PROKURORI: I AKUZUARI SINANI DËSHIRON TA HAJË TORTËN DHE TA KETË NË TË NJËJTËN KOHË

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, ka vazhduar të jap deklaratën e tij ish-togeri i Rajonit të Ferizajit, Menderes Sinani, i akuzuar për shtatë vepra penale. Mirëpo në fillim të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Aziz Rexha, ka bërë të ditur se klienti i tij ka vendosur që mos të përgjigjet në asnjë pyetje që ka të bëjë me veprat penale me të cilat ngarkohet në pikën 4, 5, 6, 7 dhe 8 të aktakuzës, e të cilat janë “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, ”moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. I njejti ka theksuar se lidhur me këto vepra do të përgjigjet vetëm në pyetjet që ka trupi gjykues. Ndërkaq sa i përket 3 veprave penale “shpërdorim i pozitës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit”, për të cilat ngarkohet në pikën 1, 2 dhe 3 të aktakuzës, ai do të përgjigjet në secilën pyetje që do të bëhet lidhur me to, qoftë nga prokurori, pala e dëmtuar, avokati i të akuzuarit tjetër apo edhe nga trupi gjykues.

Këtë vendim të të akuzuarit e ka kundërshtuar prokurori i çështjes, Drew Engel, i cili thotë se sipas procedurës penale i akuzuari nuk mund të zgjedhë të flas për atë çka dëshiron, dhe të mos flas për ato çka nuk dëshiron. “Ky dëshiron ta hajë tortën dhe me pas gjithashtu në të njejtën kohë”. Këtë mendim të tij e ka mbështetur edhe mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Bekim Sylejmani, i cili konsideron se në këtë rast duhet të vlejë parimi i palëve në këtë proces, dhe se nëse i akuzuari pranon të jap dëshmi, ligji nuk i’a lejon të diktojë se çfarë pyetje ose përgjigje do të jap.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Piotr Bojarchuk merr vendim që të mos e pranoj qëndrimin e të akuzuarit Menderes Sinani, me arsyetimin se nuk mund ta kufizojnë prokurorin apo palët e dëmtuara që ti parashtrojnë pyetje të pandehurit, sepse kjo do të ishte një shkelje flagrante e parimit të barazisë së palëve të pranishme në këtë rast.

Pas këtij vendimi, meqenëse avokati Aziz Rexha deklaron se nuk ka më pyetje për klientin e tij, i akuzuari Menderes Sinani deklarohet me dëshirë për pikën 4 dhe 5 të akuzës, për të cilat thotë se nuk ka kryer vepër penale. “Sa i përket pikës 4 të akuzës që ka të bëjë me shmangien nga pagesa doganoe, dua të theksoj se është e vërtetë se kam biseduar përmes telefonit me Vahid Tahirin, dhe poashtu ai më ka dhënë një oficer të policisë në telefon. Biseda e parë ka qenë si një lloj përshëndetje dhe menjëherë më ka treguar oficeri i policisë se e ka mbush tiketën dhe kam vendosur me dënu me një dënim më të vogël”. Sipas tij, kjo vërtetohet me fletpagesën e dënimit ku shënohet saktësisht data dhe koha kur është shkruar ajo tiketë, pasi me oficerin ka folur pasi është mbushur ajo tiketë. Sinani poashtu deklaron për pikën 6 dhe 7 se nuk ka kryer vepra penale. “Sa i përket veprave të tjera, 6 dhe 7 që kanë të bëjnë me moslajmërim të veprës penale dhe dhënies së ndihmës pas kryerjes së veprës penale, siç e kam deklaruar edhe në deklaratën time në prokurori, është e vërtëtë se e kam marr një telefonatë dhe i jam përgjigjur, dhe kam shku në vendin ku supozohet se është kryer vepra penale, dhe nuk kam hasur në asgjë. I vetmi person që ka qenë atje ka qenë Ramadan Ajvazi, të cilin e theksoj se nuk e kam shok atë por axhën e tij, e i cili ka qenë ulur në tokë duke qarë. Nuk ka pas veturë aty, nuk ka pas asnjë person ose dëshmitar që do të më tregonte se çka ka ndodhur”. Sinani thekson se në momentin që e ka takuar personin që e ka telefonuar, i njëjti i ka thënë se nuk ka pasur gjuajtje me armë. “Përgjigja e tij ka qenë se Ramadani ka qenë i dehur, dhe të kam thirrë ty që me hek atë prej aty sepse kam disa shokë aty. Arsyeja pse të kam thënë se ai ka gjuajtur me armë ka qenë që me të shty ty me ardhë këtu” ka cituar fjalët e tij. “Nuk e konsideroj se kam mbajtur në posedim armë ilegale sepse kam pas të drejtë ta mbaj me bexh policor. Pse më kanë qëllu disa fishekë më tepër, nuk e konsideroj se kam bërë ndonjë vepër penale të llojit të tillë”, ka theksuar i akuzuari lidhur me veprën e fundit me të cilën ngarkohet.

Pas dhënies së kësaj deklarate, fillon marrja në pyetje e të akuzuarit nga prokurori i çështjes, Drew Engel. Në pyetjet e përgjithshme të prokurorit, Mederes Sinani shpjegon për nivelin e shkollimit të tij dhe mënyrën e punës gjatë kohës sa ishte toger në njësitin kundër trafikimit me qenie njerëzore në Ferizaj. “Deri në vitin 2010, 2011 ka pasur ndërkombëtarë të cilët kanë mbikëqyrë punën e njësitit, gjatë kohës sa kam punuar aty. Por, gjatë kohës së lëndës së Bidajetit, pra gjatë vitit 2012 nuk ka pasur të tillë”. Sinani shpjegon edhe mënyrën e përgjithshme të marrjes në pyetje të viktimave në atë njësit, dhe thekson se në rastin e tani të dëmtuarit Bidajet Sylejmani, nuk ka qenë i pranishëm kur janë marrë në pyetje viktimat për atë rast. Megjithatë, i njëjti ka refuzuar të përgjigjet në disa pyetje të parashtruara nga vet prokurori, e që kishin të bënin me vëllezërit e tij.

Kjo seancë gjyqësore u ndërpre më herët me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Vahid Tahiri, avokatit Admir Salihu, i cili thekson se ka të caktuar një seancë tjetër. Seanca e rradhës është caktuar të vazhdojë më datën 24 mars 2016.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Menderes Sinani për veprat penale penale “shpërdorim i pozitës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, ”moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Në këtë proces gjyqësor, të akuzuar janë edhe 6 persona tjerë: Besim Shabani, Burim Veseli, Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Vahid Tahiri.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë