin Agron Shurdhani, si dhe tre të akuzuarit e tjerë deklaruan se nuk kanë pyetje për ekspertin sepse ekspertiza e përpiluar nga ai sipas tyre është shumë e qartë dhe koncize.

Ndërkaq eksperti Ymeri, në pyetjet e prokurorit Rasim Maloku deklaroi se pas shikimit të të gjitha dokumenteve që gjenden në shkresat e lëndës nuk ka arritur të konstatojë se për projektin apo tenderin për asfaltimin e rrugës “Ismajl Raka” në Kaçanik, i është shkaktuar dëm ndonjë palës dhe poashtu tha se nuk ka gjetur që ka ndonjë vlerë të dëmit të shkaktuar në rastin konkret. Baza kryesore për bindjen e tij se nuk është shkaktuar dëm tha se ka qenë e mbështetur në vlerën e projektit, 370,000 euro ku deklaroi se në rastin konkret janë kryer të gjitha procedurat në mbështetje me ligjin, janë bërë pagesat, mjetet e destinuara për këtë projekt janë shfrytëzuar të gjitha dhe se projekti është realizuar ashtu siç ka qenë e paraparë. Baza tjetër sipas tij ka qenë se askush nga palët e pakënaqura nuk ka parashtruar ankesë. Prokurori disa herë i  parashtroi pyetje që kishin të bëjnë me disa pagesa të kryera gjatë kësaj periudhe, mirëpo eksperti u përgjigj se detyra e tij si ekspert në këtë çështje ka qenë të konstatojë a është shkaktuar dëm dhe sa është vlera e dëmit, duke rezervuar të drejtën e mosdhënies së përgjigjes në këto pyetje. Sa u përket këtyre pyetjeve edhe avokati Rudi për disa herë radhazi i kundërshtoi dhe pati vërejtje se për këto pyetje është dashur të pyetet eksperti i prokurimit i cili është dëgjuar në seancat e mëparshme.

Kështu, prokurori Maloku pas dëgjimit të ekspertit i propozoi trupit gjykues të kryesuar nga Musa Konxheli, që në seancën e radhës të caktohen edhe tre ekspertë të tjerë, dhe atë dy ekspertë nga fusha e prokurimit dhe një ekspert financiar të cilët do të konstatojnë se a janë kryer pagesat në pajtueshmëri me ligjin për prokurimin publik dhe a është bërë ekzekutimi i tyre në pajtim me ligjin për menaxhimin e financave publike.

Çështja penale ndaj të akuzuarve zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj , me të cilën të pandehurit Hajredin Shehu, Ramiz Shehu, Agron Shurdhani dhe Xhelal Gashi akuzohen se gjatë muajit nëntor – dhjetor 2007 në Kaçanik kanë keqpërdorur detyrën. Në cilësi të personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ata akuzohen se kanë shpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat. Kjo kishte ndodhur në procedurën e tenderimit për asfaltimin e rrugës lokale të fshatit Stagovë, në Kaçanik, i cili ishte shpallur më 25 tetor 2007 me numër të prokurimit 109788/07/027/521. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Agron Shurdhani  e kishte nënshkruar kontratën me NTP “Burimi” me seli në Kaçanik, edhe pse këtë kontratë është dashur t’a nënshkruaj Menaxheri i Zyrës së Prokurimit. Ndërsa i pandehuri Hajredin Shehu si mbikëqyrës i punimeve për asfaltimin e kësaj rruge më 17 dhjetor 2007 kishte përpiluar një raport ku ka konstatuar se ndërmarrja “Burimi” kishte kryer punët sipas kontratës, edhe pse punimet në rrugë as që kishin filluar. Sipas Prokurorisë, ky raport ishte përpiluar pas marrëveshjes gojore me të pandehurin Xhelal Gashi, i cili si Kryetar i Kuvendit të Komunës së Kaçanikut , këtë raport e kishte konfirmuar edhe me rekomandimin  e 18 dhjetorit 2007 me numër 01-nr.150/2007, në bazë të të cilit raport i pandehuri Ramiz Shehu si ushtrues detyre i zyrës së prokurimit ka lëshuar urdhër-blerje në vlerë prej 267,598 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë